Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Receta

  • Byreçka të mbushura me gjizë dhe ullinj/ Të thjeshta, me shije dhe aromë të mirë

    Byreçka të mbushura me gjizë dhe ullinj/ Të thjeshta, me shije dhe aromë të mirë

    Byreçkat e mbushura me ullinj dhe gjizë janë një recetë shumë e lehtë dhe e shpejtë për t’u përgatitur.

    Kjo është një recetë ideale që do t’ju mbushë shtëpinë me shije dhe aromë të mirë.

    Për ta përgatitur nuk ka nevojë të përdorni asnjë lloj fryrësi buke ndaj dhe koha e përgatitjes së saj do të jetë shumë e shkurtër.

    Byreçkat mund të zgjidhni t’i mbushni me çfarë të dëshironi, por sot ju sugjerojmë mbushjen me gjizë dhe copa ullinjsh.

    Më poshtë keni hap pas hapi se si mund t’a përgatisni këtë recetë të mrekullueshme.

    Përbërësit 

    220 ml pana për gatim

    50 ml qumësht

    300 gr miell

    1 lugë kafe kripë

    100 gr gjizë

    Disa kokrra ullinj pa bërthamë

    Vaj për skuqje

    Përgatitja

    Në një enë të thellë hidhni panën, qumështin dhe kripën duke i përzier bashkë derisa kripa të shkrihet.

    Filloni të shtoni tek ena pak nga pak edhe miellin duke e trazuar me kujdes në mënyrë që të mos krijojë kokrriza.

    Kur të mbaroni të gjithë sasinë e miellit dhe masa e krijuar të ketë marrë formën e brumit hiqeni nga ena dhe filloni t’a punoni atë me duar.

    Sigurohuni që të spërkasni pak miell teksa punoni brumin në mënyrë që ai të mos ngjisë.

    Kur të shihni që brumi është gati me anë të një petësi shtroni një pëtë të madhe me trashësi  1 cm.

    Më pas me një gotë apo filxhan me diametër 8 cm filloni të prisni tek brumi forma rrethore.

    Ndërkohë mund të përgatisni edhe mbushjen duke përzier gjizën me ullinjtë e prerë në kubikë të vegjël.

    Në rrathët e brumit vendosni një nga një me anë të një luge të vogël mbushjen me gjizë.

    Më pas lyeni me pak qumësht buzët e brumit dhe palosini në formën e një gjysmëhëne.

    Kur te jeni duke i mbyllur byreçkat përdorni një pirun për të puthitur mirë brumin, por pa e çarë.

    Ngrohni vajin në një tigan të thellë dhe filloni të skuqni byreçkat.

    Kthejini herë pas here duke bërë kujdes të mos digjen dhe lërini në zjarr derisa të shikoni që kanë marrë një pamje të artë.

    Pas skuqjes vendosini në një letër thithëse në mënyrë që të hiqni vajin e tepërt.

    Sipas dëshirës mund të shtoni edhe pak kripë sipër dhe t’i konsumoni ato të ngrohta.

    Ju bëftë mirë!

  • Pasta Frola – Ëmbëlsira e preferuar e shqiptarëve

    Pasta Frola – Ëmbëlsira e preferuar e shqiptarëve

    Pasta Frola është një ndër ëmbëlsirat më të preferuara të shqiptarëve.

    E thjeshtë për t’u përgatitur, fantastike për t’u shijuar me një filxhan kafeje apo çaji në çdo kohë të ditës.

    Është ëmbëlsira ideale për të pritur miqtë dhe për të ëmbëlsuar më të dashurit në familje.

    Kjo ëmbëlsirë është shndërruar tashmë në një traditë të kuzhinës shqiptare.

    Pasta Frola në fakt është një tartë e përbërë nga një petë brumi e shkrifët e mbushur me reçelra të ndryshëm.

    Shija e kësaj ëmbëlsire është si ajo e një biskote të shkrifët të kombinuar me reçel.

    Përgatitja e kësaj ëmbëlsire do të shtonte edhe më shumë atmosferën duke e shijuar në familje apo mes miqsh.

    Receta tipike të përgatitjes së pastës Frola në shtëpi:

    Përgatitja e Pastës Frola në Shtëpi

    Përbërësit

    2 gota ujë me miell

    5 lugë gjelle sheqer

    2 filxhanë kafeje margarinë

    1 kokërr vezë

    Gjysmë luge kafeje me sodë

    5 lugë gjelle me kos

    Një tas mesatar me reçel (lloji i reçelit zgjidhet sipas preferencës)

    Përgatitja

    Në një tas të madh rrahim si fillim vezën, më pas shtojmë sheqerin dhe sodën, i përzjejmë dhe shtojmë kosin.

    Vijojmë përzjerjen derisa masa është bërë homogjene.

    Në vijim, masën e përgatitur e shtojmë nga pak tek mielli që kemi vendosur në një tas dhe përgatisim brumin me dorë.

    Pasi brumi është shndërruar në një masë të njëtrajtshme e hapim në tavolinën e punës në formën e një pete të trashë, e cila nuk duhet të jetë më e trashë se një centimetër.

    Para se të hapim petën kujdesemi që mënjanë të lëmë një masë brumi më vete, të cilën do ta përdorim për shiritat që do vendosim mbi tartë.

    Petën e përgatitur e vendosim në një tavë. Sipër saj shtrojmë masën e reçelit. Në fund marrim brumin që kemi lënë mënjanë, e ndajmë në shirita të hollë dhe e vendosim në formën e rombave (si në foto) mbi reçelin që kemi shtruar.

    Shiritat nëse dëshironi mund t’i lyeni me vezë me ndihmën e një furçe kuzhine.

    Piqet në furrë, derisa shiritat e sipërm të marrin ngjyrë të artë në të kuqërremtë përreth 40 minuta.

    Pritet në pjesë dhe serviret kur është e ftohtë.

  • Reçeli special me feta portokalli

    Reçeli special me feta portokalli

    Kjo është koha e duhur e vitit kur portokallet e freskëta fillojnë dhe mbushin tregjet kudo.

    Është e sigurt se agrumet e kësaj stine nuk janë produkte të ruajtura në frigorifer dhe as të trajtuara për të rezistuar gjatë.

    Është momenti më i mirë për të shfrytëzuar freskinë dhe vlerat e portokalleve.

    Pra, është koha më e mirë për të bërë reçel të shijshëm me feta portokalli të ëmbël.

    Kjo recetë realizohet shumë thjeshtë në kushtet e shtëpisë tuaj. Ndërkohë ju mundëson të ëmbëlsoni mrekullisht të afërmit dhe miqtë tuaj.

    Përbërësit e recetës së reçelit me feta portokalli

    5-6 Portokalle të madhësisë mesatare

    Rreth 1 kg sheqer

    Lëng i shtrydhur nga 2 kokrra portokalli

    Pak vanilje

    2 lugë gjelle me lëng limoni të shtrydhur

    Përgatitja e Portokalleve

    Me ndihmën e një rendeje qërojmë vetëm sipërfaqen e cipës së portokalleve kokërr pa nxjerrë krejtësisht në pah tulin e bardhë poshtë lëkurës.

    Vendosini portokallet e qëruara në një tenxhere plot me ujë të nxehtë dhe lërini të vlojnë dy herë nga 15 minuta, duke ndërruar ujin çdo herë.

    Kjo lehtëson njëtrajtësimin e tulit në brendi të portokallit dhe eliminimin e hidhësisë së mundshme.

    Hiqini nga zjarri, kullojini dhe lërini të ftohen. Më pas, prisni portokallet në feta me trashësinë e një gishti.

    Në një tenxhere të pastër me fund të gjerë, vendosni fetat e portokalleve, hedhim lëngun e përgatitur të 2 portokalleve të shtrydhura dhe i mbulojmë me një shtresë të hollë me sheqer.

    Lërini ashtu jashtë frigoriferit gjatë gjithë natës duke e mbuluar enën me një pecetë të pastër.

    Përgatitja e Reçelit

    Në një tenxhere hedhim sheqerin dhe ujin. Masat e ujit do jetë 500 ml ujë për një kilogram sheqer.

    I lëmë të zjejnë dhe kujdesemi të heqim shkumën e cila nis të krijohet gjatë procesit të zjerjes.

    Pasi kemi hequr shkumën dhe shurupi trashet në formën e sherbetit hedhim brenda enës fetat me portokalle.

    Procesi i fundit 

    I lëmë të zhytura në shërbet derisa të nisin zjerjen. Gjatë procesit kujdesemi që të heqim shkumën.

    Nga momenti që nis zjerja e lëmë përreth 20-30 minuta në zjarr.

    Më pas e heqim nga zjarri dhe e lëmë në tenxhere. Pasi të ftohet masa, gjykoni nëse duhet ta vini përsëri në vlim për disa minuta sipas dëshirës për ta pasur shërbetin më të hollë ose më të trashë.

    Më pas, hedhim lëngun e limonit dhe e trazojmë.

    E heqim nga zjarri dhe pasi ftohet shtojmë vaniljen. Mund të përdorni edhe pak kanellë, karafila të thatë, ose disa gjethe barbaroze të freskët.

    Pasi ta trazoni përfundimisht kalojeni reçelin në kavanoza të sterilizuar dhe të ngrohtë.

    Kthejini kavanozat e mbyllur fort me kokë poshtë derisa të ftohen plotësisht. Pas hapjes së parë, është mirë që kavanozin ta mbani në frigorifer.

    Ëmbëlsohuni me një a dy feta të tilla reçeli në ditë që të mos e mbaroni sasinë sa hap e mbyll sytë.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Limonadë me erëza/ Receta që përshpejton tretjen dhe eliminon urinë

    Limonadë me erëza/ Receta që përshpejton tretjen dhe eliminon urinë

    Limonadat janë karkeristikë e verës, por kjo që do ju tregojmë në recetën e sotme ka shijen e pangatrrueshme të erëzave.

    E pasur me erëza e fara të cilat e bëjnë të parezistueshme për shqisat, kjo përzierje është po aq interesante sa ka dhe emrin.

    Erëzat ruajnë sekret aromat e tyre të veçanta, por edhe vlerat për shëndetin, duke ju përshpejtuar metabolizmin dhe ulur oreksin.

    Çaj apo limonadë si do ta quanit ju pasi të lexoni përgatitjen e veçantë të saj?

    Ndiqni këto këshillat dhe provojeni edhe ju në shtëpiat tuaja.

    Përbërësit

    12 fara kardamom

    1 lugë çaji fara finoku

    Gjysmë luge piper i zi

    Gjysmë luge fara koriandre

    Gjysmë luge fara karafili

    1 shkop kanelle

    3 lugë gjelle xhenxhefil i grirë i freskët

    125 gr sheqer

    125 ml ujë

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj pije ndizni furrën në temperaturën 180 gradë.

    Merrni farat e kardamomit bashkë me piperin e zi dhe shtypini imët.

    Ndërkohë vendosni të gjithë erëzat e tjera përveç xhenxhefilit në një tavë dhe futini të piqen në furrë në temperturën 180 gradë për 5 minuta.

    Më pas ndizni zjarrin dhe shtoni në një enë të thellë të gjith erëzat e pjekura, xhenxhefilin, kardamomin, piperin e zi, sheqerin.

    Shtoni ujin dhe vendoseni të ziejë të gjithë këtë masë për 5-10 minuta duke e përzier herë pas here.

    Mbani në mendje që sa më shumë ta përzieni aq më e fortë do të jetë shija përfundimtare.

    Lëreni në zjarr për kohën e caktuar pa e lejuar të trrashet e më pas kullojeni dhe hidheni në një enë qelqi.

    Futeni në frigorifer dhe mund ta konsumoni sipas dëshirës.

    Kjo pije mund të konsumohet deri në 6 muaj pas përgatitjes.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Ëmbëlsirë e veçantë/ Kek me të bardhat e vezëve dhe kafe

    Ëmbëlsirë e veçantë/ Kek me të bardhat e vezëve dhe kafe

    Nëse jeni lodhur nga recetat e zakonshme të kekut, me qumësht, vezë e kos, ju themi menjëherë se ky kek është ndryshe.

    Me aromë të veçantë kafeje dhe me lehtësinë e butësinë që dhuron shkuma e të bardhës së vezës, ky kek do ju rrëmbejë shumë shpejt të gjithë shqisat dhe zemrën.

    Nëse preferoni shijet e balancuara, pa shumë sheqer apo sherbet, këtë recetë duhet ta provoni patjetër.

    Ndiqni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tij dhe shijojeni në shtëpitë tuaja.

    Përbërësit

    70 ml kafe

    250 ml të bardha vezësh

    170 gr sheqer

    120 gr vaj luledielli

    170 gr miell 00

    8 gr maja për ëmëblsira

    Bajame

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e këtij keku si fillim përgatisni kafen dhe lëreni të ftohet në temperaturë ambienit.

    Më pas në një enë shtoni të gjithë të bardhat e vezëve dhe përziejini me një rrahës elektrik.

    Përziejini ato derisa të formohet shkuma e bardhë klasike e të bardhave të vezëve.

    Në një tjetër enë shtoni sheqerin, vajin e lulediellit, kafen e ftohur dhe përziejini të gjitha bashkë derisa të formohet një masë e njëtrajtëshme.

    Po këtu pak nga pak shtoni edhe miellin bashkë me majanë për ëmbëlsira duke përzier vazhdimisht në mënyrë që të formohet një masë brumi.

    Tani shtoni tek brumi shkumën e të bardhave të vezëve që krijuar më parë.

    Shtojeni pak nga pak dhe përzieni në mënyrë që brumi të lidhet e të jetë sa më homogjen dhe jo shumë I ujshëm.

    Pasi ta keni përzier brumin mirë nga poshtë lart, hidheni në një tavë me vrimë në mes dhe diametër 24 cm të cilën është mirë që ta lyeni me pak vaj e miell përpara.

    Në këtë mënyrë keku nuk do të ngjitet dhe do të dalë me lehtësi nga tava.

    Pasi ta keni shtruar kekun të gjithin në tavë, sipër grijini disa copëza bajamesh dhe futeni të piqet.

    Piqeni për 35 minuta në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë C.

    Kur të keni marrë ngjyrë të artë të lehtë, nxirreni nga furra dhe spërkateni me pak sheqer pluhur për ta konsumuar menjëherë.

  • Zupa shtëpie me vanilje me aromë dhe shije të mrekullueshme

    Zupa shtëpie me vanilje me aromë dhe shije të mrekullueshme

    Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me biskota për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.

    E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.

    Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.

    Një shije krejt tjetër, me aromë fantastike, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, biskotat e thërrmuara por edhe arrat si gjithashtu.

    Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.

    Përgatitja e Zupave në Shtëpi

    Përbërësit 

    1.5 litra qumësht

    2 të verdha veze

    9-10 lugë sheqer

    7 lugë niseshte

    2 lugë kafeje vanilje

    1 pako biskota të thjeshta të thërrmuara

    Një grusht arra të thërrmuara

    Kanellë

    Përgatitja

    Si fillim, në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

    Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy të vërdheat e rrahura të vezëvem sheqerin dhe niseshten.

    Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.

    Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.

    E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.

    I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

    Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë me biskota të thërmuara por edhe arra nëse preferoni.

    Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta.

  • Receta fantastike të petullave me mollë/ Të shpejta dhe plot shije

    Receta fantastike të petullave me mollë/ Të shpejta dhe plot shije

    Petulla me mollë – Është një recetë fantastike, me një shije të lehtë, të ëmbël e që përgatitet në shumë pak kohë. Kombinimi i petullave me mollë është ndër recetat më të shijshme e cila pa dyshim tërheq nepsin e oreksin e të vegjëlve dhe më të rriturve në familje.

    Përgatitja e tyre kërkon përbërës të thjeshtë por shija që të ofrojnë është sa speciale aq edhe e veçantë.

    Më poshtë do të gjeni recetën unike të përgatitjes së petullave me mollë krejt lehtë në shtëpi.

    Përgatitja e Petullave me Mollë në Shtëpi

    Përbërësit

    1 gotë miell

    3-4 kokrra mollë

    1/2 lugë kafeje me sheqer

    1/2 lugë kafeje me sodë buke

    1/2 lugë kafeje me kripë

    1 gotë qumësht

    1 kokërr vezë

    Sheqer  për spërkatjen e petullave

    Kanellë

    Përgatitja

    Në një tas të hidhni miellin, kripën, sodën e bukës dhe sheqerin. Trazojini që të përftoni një masë të vetme.

    Në një tas tjetër hedhim vezën dhe gotën e qumështit, e rrahim deri sa masa të jetë bashkuar plotësisht.

    Më pas fillojmë dhe shtojmë masën e miellit të përzierë me kripë, sheqer dhe sodë, duke e trazuar gjatë gjithë kohës në mënyrë që të mos mbetet mielli i patretur.

    Masa që duhet të arrijmë është një brumë pak më i hollë se ai i petullave tradicionale, dhe pak më i fortë se ai i palaçinkave.

    Në vijim, merrni mollët dhe t’u hiqni pjesën e brendshme të farave. Pritini në rrathë jo më shumë se 1 cm.

    Në një tigan pak të thellë, hedhim 2-3 filxhanë me vaj dhe e vendosim ne zjarr të lartë.

    Fetat e mollës i zhysim në brumin e përgatitur dhe i skuqim në tigan. Duke treguar kujdes që t’i kthejmë nga të dyja anët.

    Pasi i heqim nga tigani, është mirë që t’i vendosim në një pjatë me letër kuzhine, që të thithet yndyra e tepërt.

    Në një pjatë tjetër kemi përzier sheqerin me kanellën, aty kalojmë të gjitha petullat , sa të krijohet një shtresë në të dy anët.

    Është e mira që të jenë pak të ftohura (jo direkt nga tigani) që të mos shkrijë sheqeri.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Kinoa me perime/ Pjata e shëndetshme për rënien nga pesha

    Kinoa me perime/ Pjata e shëndetshme për rënien nga pesha

    Nëse po kërkonit një recetë të lehtë e cila ju ndihmon për të ruajtur linjat, ato që ju vijnë në mendje janë perimet e ziera.

    Po sado të mira që të jenë e plot vlera, vjen një moment që perimet e ziera bëhen të bezdishme.

    Kjo pjatë që ju këshillojmë ka shije perfekte por në të njëjtën kohë ju ndihmon me rënien nga pesha.

    Besoj do të keni dëgjuar për kinoan, ajo konsiderohet si mbretëresha e të gjithë drithrave.

    Plot vlera për shëndetin ajo ju mban të ngopur më gjatë, e bashkë me perimet që do t’ju duhen ju japin plot vitamina dhe minerale.

    Përbërësit:

    Kinoa 200 g

    Kërpudha 100 g

    Speca të kuq 70 g

    Speca të verdhë 70 g

    Kungulleshka 150 g

    Qepë e kuqe 100 g

    Ujë 400 g

    Vaj ulliri

    Mente

    Kripë

    Piper i zi

    Përgatitja

    Për të nisur përgatitjen e kësaj recete, duhet të filloni me pastrimin e qepëve të kuqe.

    Qërojini dhe pritini në feta sa më të holla që të mundeni.

    Vazhdoni me prerjen e specit të kuq duke u siguruar që të largoni që të gjitha farat e tij.

    Priteni në shiritatë vegjël dhe vendoseni në një tas.

    Po në të njëjtën mënyrë prisni edhe specin e verdhë, dhe lëreni bashkë me të kuqin.

    Pasi të keni hequr bishtat e kungulleshkave pritini në kubikë të vegël.

    Ndërkohë kërpudhat pastrojini mirë dhe pritini në feta normale.

    Pasi nëse mundoheni që t’i prisni më hollë, kërpudhat do të humbasin formën e tyre.

    Në nëj tigan hidhni pak vaj ulliri dhe lëreni të ngrohet.

    Të parat që do të skuqni janë qepët e kuqe, AgroWeb.org ju këshillon që zjarrin ta lini të ulët.

    Pasi qepa të ketë ulur volumin e saj hidhni pak ujë dhe lërini të ziejnë për një ose dy minuta.

    Tani shtoni specat dhe lërini sat ë zbuten pak para se të shtoni kungulleshkat dhe kërpudhat.

    Bëni kujdes për radhën e gatimit të perimeve, pasi nëse e ndryshoni perimet nuk do të jenë të gatuara siç duhet.

    Lërini në zjarr që të gjitha perimet për 5 minuta dhe jepuni shije me kripë dhe piper.

    Tani AgroWeb.org ju sugjeron që të përgatisni kinoan.

    Shpëlajeni mirë me ujë të bollshëm, lëreni të kullojë ndërkohë që keni ngrohur pak vaj ulliri në një tenxhere.

    Hidheni aty kinoan dhe jepini një të skuqur te lehtë.

    Përziejeni me një lugë druri në mënyrë që të mos ngjitet në fundin e tenxheres.

    Hidhini kripë sipas dëshirës suaj, edhe pse AgroWeb.org ju sugjeron që këtu ta shmangni kripën për të përgatitur një pjatë të shëndetshme.

    Tani shtoni ujin dhe lëreni që kinoa të ziejë plotësisht.

    Kur të shihni që uji të jetë ëprthithur i gjithi nga kinoa, atëherë ju mbetet vetëm të kryeni hapin e fundit.

    Bashkoni perimet që përgatitët më parë dhe spërkateni me pak vaj ulliri dhe mente të grirë për t’i dhënë aromën e freskisë.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Pleskavica tradicionale/ Shije fantastike!

    Pleskavica tradicionale/ Shije fantastike!

    Një vizitë në Prizren, Pejë apo Prishtinë nuk mund të imagjinohet pa shijen e mrekullueshme të pleskavicës.

    Një lloj qofteje e madhe hamburgeri e pjekur në skarë që shoqërohet  me pite, djathë, salca picante, patate të skuqura, spec djegës, sallatë dhe kastraveca turshi.

    Ky lloj hamburgeri i përhapur gjërësisht në mbarë Ballkanin konsiderohet një konkurent superior dhe më i shëndetshëm se çdo lloj panine tjetër e mbushur që serviret në rrjetet e famshme të vendeve perëndimore.

    Pleskavica është një qofte e madhe me mish viçi e shtypur me dorë dhe e pjekur në skarë.

    Atë mund ta gjeni në çdo restorant apo shtëpi të Kosovës.

    E mira e këtij ushqimi është se nuk gjen dy pleskavica të njëjta.

    Secila prej tyre është e ndryshme dhe e përshtatshme me dëshirën dhe preferencën e atij që e gatuan, ajo mund të jetë e mbushur me djathë kaçkavall ose pa asgjë.

    Ndonjëherë, pleskavica përmban edhe kërpudha.

    Ajo konsiderohet  një ushqim i shpejtë, por mund të serviret edhe në restorantet më ekskluzive.

    Së fundmi, Pleskavica ka fituar shumë popullaritet edhe në vendet e Evropës dhe serviret në disa restorante në Gjermani, Angli dhe Zvicër.

    Receta e Pleskavicës

    Përbërësit:

    500 gramë mish të grirë viçi ose lope

    1 qepë e grirë hollë

    2 thelpinj hudhër

    1 lugë çaji me piper të kuq pluhur

    Kripë dhe piper të zi

    Pite rrumbullake për servirje

    Vaj, nëse do ta gatuani në tigan dhe jo në skarë

    Përgatitja

    Merrni një enë të thellë dhe përzieni mishin e grirë, qepët, hudhrën, piperin e kuq, të zi dhe kripën.

    Përzierjen duhet ta bëni me dorë në mënyrë që ajo të jetë sa më e plotë dhe e njëtrajtshme.

    Enën mbulojeni me letër kuzhine dhe mbajeni në frigorifer për disa orë.

    Kur të jeni gati për ta gatuar, atëherë mbushni një enë tjetër me ujë që të mbani duart e lagura sa herë që t’i jepni formë mishit.

    Duart e lagura parandalojnë edhe ngjitjen e mishit nëpër duar.

    Merrni mish në pëllëmbë të dorës dhe jepini formën rrumbullake e të sheshtë.

    Trashësia e qoftes duhet të jetë maksimumi 0.5 cm.

    Vendosini qoftet e mëdha në një tepsi, mbulojini me një letër transparente dhe vendosini në frigorifer për një orë.

    Nëse do të përdorni skarën apo tiganin, pleskavicat kërkojnë një gatim të shkurtër me nga 5 minuta për secilën anë.

    Temperatura nuk duhet të jetë shumë e lartë që mishi të mos digjet dhe në brendësi të jetë i pagatuar.

    Pasi qoftet të jenë pjekur, hapini pitet në dysh me një thikë dhe mbushini me turshi, qepë, speca dhe qoften e gatuar.

    Sipas preferencës mund të shtoni edhe djathë, e patate të skuqura.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Pastiço me kungulleshka/ Receta e lehtë dhe me aromë fantastike

    Pastiço me kungulleshka/ Receta e lehtë dhe me aromë fantastike

    Pastiço është një gatim i thjeshtë si në përgatitje ashtu edhe në shije.

    Nuk duhen shumë përbërës dhe zotësi për ta servirur gati në tryezë në fare pak kohë.

    Megjithatë pikërisht shija e thjeshtë është ajo që e bën edhe më të kërkuar e të dashur për çdo anëtar të famijes.

    Përgatitet me makarona, qumësht, djathë dhe vezë, por në recetën e sotme do t’ju shpjegojmë një shije ndryshe nga ajo tradicionalia.

    Pa përdorur fare makarona, në këtë recetë do të provoni pastiço me kungulleshka dhe mish të grirë.

    Pastiço me kungulleshka ka një shije të veçantë e njëkohësisht shumë të dashur për këdo që e provon.

    Kungulleshkat do t’i japin një shije të lehtë  dhe më interesante pastiços së zakonshme, ndaj ndiqeni përgatitjen e saj më poshtë.

    Përbërësit

    500 gr kungulleshka

    130 gr mish i grirë

    2 domate mesatare

    100 ml krem qumështi ose pana

    2 vezë

    150 ml qumësht

    60 gr djathë kaçkavall

    30 gr djathë kaçkavall i grirë

    1 thelbi hudhër

    arrë moskat

    borzilok

    rigon

    vaj ulliri

    kripë

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të vini mishin e grirë të skuqet në një tigan me pak vaj.

    Më pas lani dhe prisni kungulleshkat në katrorë të vegjël.

    Hidhini edhe ato të skuqen në një tigan, bashkë me pak vaj ulliri dhe 1 thelbi hudhër.

    Në fund shtoni edhe domatet e grira në rende dhe lërini ne zjarr derisa të ketë avulluar plotësisht uji i tyre.

    Gatuajini të gjithë këta përbërës duke i shtuar pak borzilok dhe rigon për aromë të mirë.

    Bëni kujdes që të mos i zbusni shumë kungulleshkat, pasi ato duhet të jenë krokante.

    Ndërkohë në një enë të pastër hidhni vezët, kremin e qumështin (panën), qumështin, kripën dhe pak pluhur arre moskat.

    Përzjejini mirë të gjithë këta përbërës, derisa të përfitoni një masë të lëngshme e të njëtrajtshme.

    Zgjidhni më pas një tavë pjekje mesatare, të thellë rreth 20 cm dhe shtroni me kujdes mishin dhe kungulleshkat.

    Shtoni po aty edhe përzierjen e qumështit me vezët që përgatitët më parë dhe djathin kaçkavall e prerë në katrorë të vegjël.

    Përzjejini me kujdes të gjithë këta përbërës në tavë dhe më pas shtoni pak djathë të grirë kaçkavall sipër.

    Futeni tavën në furrë të parangrohur për 30 minuta në temperaturë 180 gradë C.

    Bëni kujdes që në 5 minutat e fundit të ngrini pak temperaturën e furrës në mënyrë që të piqet pjesa e sipër e tavës.

    Kur të shikoni që ka marrë ngjyrë të artë dhe është pjekur, nxirreni nga furra dhe shërbejeni të ngrohtë pastiçon tuaj të veçantë.

    Burimi: AgroWeb.org