Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, theksoi se humbja përballë Skënderbeut kishte ardhur pas një dite “jo” të ekipit të tij.
“Unë mendoj se nuk u futëm në lojë që në fillim. Ishim akoma në udhëtim dhe mendonim se do ta fillonte më vonë ndeshja. Djemtë e kuptuan, por ne nuk jemi makineri që ndizemi dhe fikemi me buton. Ishte një ditë jo, filluam me golin e pësuar në goditjet standarde, të cilat rrallë i gabojmë, por ja që sot gabuam.
U munduam të futeshim në ndeshje, por ritmi i ndeshjes ishte i ulët, kishte ndalesa pa fund. Kartoni i Aleksit na penalizoi. U munduam të bënim zgjedhjet tona, të mbanim në minimum goditjet nga kundërshtari, por edhe të menaxhonim forcat, sepse kemi edhe ndeshje të tjera përpara.
Nuk u përshtatëm dot. Ndoshta me nivelin e fushës mund të duket e bukur, por do kohë ta marrë veten. Nuk na penalizoi në 100% të ndeshjes sonë, por nuk po hynim në ritmin e ndeshjes. Kjo fushë dhe kjo përballje donin dyluftime dhe karakter. Djemtë u munduan të tregonin karakter, por në dyluftime nuk hymë si duhet, nuk ishim mendërisht si duhet.
Në fund, e rëndësishme është të kuptojmë që të gjithë gëzojnë kur arrijnë të na godasin apo të na mundin. E dimë, e presim, por në fund duhet ta pranojmë garën, që do të ketë edhe ditë të këqija tonat. Ndërsa nëse bëjmë disa gjuajtje, por në kuadrat vetëm një, do të thotë që diçka nuk shkon në mënyrën se si e kishim interpretuar ndeshjen në mendjen tonë. Nga unë i pari, si trajner.
Në mënyrën si markojmë kemi një pikë tjetër tonën. Nuk shkojmë në markim personal, jemi miks në zonë dhe ai që markon duhet të nxjerrë jashtë trajektores, pastaj ka edhe zonalë. Ne gabuam në grup, jo se gaboi individi. Në fund penalizohemi, sepse gabimet janë kolektive. Kjo është mënyra se si e interpretoj unë gjithmonë ndeshjen. Interpretimi jo i mirë i ndeshjes nga djemtë është gjithmonë përgjegjësi e trajnerit.
A ndikoi Europa? Jo, fare, të them të vërtetën. Djemtë e kanë treguar, ne kemi humbur edhe ndeshje të tjera. Nuk është se do të fitojmë çdo gjë, do të ketë edhe ditë të këqija si e sotmja. E rëndësishme është që djemtë kanë treguar që nuk bëjnë asnjëherë dy gabime. Është e rëndësishme Conference League, por për mua më i rëndësishëm është kampionati. Sot nuk ia dolëm dot, duhet të pranojmë paaftësinë tonë për të bërë më mirë. Mund të gjejmë shkaqe pa fund, por më mirë t’i gjejmë te vetja sesa te të tjerët”, tha Dede për RTSH pas ndeshjes.