Derbi i kryeqytetit po afron dhe për Partizani-n sfida ndaj Tiranës merr edhe më shumë rëndësi. Fitorja është objektivi i të kuqve, në një moment kur skuadra kërkon të reagojë pas javëve të para të kampionatit dhe të lërë pas rezultatet negative.
Pauza trejavore i ka shërbyer trajnerit Florin Bratu për të punuar me grupin dhe për të korrigjuar problemet e shfaqura në ndeshjet e para. Tekniku tashmë ka në dispozicion pothuajse të gjithë kontingjentin, me Prekën që mbetet mungesa e vetme.
Por përgatitjet për derbin nuk kanë vetëm çështje sportive. Rikonstruksioni i kompleksit të klubit ka bërë që Partizani të kërkojë alternativa për zhvillimin e seancave stërvitore. Të kuqtë kanë zhvilluar përgatitjet në ambientet e Federatës, por angazhimet e kombëtareve të moshave kanë sjellë nevojën për një tjetër zgjidhje.
Në tre ditët e fundit para derbit, Partizani mund t’i zhvillojë seancat stërvitore në Cërrik, në stadiumin “Nexhip Trungu”. Pra, të kuqtë mund ta përfundojnë përgatitjen jashtë kryeqytetit, ndërsa e gjithë vëmendja është e përqendruar te sfida me Tiranën. Një situatë jo e zakonshme në prag të derbit, me Partizanin që kërkon qetësinë dhe përqendrimin maksimal