Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Receta

  • Tavë nga sofra e Gjakovës/ Traditë dhe shije

    Tavë nga sofra e Gjakovës/ Traditë dhe shije

    Një recetë e vjetër dhe specialitet i hershëm i kuzhinës kosovare, tipike e zonës së Gjakovës.

    Fantastike në shije dhe e pasur në përbërës dhe vlera ushqyese gjithashtu.

    Kuzhina gjakovare është me nam për shijen e saj teksa kërkon mjeshtërinë e amvisave në përgatitjen e gatimeve të ndryshme.

    AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e tavës me mish vish viçi e perime e cila kërkon pak durim në përgatitje por shija në fund do të jetë mahnitëse.

    Ky gatim shoqërohet me sallata të freskëta të stinës, e sidomos me zahiretë tradicionale siç janë turshitë e ndryshme.

    Përgatitja e Tavës Gjakovare me Perime dhe Mish

    Përbërësit:

    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

    4-5 thela mish viçi

    Dy kunguj të njomë

    Dy patëllxhanë mesatarë

    2-3 karrota

    3 speca jeshilë

    1 spec djegës

    4-5 kokrra qepë

    1 kg domate

    6-7 thelpinj hudhra

    Kripë

    Piper i zi

    Piper i kuq

    Majdanoz i freskët

    4-5 lugë gjelle vaj ulliri

    Përgatitja:

    Si fillim pastrojmë copat e mishit dhe i vendosim në një tenxhere me ujë. I vendosim në zjarr dhe i lëmë të ziejnë sa të marrin një valë.

    Ndërkohë nisim të presim me rradhë të gjithë perimet.

    Grijmë qepët përmes një thike të mprehtë dhe i vendosim në një tjetër tenxhere, shtojmë vaj ulliri dhe i vendosim në zjarr duke i kaurdisur.

    Në vijim grijmë hollë specin djegës si dhe specat jeshilë.

    I shtojmë në tenxheren ku po kaurdisim qepët.

    Më pas shtojmë karrotat e grira në kubikë dhe i kaurdisim të gjitha bashkë.

    Shtojmë kungulleshkat e prera në kubikë si dhe patëllxhanët duke i kaurdisur të gjithë bashkë derisa volumi i tyre të bjerë.

    Ndërkohë, domatet e grira, i kriposim pak, u hedhim pak vaj ulliri, hudhrat, pak piper të zi dhe të kuq,  majdanoz të grirë hollë, i vendosim në një tavë dhe i fusim në furrë duke i trazuar herë pas here.

    Domatet i lëmë në furrë përreth 30 minuta.

    Më pas, perimet i shtojmë në tavën me domate dhe i përziejmë të gjitha bashkë, e provojmë për kripë nëse është në masën e duhur.

    Heqim tenxheren e mishit nga zjarri dhe copat e mishit i vendosim në tavë.

    Tavës i shtojmë një gotë me lëngun e mishit dhe e fusim të piqet në furrë. Pas pjekjes mund t’i shtoni edhe erëza të tjera të freskëta sipas preferencës.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Mënyrat më të mira të përgatitjes së kërpudhave në shtëpi

    Mënyrat më të mira të përgatitjes së kërpudhave në shtëpi

    Kërpudhat janë një ushqim shumë i mirë për ata që kujdesen për shëndetin e zemrës.

    Ato janë shumë të pasura me fibër, kalium dhe vitaminë C, të cilat mirëmbajnë sistemin kardiovaskular.

    Kaliumi është një nga ushqyesit më të nevojshëm sepse ndihmon në rregullimin e nivelit të tensionit të gjakut.

    Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni 3 receta mjaft interesante për gatimin e shijshëm të kërpudhave.

    Kërpudha me gjalpë dhe kopër

    Përbërësit

    230g kërpudha

    20g gjalpë

    1 tufë me kopër

    Kripë

    Piper

    Përgatitja

    Si fillim lani dhe pastroni kërpudhat. Lërini të thahen plotësisht para se t’i gatuani.

    Pritini në feta jo shumë të trasha. Ndërkohë vendosni një tigan në zjarr dhe hidhni gjalpin.

    Kur ai të shkrijë hidhni kërpudhat dhe kaurdisini me kujdes.

    Kur kërpudhave t’u ketë rënë volumi dhe të kenë marrë një ngjyrë të artë shtoni dhe pak gjalpë.

    Lërini dhe pak të skuqen dhe shtoni kripën, piperin dhe koprën e grirë.

    Supë me kërpudha

    Përbërësit

    4 lugë gjelle me gjalpë

    1 lugë gjelle me vaj ulliri

    2 qepë të grira

    4 thelpinj hudhër

    750g kërpudha

    6 lugë gjelle me miell

    4 gota me ujë

    1 gotë me qumësht

    Kripë

    Piper

    Majdanoz i grirë.

    Përgatitja

    Vendosni një tenxhere në zjarr dhe hidhni gjalpin. Shtoni hudhrën dhe qepën e grirë dhe lërini të skuqen.

    Hidhni kërpudhat e prera dhe kaurdisini lehtë për 5-7 minuta.

    Spërkatini kërpudhat me miellin, kaurdisini dhe skuqini dhe për 2 minuta të tjera.

    Hidhni ujin dhe lëreni të ziejë.

    Më pas shtoni dhe qumështin, kripën dhe piperin dhe lëreni në zjarr sa të trashet lëngu duke e puerzier herë pas here që të mos krijohen kokërriza.

    Kur supa tue jetë gati hiqeni nga zjarri dhe spërkateni me majdanoz të grirë.

    Kërpudha të mbushura

    Përbërësit

    20-24 kërpudha të mëdha të pastruara nga kërcelli

    2 lugë gjelle me vaj ulliri

    250g mish i grirë

    2-3 qepë të njoma të grira imët

    3 thelpinj hudhër

    Kripë

    Piper

    125g salcë kosi

    125g dhjathë

    1 tufë majdanoz i grirë

    Përgatitja

    Ngrohni sobën në 180 gradë. Lyeni mirë me vaj dy tava.

    Qëroni dhe lani kërpudhat e lërini mënjanë.

    Në një tigan hidhni një lugë vaj dhe vëreni në zjarr. Skuqni aty mishin e grirë derisa të marrë një ngjyrë të kafenjtë.

    Kërcenjtë e kërpudhave pritini imët dhe hidhini në tigan për t’i skuqur.

    Shtoni djathin dhe salcën e kosit dhe lëreni në zjarr derisa të formohet një masë e njëtrajtshme.

    Shtoni hudhrat dhe qepët e njoma të grira, kripën dhe piperin dhe skuqini dhe për 2-3 minuta.

    Mbushni kërpudhat dhe vendosini në tavat e lyera me vaj.

    Spërkatini dhe pak me vaj ulliri dhe futini për t’i pjekur për 20 minuta.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Hasude e pjekur me petë/ Shije fantastike

    Hasude e pjekur me petë/ Shije fantastike

    Një ëmbëlsirë e thjeshtë për t’u përgatitur dhe fantastike në shije, kombinuar me petë dhe e pjekur.

    Në doni të ëmbëlsoni veten apo më të dashurit tuaj në familje kjo është zgjidhja e duhur.

    Nuk kërkon shumë kohë në përgatitje e as shumë mund por rezultati final padyshim do t’ju përfshijë tërësisht.

    Përgatitja e Hasudes në Shtëpi 

    Përbërësit 

    6 peta të gatshme ëmbëlsirash (i gjeni në markete)

    300 gr niseshte

    300 gr sheqer

    500 ml ujë

    100 gr gjalpë të freskët

    Përgatitja 

    Hedhim në një tas masën e ujit dhe niseshtenë dhe i përziejmë mirë me njëra tjetrën derisa niseshteja të shkrihet plotësisht dhe të njëtrajtësohet me ujin.

    Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni një tenxhere në zjarr.

    Shtojmë gjalpin dhe sheqerin.

    I trazojmë derisa sheqeri të shkrijë plotësisht dhe të marrë ngjyrë karamel dhe të forcohet pak.

    Në këtë moment, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni ujin me niseshte dhe të përzjeni gjithë masën pa ndërprerje përmes një luge druri.

    Nëse preferoni të shtoni të tjerë përbërës përveç atyre bazë, në momentin kur shtoni ujin me niseshtenë mund të shtoni gjithashtu edhe arra apo bjame të thërrmuara, apo përbërës të tjerë dhe vijoni të përzieni derisa masa të trashet ne formën klasike xhelatinoze të hasudes.

    Sekreti i Hasudes qendron tek përzierja pa ndëprerje e gjithë masës  që është në zjarr.

    Më pas, lyeni një tepsi me pak vaj, shtroni tre peta një nga një duke i spërkatur me pak vaj, shtoni më pas të gjithë hasuden e përgatitur siç e keni të ngrohtë, dhe në fund shtroni tre petat e tjera një nga një duke i spërkatur sërish me disa pika vaj.

    Futeni të piqet në furrë të parangrohur në temperaturë maksimale deri sa petët të marrin ngjyrën e artë të pjekjes.

    Kur ta servirni, nëse dëshironispërkateni me pak sheqer pluhur dhe kanellë për më shumë shije. 

    Burimi: AgroWeb.org

  • Si ti gatuajmë lakrat e brukselit/ Plot shije dhe vlera

    Si ti gatuajmë lakrat e brukselit/ Plot shije dhe vlera

    Lakrat e Brukselit janë të vogla por bëjnë një punë të madhe.

    Këto perime të gjelbra renditen mes 20 ushqimeve me më shumë vlera ushqyese, ku maten vitaminat, mineralet dhe fitoushqyesit në raport me sasinë e kalorive.

    Një racion me këtë lakër të vogël përmbush nevojat tuaja për vitaminë C vitaminë K, vitaminë A, vitaminë B-6, folat, potas dhe mangan.

    Lakra e vogël mbron ADN-në

    Një prej vlerave më të mira të lakrës së vogël është mbrojtja e ADN-së ose molekulën që përmban të gjitha karakteristikat tona gjenetike.

    Përbërësit që gjenden tek lakra e vogël bllokojnë aktivitetet e dëmshme të disa enzimave, shënjestra e të cilave janë padyshim molekulat e ADN-së në qelizat e bardha të gjakut.

    Mbron Zemrën

    Një nga vlerat më të famshme të lakrës së vogël është aftësia për të mbajtur nën kontroll inflamacionin dhe shëruar enët e gjakut nga dëmet e shkaktuara prej tij.

    Lakra e vogël përmban një sërë elementësh që parandalojnë sëmundjet e zemrës.

    Sistemi Tretës

    Ne kemi nevojë për shumë fibër në dietën tonë, në mënyrë që të kemi një sistem tretës sa më të mirë. Këto perime janë një burim i pasur fibrash dhe në një racion prej 100 gramësh do të merrni 4 gramë fibër.

    Kjo sasi është 15% e dozës së rekomanduar ditore për femrat.

    Vitamina K

    Lakrat e vogla janë veçanërisht të pasura me Vitaminë K, për të cilën kemi nevojë të mbajmë kockat shëndetplotë dhe të parandalojmë kalcifikimin e trupit.

    Mjafton një filxhan me lakra të vogla në ditë, që ju të merrni dyfishin e dozës së rekomanduar ditore të vitaminës K për të cilën keni nevojë.

    Pastrimi Nga Toksinat

    Vlerat shëndetësore të lakrës së vogël përfshijnë edhe aftësinë e saj për detoksifikimin e organizmit.

    Lakra e vogël përmban një substancë të quajtur glucosinolates, që ndihmon enzimat në proçesin e pastrimit nga toksinat.

    Mënyrat Më Të Mira Për Gatimin e Lakrës së Brukselit

    Lakra e Brukelit mund të gatuhet në shumë mënyra të ndryshme siç janë:

    • Zierja,
    • Kaurdisja
    • Pjekja.

    Nëse ju pëlqejnë lakrat e ziera, atëherë prisni sa të marrë uji vali, hidhni pak kripë dhe ziejini për 10-15 minuta.

    Pas zierjes shoqërojini me gjalpë, kripë dhe piper të zi.

    Nëse kaurdisja është metoda e preferuar e gatimit atëherë ndajini lakrat në dysh dhe kaurdisini me pak vaj ulliri, kripë  dhe hudhër për rreth 5 minuta deri sa të marrin një ngjyrë të kafenjtë.

    Më pas. Hidhni pak ujë, mbylleni kapakun dhe prisni deri sa uji të avullojë.

    Në fund spërkatini me lëng limoni dhe servirini të ngrohta.

    Në furrë, lakrat e Brukselit duhet të piqen të plota.

    Ato duhet të marinohen me kripë, vaj ulliri dhe piper dhe duhen pjekur për rreth 35-40 minuta./AgroWeb.org

  • Çervish me miell misri dhe pulë/ Receta e vjetër me shije të veçantë

    Çervish me miell misri dhe pulë/ Receta e vjetër me shije të veçantë

    Një recetë e vjetër shqiptare e cila në qytete të ndryshme përgatitet në mënyra të ndryshme.

    Disa e përgatisin me miell gruri e disa të tjerë me miell misri, disa e pjekin e disa e përgatisin më të lëngshëm çervishin.

    Por ajo që nuk ndryshon asnjëherë është shija perfekte e kësaj pjate tradicionale.

    Mishi i pulës i përgatitur në këtë mënyrë është shumë i butë dhe plot lëng.

    Salca e çervishit nga ana tjetër i jep dhe shijen karakteristike kësaj recete.

    Perfekte për të shoqëruar orizin e thjeshtë, sallatat me perime të freskëta apo ato të pjekura.

    Në vetëm pak hapa dhe do të mrekulloheni vërtetë me aromën dhe shijen e saj.

    Përbërësit

    1 pulë

    5 lugë gjelle me gjalpë

    Një filxhan çaji me miell misri

    3-4 thelpinj hudhër

    Kripë

    Piper i zi

    Piper i kuq

    Ujë

    Majdanoz i freskët

    Përgatitja

    AgroWeb.org ju këshillon që pasi të keni pastruar mishin e pulës, priteni atë në copa.

    Në zjarr vendosni një tigan dhe aty hidhni 2-3 lugë gjalpë që të shkrijë.

    Kur gjalpi të jetë ngrohur vendosni thelat e pulës për t’u skuqur.

    Sigurohuni që t’i ktheni nga të dyja anët në mënyrë që skuqja të jetë e njëjtë.

    Hidhini kripë dhe piper në mënyrë që pula të marrë shijen e duhur.

    Pasi ta keni skuqur largojini nga tigani dhe futini në një tenxhere dhe mbulojini me ujë.

    Tenxheren vendoseni në zjarr dhe lëreni të ziejë derisa mishi i pulës të jetë zbutur.

    Ndërkohë tek tigani shtoni edhe gjalpin e mbetur dhe filloni të skuqni miellin e misrit.

    Kini kujdes që të mos digjet pasi do të hidhërojë shijen e çervishit.

    Duke përdorur një garuzhde AgroWeb.org ju sugjeron që të merrni pak nga lëngu i mishit të pulës dhe ta hidhni tek tigani.

    Kini kujdes që të përzieni mirë salcën e formuar që të mos digjeni.

    Qëroni thelpinjtë e hudhrës dhe shtojini në tigan.

    Shtoni lëngun e mishit dalë ngadalë dhe më pas edhe thelat e mishit dhe lërini pak të avullojë lëngu.

    Ndizni furrën në 200 gradë dhe kalojeni të gjithë masën e përgatitur në një tavë qelqi ose balte.

    Futeni për ta pjekur derisa pula të ketë marrë një ngjyrë të artë të thellë dhe çervishi të jetë mpiksur.

    Nëse nuk e dëshironi shumë të trashë, mund edhe të mos e fusni në furrë për ta pjekur por ta zieni plotësisht në tenxhere.

    Pasi të jetë pjekur, nxirreni tavën nga furra dhe spërkateni me majdanoz të freskët të grirë për më shumë shije.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Sekretet që duhet të dini për përgatitjen e hallvës

    Sekretet që duhet të dini për përgatitjen e hallvës

    Hallva është një nga ëmbëlsirat më tradicionale shqiptare, e cila përgatitet gjatë të premteve të mira.

    Ajo gatuhet për t’i rikujtuar njerëzve sa e rëndësishme është të ndash shije dhe lumturi me të dashurit tuaj.

    Prandaj edhe është e traditës që sa herë bëhet hallvë ta shpërndash atë tek komshinjtë apo të afërmit.

    AgroWeb.org ju sjell recetën autentike të hallvës por me një përbërës sekret që i jep akoma më shumë shije.

    Përbërësit

    1 gotë uji me miell

    Gjysmë gote uji me arra të shtypura lehtë

    4-5 lugë gjelle me sheqer

    Një gotë e gjysmë ujë të ngrohtë

    1 lugë gjelle me gjalpë të freskët

    Lëkurën e një portokalli

    Përgatitja

    Vendosni një tenxhere në zjarr dhe shtoni gjalpin, lëreni aty derisa të shkrihet.

    Më pas hidhni miellin dhe skuqeni në temperaturë të ulët derisa ai të piqen dhe të marrë ngjyrë kafe të lehtë.

    AgroWeb.org ju këshillon që ta përzieni miellin me një lugë druri gjatë gjithë kohës që ai të mos ngjitet.

    Kjo do të parandalojë ngjitjen e miellit dhe shijen e hidhur të hallvës.

    Shtoni sheqerin dhe vazhdoni ta përzieni derisa kokrrizat e tij të jenë shkrirë plotësisht.

    Kur masa të jetë e njëtrajtshme shtoni ujin dhe përzëri përzjejeni masën e formuar.

    Sasia e ujit duhet të përthithet plotësisht nga masa e brumit.

    Hidhni arrat e shtypura dhe lëkurat e portokallit dhe përzjejini mirë sa të bashkohen plotësisht me hallvën.

    E heqim nga zjarri dhe e lëmë me kapak të mbyllur për 15 minuta.

    Më pas, mund të përdorim dy lugë në dhënien e formës karakteristike të hallvës, por edhe forma të tjera.

    Në sipërfaqe e spërkasim me kanellë dhe vendosim nga një thelbi arre apo bajame sipër.

    Kjo ëmbëlsirë fantastike mund të shërbehet në temperaturë ambienti ose e ftohtë.

    Për një shije më të veçantë, uji mund të zëvendësohet me qumësht.

    I gjithë procesi i përgatitjes së kësaj ëmbëlsire kërkon durim dhe përkushtim.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Mini pica perfekte në shtëpi/ Receta e ngrohtë e shijes

    Mini pica perfekte në shtëpi/ Receta e ngrohtë e shijes

    Një nga gjërat më të mira kur ndihesh ekspert në kuzhinë është se kur vjen puna tek gatimi, çdo produkt i frigoriferit mund të transformohet në një pjatë të këndshme sa mund të lejë gojëhapur miq e të ftuar.

    Pica është një prej tyre. Mjafton të keni brumë, djathë pice, salcë e produkte të tjera dhe keni krijuar një ushqim të shijshëm për sytë e për stomakun.

    Më poshtë, në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni si të gatuani pica të vogla me hudhër e vaj ulliri por jo vetëm kaq.

    Përbërësit

    Për picën

    300g miell për gatim

    1 lugë e gjysmë çaji me maja të thatë

    Gjysëm luge çaji me kripë

    180 ml ujë të ngrohtë

    Për salcën

    2 lugë çaj me vaj ulliri

    Çerek luge me hudhër pluhur

    Çerek luge me erëza të thata siç janë rigoni, rozmarina, borziloku, sherebelë e të tjerë

    Një majë luge çaji me kripë

    200 ml salcë domatesh

    Një filxhan e çerek me djathë mocarela të grirë

    Speca të prerë në copa të rrumbullakëta

    Udhëzimet

    Kalojeni miellin në sitë dhe hidheni në një enë të gjërë. Shtoni majanë, kripën dhe ujin dhe punojeni për 5 minuta. Ndajeni brumin në toptha. Lëreni në një vend të ngrohtë deri sa brumi të ketë ardhur për një orë. Përhapeni brumin e topthave në formë rrethore dhe vendoseni në një tepsi.

    Ngroheni furrën në 200 gradë.

    Në një tenxhere vendosni vajin. Shtoni hudhrat e grira ose pluhurin hudhër, erëzat dhe kripën.

    Përdorni një furçë pastiçerie dhe me të lyeni tavën me këtë vaj. Më pas futni pitet e vogla e të rrumbullakëta. Lyejini në sipërfaqe një e nga një me vajin e mbetur.

    Piqini në furrë për 5 minuta deri sa pitet të formojnë kore dhe të marrin një ngjyrë të artë. Hiqeni tavën dhe më pas hidhni nga dy lugë çaji me salcë në secilën prej formave.

    Shpërndajeni djathin dhe specat. Vendoseni tavën sërish në furrë dhe piqini për 7-8 minuta deri sa djathi të jetë shkrirë.

    Shënim

    Mini picat servirini të ngrohta sapo të jenë bërë, sepse me kalimin e orëve ato forcohen, ndonëse mbeten të shijshme.

    Për brumin e picës mund të përdorni edhe pite të gatshme, ndërsa salcës mund t’i shtoni përbërësit që dëshironi.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Lakër e pjekur me vaj ulliri dhe lëng limoni/ Shije e përsosur

    Lakër e pjekur me vaj ulliri dhe lëng limoni/ Shije e përsosur

    Një recetë fantastike në shije, e lehtë në përgatitje e mbi të gjitha krejt e shëndetshme, e pasur në vlera ushqyese.

    Është një gatim ideal për të shoqëruar vaktet e drekës apo darkës, i lehtë por i plotë në shije.

    Përgatitja e Lakrës së Pjekur

    Përbërësit

    Gjysmë lakre mesatare e ndarë në katër pjesë ose feta

    3 lugë gjelle vaj ulliri

    2-3 thelpinj hudhër të shtypur

    Pak piper i kuq djegës

    Kripë

    Piper i zi

    Një kokërr limoni

    Një filxhan çaji me ujë

    Përgatitja

    Si fillim AgroWeb.org ju udhëzon të parangrohni furrën në temperaturë maksimale.

    Lakrën prijeni në feta të mëdha rrethore në katër pjesë.

    Lyejeni secilën prej pjesëve të lakrës së bardhë me vaj ulliri nga të dyja anët.

    Spërkatini me kripë, hudhrat e shtypura, piper dhe pak spec djegës.

    Vendosini në një tavë, ku më parë keni shtruar letër pjekjeje.

    Spërkatini me lëng limoni sipër duke u kujdesur që të hiqni farat e tij, kjo pasi mund të hidhërojë shijen e lakrës.

    Shtojini ujin dhe futini në furrë, në pjesën e poshtme të saj dhe lërini të piqen përreth 15 minuta, kthejini pjesët e lakrës nga ana tjetër dhe lërini të piqen derisa të zbuten dhe të marrin ngjyrën e artë të pjekjes.

    Vlerat e Lakrës së Bardhë

    Lakra e bardhë është e pasur me polifenolë, kalcium, magnez, hekur, fosfor, sulfur, kalium, jod si dhe vitaminat A, B1, B2, B6, C, K por edhe acid folik.

    Lakra përmban shumë polifenolë ose siç njihen ndryshe si antioksidantë që pakësojnë shfaqjen e sëmundjeve kancerogjene dhe atyre kronike.

    Mineralet e rëndësishme që përmban ky lëng e bëjnë atë të rëndësishëm në mbrojtjen e kokcave por edhe në uljen e tensionit të gjakut.

    Vitaminat që gjenden tek lakra dhe lëngu i saj janë të dobishme për sistemin riprodhues, atë imunitar, shëndetin e syve por edhe shëndetin e flokëve, lëkurës, mëlçisë, nervave, syve e shumë të tjera.

    Lakra është një burim i shkëlqyer i vitaminës C që e ndihmon organizmin të jetë më rezistent ndaj baktereve, radikaleve të lira dhe virozave.

    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, lakra përmban më shumë vitaminë C se portokallet, një karakteristikë që e bën lakrën të domosdoshme kundër shumë sëmundjesh.

    Lakra është një nga 10 ushqimet më të pasura me vitaminë K, e cila është thelbësore kundër sëmundjeve të zemrës dhe kockave.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Pufka me sherbet nga tradita e ëmbël Shqiptare

    Pufka me sherbet nga tradita e ëmbël Shqiptare

    Pufkat me sherbet janë një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare, fantastike për të ëmbëlsuar familjen e më të dashurit, por edhe për t’u servirur si gosti ndaj miqve.

    Receta e përgatitjes së tyre është trashëguar brez pas brezi nga amvisat shqiptare, ndërsa sot gjendet në çdo pastçeri të vendit.

    Receta për Pufka me sherbet është mjaftë e thjeshtë dhe nuk kërkon shumë mundim por shija delikate e tyre pasi janë përgatitur të përfshin tërësisht me ëmbëlsinë e saj.

    AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e pufkave krejt lehtë në shtëpi.

    Përgatitja e Pufkave në Shtëpi

    Përbërësit

    4 filxhan kafeje me niseshte

    4 kokërr vezë

    4 filxhan kafe me qumësht pluhur

    1 lugë e vogël kafeje me sobë buke

    Për Sherbetin

    1/2 -1 kg sheqer

    1 litër ujë

    Disa karafila

    Përgatitja  

    Si fillim rrahim vezët. Më pas, në një tas shtojmë qumështin pluhur, vezën e rrahur dhe niseshtenë.

    I përzjejmë mirë derisa masa e brumit të bëhet e njëtrajtshme. Brumi duhet të jetë i hollë.

    Shtrojmë një letër pjekjeje në një tavë dhe përmes një luge vendosim masën e brumit si toptha të vegjël një e nga një me rradhë në tavë.

    Kujdesemi që sa herë të marrim brumin me lugë, lugën më parë ta fusim në një gotë me ujë në mënyrë që brumi të mos ngjitet pas lugës.

    E fusim tavën me pufkat në furrën e parangrohur me 180 gradë. I lëmë të piqen për 15 minuta. Më pas i nxjerrim nga furra dhe i lëmë të ftohen.

    Ndërkohë përgatisim sherbetin. Hedhim në një tenxhere, ujin, sheqerin dhe karafilat, nëse dëshironi mund të shtoni edhe pak vanilje.

    Pasi sherbeti është gati shtojmë në të pufkat derisa të përthithin sherbetin nga të dyja anët dhe më pas i vendosim në një pjatancë.

    Nëse dëshironi sipër mund t’u shtoni arra ose bajame të thërrmuara imët, ose lëkura portokalli apo limoni të grira shumë hollë.

    Gjithashtu sipas dëshirës, pufkave mund t’u hidhni sipër edhe pak kanellë në momentin kur i servirni.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Speca të mbushura me lakër turshi/ Receta e shijes fantastike

    Speca të mbushura me lakër turshi/ Receta e shijes fantastike

    Turshi më fantastike se specat e mbushura me lakra nuk ka.

    Shija e tyre lezetos gjithë tryezën e çdo gatim në të sidomos tani në vjeshtë e dimër që po vjen por edhe gjatë gjithë vitit.

    Ideale për shoqërimin e supave e gjellrave të ndryshme, byrekëve apo mishrave të pjekur etj.

    AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e mrekullueshme të përgatitjes së specave të mbushura me lakër turshi.

    Një recetë e thjeshtë, e lehtë në përgatitje e që do t’ju kënaqë nepsin dhe oreksin përgjatë gjithë vitit.

    Përgatitja e Specave të Mbushura me Lakër Turshi

    Përbërësit

    3 kg speca

    1 lakër e madhe

    5-6 karrota

    Piper i zi kokërr

    200 ml uthull

    2 lugë gjelle kripë

    1 filxhan çaji vaj ulliri

    Përgatitja

    Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të ndani specat përgjysmë ose t’u hiqni kapakun me kujdes duke larguar njëkohësisht edhe farat.

    Vendosini në një enë të madhe, mbulojini me ujë të nxehtë dhe lërini mënjanë.

    Nga ana tjetër, AgroWeb.org ju udhëzon të grini lakrën, bashkë me karrotat, kriposini mirë, përzjeini dhe lërini të pushojnë përreth 1 orë.

    Më pas, kullojini lakrat nga lëngu i tyre dhe mbushni specat me to.  Lëngun e lakrave ruajeni për më vonë.

    Specat e mbushur me lakrat dhe karrotat e grira vendosini me rradhë në kavanoza qelqi, të cilët më parë duhet të jenë të sterilizuar.

    Shtoni në secilin prej kavanozave disa kokrra piperi të zi.

    Ndërkohë në një tenxhere, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni dy litra ujë dhe lëngun e lakrës që keni lënë mënjanë dhe vendoseni në zjarr të zjejë derisa uji të vlojë, shtoni njëkohësisht me ujin edhe uthullën dhe dy lugë gjelle kripë.

    Kur uji të vlojë shtoni dhe vajin e ullirit.

    Me masën e përgatitur, pasi të jetë ftohur mbushni secilin prej kavanozave ku keni specat e mbushur me lakrat dhe karrotat.

    Mbyllini kavanozët fort dhe tundini nga poshtë lart herë pas here. Ruhen në një vend të freskët dhe hapini pas 3-4 javësh.

    Burimi: AgroWeb.org