Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Receta

  • Kungull me kaçkavall/ Receta e veçantë për një shije të re

    Kungull me kaçkavall/ Receta e veçantë për një shije të re

    Nëse shpesh e gjeni veten duke bërë të njëjtën recetë, atëherë në këtë artikull do t’ju njohim me një recetë shumë të thjeshtë për një shije të re.

    Kjo recetë ka si bazë kungujt dhe djathin kaçkavall dhe është një pjatë e veçantë për një tryezë të larmishme.

    Kungulli është një ushqim i pasur në vitamina, minerale dhe përmban pak kalori.

    Ai përmban kalium që ka një ndikim pozitiv në tensionin e gjakut. Ndërsa antioksidantët tek kungulli munden të parandalojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira dhe të përmirësojnë shikimin. Pra një tjetër benefit nga ky ushqim, përveç shijes së tij të veçantë.

    Njihuni më poshtë me hapat që duhet të ndiqni për të përgatitur këtë recetë.

    Përbërësit:

    1-2 kg kungull

    2 lugë gjelle vaj ulliri ekstra i virgjër

    2 lugë gjelle gjalp i tretur

    4 lugë gjelle djathë kaçkavall

    Piper i zi i bluar, për shije

    Përgatitja

    Pasi të keni pastruar mirë sipërfaqen e kungullit, me anë të një thike të mprehtë, prisni kungujt për së gjati, në gjysmë. Pastroni brendësinë nga farat me anë të një luge.

    Më pas në një tenxhere presioni vendosni dy gjysmat e kungullit dhe shtoni 1 filxhan ujë.

    Lërini të ziejnë për rreth 10 minuta dhe më pas hiqni kungujt duke i trasferuar në një enë të përshtatshme.

    Largoni pjesën e jashtme të kungullit dhe me anë të një piruni filloni të gërryeni pjesën e tij të brendshme, duke e copëtuar në formë fijesh të gjata.

    Transferoni kungujt e copëtuar në një tas dhe hidhni lëkurat e tyre.

    Në një tigan, shtoni gjalpin e tretur dhe vajin e ullirit, ngrohini për rreth 3 minuta derisa ato të bashkohen.

    Në tasin me kunguj shtoni, përbërjen me gjalp dhe vaj ulliri, gjithashtu edhe djathin së bashku me përbërësit e tjerë.

    Nëse doni të shtoni më shumë proteina në këtë vakt, ju mund të shtoni karkaleca ose copa të mishit të pulës.

  • Receta e veçantë e pilafit me kinoa – Shija e mesdheut

    Receta e veçantë e pilafit me kinoa – Shija e mesdheut

    Një pjatë që frymëzohet nga dieta mesdhetare, e pasur me të gjitha shijet klasike.

    Kinoa tanimë është një produkt që po futet gjerësisht në kulinarinë botërore, por edhe atë shqiptare.

    Ju sjellim një kombinim perfekt dhe plot shije i cili i dhuron trupit fibër, magnez, hekur, zink e folate.

    Provoni ta shijoni me familjarët tuaj këtë pilaf me kinoa dhe perime, dhe do të mbeteni të kënaqur pafund.

     Përbërësit

    1 gotë me kinoa

    2 gota me lëng perimesh ose ujë

    1 lugë gjelle vaj ulliri

    1 thelbi hudhër

    1 qepë mesatare

    Kripë

    1 spec i kuq

    50g ullinj

    100g domate të thara

    Borzilok i freskët

    Piper i zi

    Përgatitja

    Nisni me larjen e kinoas me ujë të bollshëm duke përdorur një sitë, duke qenë se kullorja është me vrima të mëdha.

    Pasi ta keni larë kinoan, lëreni të kullojë ujin e tepërt.

    Ndërkohë vendosni në zjarr një tigan me vaj ulliri që të ngrohet.

    Tregoni kujdes që zjarri të jetë i ulët ndryshe vaji do të digjet dhe do të prishë shijen e pjatës.

    Qëroni dhe grini sa më imët qepën, ndërsa hudhrën shtypeni.

    Kur vaji të jetë ngrohur hidhini qepën e hudhrën dhe lërini të skuqen lehtë derisa qepa të kthehet në transparente.

    Shtoni kinoan dhe përziejeni me qepën dhe hudhrën në mënyrë që të marrë shije sa më mirë.

    Hidhni tani kripën dhe piperin e zi për shije, më pas shtoni edhe lëngun e perimeve ose thjesht ujin.

    Lëreni që të kthejë valë dhe ulni zjarrin pothuaj fare në mënyrë që uji të avullojë ngadalë.

    Ndërkohë në një tavë të vogël shtroni letër pjekjeje dhe vendosni aty specin e prerë në shirita të hollë.

    Futeni tavën në furrë të ngrohur me 180 gradë dhe piqeni për 8-10 minuta.

    Mjafton që speci të zbutet dhe të marrë aromën e mirë të pjekjes.

    Kur kinoa të jetë gati kalojeni atë në një tas apo enë të madhe, shtoni ullinjtë, specin e pjekur, domatet e thara, borzilokun e freskët.

    Përziejeni mirë kinoan me përbërësit e tjerë dhe provojeni për shije, nëse e shihni që ka nevojë për kripë apo piper shtojini.

    Lini tasin për 10 minuta në mënyrë që përbërësit të marinohen dhe më pas mund ta shërbeni.

  • Tiramisu me akullore – Kjo ëmbëlsirë e re duhet provuar patjetër!

    Tiramisu me akullore – Kjo ëmbëlsirë e re duhet provuar patjetër!

    Tiramisuja nuk është një ëmbëlsirë e re dhe kjo nuk ka asnjë dyshim.

    Ama mënyrat e përgatitjes së saj me përbërës të ndryshëm, e bëjnë të duket gjithnjë një shije e re dhe e përshtaëshme me çdo stinë.

    Për të përballuar të nxehtin e verës ju këshillojmë të provoni tiramisunë  me akullore.

    Shija e vaniljes, kafesë dhe cokollatës së zezë do të kthehen shpejt në më të preferuarat tuaja.

    Dhe çfarë do të pëlqeni më shumë është thjeshtësia me të cilën muns ta përgatisni këtë ëmbëlsirë.

    Përbërësit

    200 gr akullore me vanilje

    1 pako biskota të gjata Savoiardi

    50 gr çokollatë e zezë

    1 filxhan kafe

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësja recete mblidhni të gjithë përbërësit në një tryezë rreth vetes.

    Filloni duke përgatitur filxhanin e kafesë me të cilin do të lagni biskotat.

    Në varësi të sasisë që do të përgatisni mund të shtoni edhe militrat e kafesë që do të zieni.

    Kur të jetë gati, lëreni të ftohet për disa momente dhe hidheni në një pjatë të thellë.

    Më pas zhysni biskotat në të një nga një derisa të jenë njomur nga të dyja anët.

    Shtrojini ato në një enë të sheshtë e të gjatë njëra pas tjetrës duke formuar një drejtkëndësh të gjatë.

    Ose vendosini në një tas ose gotë të vogël duke formuar një bazë prej biskote.

    Veproni me dy biskota njëherësh dhe sipër vendosni dy topa akullore me vanilje.

    Sipër akullores vendosni sërish dy biskota Savoiardi të njomura më parë në kafe.

    Në fund sipas dëshirës grini dhe pak cokollatë të zezëose shtoni pak kakao.

    Sipas numrit të personave të cilët do të shërbeni, aty shtoni edhe sasinë e përberësve në proporcion me njëri tjetrin.

    Mos harroni ta ruani brenda në frigorifer në mënyrë që akullorja të mos shkrijë.

  • Vezë të pjekura me patate – Receta e përkryer

    Vezë të pjekura me patate – Receta e përkryer

    Ndër gjërat që nuk mungojnë kurrë në frigoriferin tuaj, me siguri janë vezët.

    Qëllon shumë shpesh që t’i përdorim ato për një darkë të shpejtë, kur nuk kemi shumë kohë ose nuk mund të qëndrojmë gjatë në kuzhinë.

    Por duhet të jemi të kujdesshëm. Vetëm një ose dy përbërës të gabuar janë të mjaftueshëm për ta kthyer një gatim në një koncentrat kalorish.

    Gjalpi dhe kripa e tepërt janë disa nga këta përbërës me të cilët nuk duhet tepruar.

    Kur gatuhet si duhet dhe shoqërohet me perime, ky ushqim është ekuilibri i përsosur midis shijes dhe shëndetit.

    Si të garantoni vlerat e mira?

    Në vijim ju sjellim një recetë të përkryer për të gatuar një omeletë të lehtë pa vaj e pa gjalpë.

    Është shumë e dobishme për shëndetin dhe ofron më pak se 200 kalori!

    E shijshme, ngopëse dhe e lehtë për t’u përgatitur, kjo omeletë në sajë te lidhjes natyrale midis proteinave të vezës dhe niseshtesë së patates, është shumë e shëndetshme dhe plot vlera të mira ushqyese.

    Gjithashtu mund të konsumohet dy herë në javë pa asnjë problem për peshën dhe kolesterolin.

    Vezë të pjekura me patate

    Përbërësit për një omëletë të lehtë me më pak se 200 kalori. Kjo recetë është për katër persona.

    Për një omeletë të lehtë për dy njerëz, ndani masat në mënyrë të përshtatshme.

    Ju duhen

    • 6 vezë

    • 2 patate të mesme

    • dy tufa me majdanoz të freskët

    • një lugë çaji me pluhur shafran të Indisë

    • pak kripë dhe piper të zi

    Përgatitja

    Qëroni patatet dhe prijini ato në kuba, lërini të vlojnë në ujë për disa minuta derisa të zbuten dhe më pas kullojini.

    Rrihni vezët në një tas dhe shtoni patatet, duke i përzier dhe shtypur bashkë derisa të formojnë një masë të plotë.

    Shtoni majdanozin e prerë për t’i rritur shijen omletës tuaj pasi në sajë të vitaminës C, shtoni një efekt antioksidues dhe tretës.

    Shtoni gjithashtu edhe shafranin e Indisë që e gjeni në markete bashkë me piperin e zi.

    Të dyja këto erëza kur kombinohen, ndihmojnë në përthithjen e shpejtë të vlerave të gatimit nga organizmi juaj.

    Shtoni pak kripë, përzieni mirë gjithçka. Më pas kalojeni masën në një tavë të veshur me letër pjekjeje të lagur me ujë.

    Vendoseni në furrë të nxehur në 180° për 30 minuta dhe shijoni një gatim të lehtë plot shëndet!

    Sekreti është pjekja dhe përdorimi i letrës së lagur pjekëse, e cila na lejon të mos përdorim shumë yndyrë.

    Përveç kësaj, përdorimi i erëzave jo vetëm që e bën atë më të shijshëm, por siguron substanca shumë të dobishme siç është vitamina C, e bollshme në majdanoz.

  • Kungulleshka të mbushura me kinoa/ Shije e shëndetshme dhe e veçantë

    Kungulleshka të mbushura me kinoa/ Shije e shëndetshme dhe e veçantë

    Kinoa është një nga ushqimet më të reja jo vetëm të kuzhinës Shqiptare, por edhe të asaj botërore.

    Farat e vogla të bimës së  Chenopodium, prej nga vjen kinoa, janë shumë të thjeshta për t’u gatuar dhe cilësohen si nga ushqimet më të shëndetshme në botë.

    Me shumë pak kalori dhe shumë vlera ushqyese si vitamina dhe minerale të domosdoshme për trupin, kinoa mund të zërë fare lehtë vendin e çdo ushqimi tjetër.

    Për këtë arsye ju tregojmë një recetë të thjeshtë përgatitje të saj.

    Nëse ju pëlqejnë kungulleshkat e mbushura me oriz edhe këto me kinoa do t’ju kënaqin me shijen sa tradicionale aq edhe të re.

    Ndiqni mëposhtë recetën e plotë të përgatitjes së këtij gatimi shumë interesant.

    Përbërësit

    180 gr kinoa

    4-5 kungulleshka mesatare

    100 gr domate të vogla

    20 gr ullinj

    3-4 gjethe borzilok

    3-4 degëza mente

    1 degë finok

    Vaj ulliri

    Lëkurë limoni

    Kripë

    Piper i zi

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete zieni kinoan.

    Hidheni në një tenxhere të mbushur me ujë dhe ziejeni për aq kohë sa ju udhëzon paketimi ose përreth 20 minuta, derisa kokrrizat e vogla të fillojnë të fryhen.

    Shtoni edhe kripë sipas dëshirës tuaj dhe sapo të jetë gati kullojeni e vendoseni në një enë qelqi duke e spërkatur me pak vaj ulliri.

    Përziejeni me kujdes dhe vendoseni në frigorifer që të ftohet për disa momente.

    Më pas merrni në tavë masatare, shtrojeni me letër pjekje dhe filloni të bëni gati kungulleshkat.

    Nuk ka rëndësi nëse i keni rrumbullake apo të gjata, ndajini në gjysmë dhe filloni t’i pastroni me anë të një luge farat dhe tulin e brendëshëm.

    Vendosini përsëgjati një nga një mbi tavë dhe spërkatini me  pak vaj ulliri.

    Futini në furrë dhe piqini në temperaturën 200 gradë për 10 – 15 minuta.

    Ndërkohë grini domatet hollë, bashkë me borzilokun, menten, finokun, ullinjtë dhe lëkurën e limonit që mund ta shtoni sipas dëshirës.

    Nxirrni kinoan nga frigoriferi dhe shtoni po aty të gjitha erëzat, ullinjtë e domatet që gritë më parë.

    Përzieni me lugë druri, shtoni kripë e piper sipas dëshirës dhe nxirrni kungulleshkat nga furra për t’i mbushur.

    Mbushini kungulleshkat me kujdes me anë të një luge derisa e gjitha masa të mbarojë.

    Në këtë pikë mund t’i shërbeni menjëherë ose t’i ruani në frigorifer për një moment të dytë.

    Kjo pjatë shijohet gjysmë e ftohtë dhe është shumë e përshtatëshme për t’u marrë me vetë në punë apo piknikë të ndryshëm.

  • Pastiço me qumësht dhe vezë/ E ngrohtë me shije speciale

    Pastiço me qumësht dhe vezë/ E ngrohtë me shije speciale

    Pastiçoja është një recetë klasike që mrekullon me shijen e saj si të rriturit dhe të vegjlit.

    Ju sjellim një tjetër mënyrë të përgatitjes së saj, me qumësht dhe vezë.

    Më pak e kushtueshme dhe me më pak përbërës, por kjo nuk do të thotë shija nuk është po aq mahnitëse.

    Mund të përdorni çdo lloj makaronash nga makaronat e gjata e deri tek ato në formën e tubave apo formave të tjera.

    Një recetë e lehtë që përgatitet në vetëm 40 minuta, dhe pa ju munduar gjatë përgatitjes së saj.

    Përbërësit për 4 persona

    350 gr makarona të gjata (ose makarona të tjera)

    5 vezë

    50 g gjalpë

    Kripë

    Piper

    2 gota me qumësht

    Përgatitja

    Si fillim vendosni një tenxhere të mbushur me ujë për të zierë në zjarr.

    Kur ajo të fillojë të vlojë shtoni pak kripë dhe më pas makaronat që keni përzgjedhur.

    Lërini të ziejnë derisa të jenë zbutur.

    Kulloni dhe shpëlani me ujë të ftohtë makaronat, kështu makaronat nuk do të zbuten më shumë.

    Ndërkohë në një tas hidhni vezët pak kripë dhe piper dhe me telin e kuzhinës rrihini.

    Më pas dalëngadalë shtoni qumështin dhe përsëri përzjejini derisa masa të jetë homogjene.

    Merrni një tavë dhe në të hidhni pak gjalpë për të lyer sipërfaqen e saj.

    Shtoni makaronat e ziera dhe shtoni në copa të vogla pjesën tjetër të gjalpit.

    Në fund në tavën me makarona shtoni sasinë e qumështit dhe vezëve.

    Vendoseni në furrë të parangrohur me 220 gradë Celsius, për t’u pjekur përreth 30 minuta ose derisa qumështi të jetë mpiksur.

    Nëse doni një pjekje më perfekte, si fillim vendoseni tavën të piqet nga poshtë e më pas në sipërfaqe.

    Kështu pjekja do të jetë e njëtrajtshme dhe pastiçoja do të jetë gati për t’u servirur.

    Kjo recetë duhet të konsumohet e ngrohtë dhe mund të shoqërohet me sallata me perime te stinës.

  • 5 receta të shpejta për një mëngjes të shëndetshëm!

    5 receta të shpejta për një mëngjes të shëndetshëm!

    Vlerat ushqyese të perimeve janë të mëdha, prandaj do të bënit mirë t’i konsumonit jo vetëm gjatë ditës, por edhe në mëngjes. Më poshtë ju sugjerojmë disa receta të shijshme, të shpejta dhe shumë të shëndetshme me bazë perimesh që mund t’i përgatisni për mëngjes. Mos harroni që mëngjesi është një vakt shumë i rëndësishëm, kështu që mos e anashkaloni kurrë.

    Brokoli me vezë të skuqur

    Në fillim ziejmë për 10 minuta brokolit e ndara në lule të vogla. Më pas në tigan hedhim dy lugë gjelle me vaj ulliri, e lëmë pak të nxehet dhe më pas hedhim vezët sy. U hedhim pak kripë dhe i lëmë të skuqen pak apo shumë sipas preferencës.

    Krepa me miell misri me spinaq dhe djathë të bardhë

    Brumin e krepave e përgatisni me miell misri në vend të miellit të grurit. Për mbushjen e një krepe, në një tigan hidhni një grusht me spinaq. Lëreni në zjarr sa të avullojë uji, hidhini pak kripë, vaj ulliri dhe thërrime djathi dhe mbushni krepën.

    Omletë me spinaq dhe avokado

    Grini një grusht me spinaq, gjysmë avokado të prerë në kubikë. Hidhni në një tas dy vezë, pak kripë dhe rrihini fortë. Më pas shtoni spinaqin dhe avokadon dhe përzjejini bashkë. Vendosni një tigan në zjarr. Hidhni pak vaj ulliri dhe shtroni omletën. Lëreni të skuqet mirë nga njëra anë dhe më pas kthejeni nga ana tjetër.

    Vezë dhe spinaq

    Grini një grusht me spinaq. Vendosni një tigan në zjarr. Hidhni spinaqin e grirë hollë dhe lëreni sa të avullojë uji, hidhini më pas pak vaj ulliri, kripë dhe hidhni vezët sy që të skuqen.

    Lulelakër të skuqur me vezë

    Në fillim ziejmë për 10 minuta lulelakrat e ndara në lule të vogla. Më pas në tigan hedhim dy lugë gjelle me vaj ulliri, e lëmë pak të nxehet dhe më pas hedhim lulelakrat dhe vezët sy. U hedhim pak kripë dhe i lëmë të skuqen pak apo shumë sipas preferencës.

  • Supa e Krushqve! Receta më e përkryer me shijen fantastike!

    Supa e Krushqve! Receta më e përkryer me shijen fantastike!

    Cilësohet si supa e krushqve sepse në shumë rajone të vendeve të lindjes, nga kjo recetë ka edhe origjinën përgatitet si ndër gatimet më speciale për të mikpritur të afërmit e nuses apo dhëndrrit.

    Por krahas kësaj, kjo recetë është fantastike dhe mund të përgatitet në çdo kohë në familje edhe kur shtëpinë nuk e vizitojnë miq e mysafirë.

    Më poshtë ju sjellim recetën fantastike, e cila edhe pse me përbërës të thjeshtë, falë mënyrës së përgatitjes merr një shije me të vërtetë të përkryer.

    Përgatitja e Supës së Krushqve

    Përbërësit

     (Përbërësit përzgjidhen bazuar tek numri i personave për të cilët do gatuani, përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

    4-5 thela të plota mish qengji të freskët

    2-3 karrota

    2-3 patate

    1 presh (pjesa e bardhë)

    E verdha e një kokërr veze

    Lëngu i një kokërr limoni

    Piper i zi

    Majdanoz i freskët

    Dy lugë gjelle vaj ulliri

    Një lugë gjelle gjalpë i freskët

    Përgatitja

    Si fillim, vendosni mishin në një tenxhere me ujë me kripë dhe lëreni të ziejë derisa mishit të zbutet pak por jo plotësisht.

    Më pas, thelat e mishit vendosini në një tavë të vogël hidhuni një gotë e pak nga lëngu ku kanë zierë, hidhuni përsipër gjalpë dhe futini në furrë të piqen.

    Hërë pas herë mishin spërkateni me lëngun e vet që të mos thahet.

    Hiqeni nga furra sapo të zbutet plotësisht dhe mos lini që i gjithë lëngu në tavë të thahet apo të avullojë.

    Ndërkohë, në një tigan skuqni me vaj ulliri dhe pak gjalpë preshin e grirë hollë, më pas patatet dhe karrotat e prera në kubikë të vegjël.

    Kaurdisini për 2-3 minuta, dhe kalojini në tenxheren ku keni lëngun e mishit dhe lërini të ziejnë derisa të zbuten plotësisht.

    Nëse e shihni se duhet më shumë ujë atëherë shtoni pak më tepër.

    Provojini për kripë nëse kanë sa duhet dhe kur të zbuten tërësisht hiqini nga zjarri.

    Shtypini pakëz me lugë druri por jo plotësisht.

    Në një tas të vogël, shtoni gjysmën e lëngut të limonit (gjysmën tjetër të lëngut të limonit mbajeni mënjanë) dhe të verdhën e vezës.

    Rrihini të dyja bashkë derisa të njëtrajtësohen. Shtoni disa lugë nga lëngu i supës që keni në tenxhere dhe vijoni t’i përzjeni.

    Në këtë mënyrë do evitoni që veza të pritet në momentin që do shtohet tek supa.

    Shtoni të verdhën e vezës me lëngun e limonit tek supa dhe përzjeheni për mirë për disa minuta derisa masa të njëtrajtësohet.

    Ndërkohë, kur mishi të jetë gati, pra i pjekur, ndajeni në fije-fije dhe shtojeni tek supa.

    Vendoseni sërish supën në zjarr dhe përzjeheni për disa minuta dhe më pas largojeni nga zjarri.

    Në tavën që keni pjekur mishin, tek lëngu që ka mbetur shtoni gjysmën e lëngut të limonit që latë mënjanë dhe me lëngun e përftuar spërkasni sipër supën kur ta servirni bashkë me disa gjethe majdanozi të grirë hollë.

  • Mënyra e vjetër e përgatitjes së paçes tradicionale

    Mënyra e vjetër e përgatitjes së paçes tradicionale

    Është një nga gjellët që ndez oreksin menjëherë sapo e ke në tryezë.

    Traditë e trashëguar brez pas brezi nga nënat dhe gjyshet shqiptare, ky gatim special është fantastik dhe të përfshin tërësisht me shijen e tij.

    Ushqimi më i kërkuar në restorantet tradicionale sidomos kur bëhet fjalë për ndalesa të shpejta por sigurisht një ndër më të preferuarit kur gatuhet nga duart e mvisave në shtëpi.

    Kjo gjellë tipike tradicionale shqiptare përgatitet krejt lehtë dhe shpejt dhe ka një shije fantastike, ideale për një vakt të shijshëm por edhe të shëndetshëm dreke.

    Një recetë e shijshme e cila shoqërohet në mënyrë të mrekullueshme me sallata të freskëta të stinës, byrekë të ndryshëm shtëpie, e mbi të gjitha me zahiretë nga duart e amvisave shqiptare.

    Më poshtë keni recetën tipike shqiptare të përgatitjes së kësaj supe në shtëpi.

    Përgatitja e Supës së Paçes në Shtëpi

    Përbërësit

    1kg mish koke me kocka

    1 filxhan kafeje uthull

    1 kokërr hudhër

    erëza, kripë

    3-4 lugë gjelle  yndyrë

    1 lugë gjelle miell

    piper të zi sipas dëshirës

    ½ lugë gjelle salcë domate dje pak spec të kuq

    Përgatitja

    Kokat pastrohen, priten dhe vihen në ujë të ftohtë e të rrjedhshëm me qëllim që të pastrohen.

    Vihen në zjarr me ujë të ftohtë dhe kur fillojnë të marrin valë u hiqet shkuma, pastaj largohen nga zjarri i fortë dhe lihen në zjarr të ngadalshëm  duke u hedhur brenda qepë, karrota, selino dhe kripë.

    Pasi të kenë zier hiqen nga lëngu, qërohen nga kockat dhe mishi pritet në copa të vogla.

    Në një tenxhere tjetër hidhet yndyra, lihet tue nxehet, pastaj shtohet mielli, përzihet me lugë druri derisa të marrë ngjyrë të errët.

    Hidhet salca, shtohet lëngu ku kemi zier kockat, pastaj mishi, pak spec i kuq dhe lihet të ziejë në zjarr tue ngadalshëm, i hedhim kripë dhe piper.

    Kështu paçja është gati.

    Përgatiten hudhra të shtypura me uthull dhe gjatë shërbimit i hidhen paçes.

  • Uthull molle, mjaltë, limon/ Ja si të përgatisni vetë pijen natyrale energjike

    Uthull molle, mjaltë, limon/ Ja si të përgatisni vetë pijen natyrale energjike

    Plogështia dhe virozat e shoqërojnë njeriun gjithmonë në ndërrimin e stinëve.

    Kohëzgjatja e tyre varet kryesisht jo vetëm nga lloji i bakterit por edhe imuniteti i njeriut.

    Për forcimin e tij dhe shërimin e organizmit, shumë ekspertë rekomandojnë një pije shëruese e cila largon kollën dhe shumë prej simptomave të gripit, virozave dhe të ftohurës.

    Kjo pije, sipas të dhënave rekomandohet edhe për rritjen e rezistencës, kundër dhimbjeve të kraharorit dhe inflamacionit.

    Përbërësit e kësaj pije pikante janë: mjalti, uthulla e mollës, limoni dhe hudhra.

    Mjalti

    Mjalti ka rol ëmbëlsues por edhe shërues.

    Ai rekomandohet kundër baktereve, virozave dhe mykut.

    Mjalti është një nga përbërësit më efikasë kundër kollës.

    Limoni

    Limoni i jep kësaj pijeje aromën e freskisë dhe lufton me shumë efikasitet virozat.

    Bashkë me mjaltin, limoni eliminon viruset që pushtojnë qelizat

    Uthulla E Mollës

    Lista e përfitimeve që vijnë nga uthulla është e panumërt.

    Ky lëng shëron fytin dhe largon bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes.

    Hudhra

    Sipas informacioneve, hudhra është shëruese e rrugëve të frymëmarrjes.

    Ajo ka aftësinë të shkurtojë kohëzgjatjen e të ftohurës.

    Hudhra prodhon një lëndë kimike të quajtur alicinë, e cila çlirohet në momentin që hudhra pritet ose grihet.

    Alicina është ajo që mban të gjithë peshën e fuqisë së madhe pastruese të hudhrës.

    Pija Me Uthull, Hudhër, Mjaltë Dhe Limon për energji

    Përbërësit:

    10-11 thelpinj hudhre të shtypur lehtë

    2 gota me ujë

    Çerek gote me uthull molle

    1 limon

    4 lugë gjelle me mjaltë

    Xhenxhefil nëse dëshironi

    Përgatitja:

    Ziejini thelpinjtë e hudhrës në ujë për 10 minuta. Nëse dëshironi mund të shtoni pak xhenxhefil të grirë.

    Kullojeni lëngun dhe bashkojeni me uthullën, lëngun e limonit dhe të paktën gjashtë lugë gjelle me mjaltë.

    Pijeni këtë lëng shërues dy ose tre herë në ditë sipas nevojës.

    Pijen mund ta ruani në një kavanoz qelqi dhe ta mbani në frigorifer për të paktën 5 ditë.

    Nëse dëshironi mund ta pini edhe si çaj duke e ngrohur pak në një çajanik.