Humbje që dhemb për Egnatian, Skënderbeu merr tri pikë të arta

by KLIKOJE.AL

Surprizë në Korçë! Skënderbeu ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme ndaj Egnatias, duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0 dhe duke i dhënë një tjetër zhvillim garës për kreun e “Abissnet Superiore”.

Heroi i takimit për vendasit ishte Lagonidis, i cili gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e dytë, duke i dhënë avantazhin skuadrës korçare. Pas golit, Skënderbeu administroi me kujdes lojën, ndërsa në disa momente krijoi mundësi të tjera për të thelluar rezultatin.

Situata u komplikua edhe më shumë për miqtë në fundin e pjesës së parë. Kapiteni Albano Aleksi u ndëshkua për herë të dytë me karton të verdhë, duke lënë Egnatian me një lojtar më pak për gjithë fraksionin e dytë.

Pavarësisht përpjekjeve pas pushimit, rrogozhinasit nuk arritën të ndryshonin fatin e takimit. Kampionët në fuqi tentuan të reagonin, por Skënderbeu u tregua i kujdesshëm dhe ruajti avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.

Për korçarët pati edhe një shqetësim gjatë ndeshjes, pasi portieri Dobiani u detyrua të largohej për shkak dëmtimi, duke i lënë vendin Alisë.

Kjo humbje mund të rezultojë e kushtueshme për Egnatian, e cila mbetet në kuotën e 27 pikëve. Diferenca mund të ngushtohet në varësi të rezultatit të Teutës në përballjen me Laçin në Rrogozhinë.

Në krahun tjetër, Skënderbeu merr tri pikë me shumë peshë, ngjitet në vendin e tretë me 17 pikë dhe konfirmon se gara në këtë sezon të Superiores mbetet më e hapur se kurrë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.