Vllaznia po përjeton një nga ditët më të trazuara të sezonit, me situatën në klubin shkodran që ka marrë një tjetër kthesë. Pas bojkotit të lojtarëve, të cilët refuzuan të zbresin në stërvitje për shkak të pagave të prapambetura, në klubin kuqeblu ka shpërthyer edhe një tjetër situatë e paqartë, këtë herë në drejtimin sportiv. Gjatë ditës u përhap lajmi se Vioresin Sinani kishte dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit sportiv të Vllaznisë, ndërsa në vendin e tij ishte emëruar Alban Hasani.
Por vetë Sinani ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Në një prononcim për mediat lokale, ai ka bërë të ditur se nuk ka dhënë dorëheqjen dhe se vijon të jetë nën kontratë me klubin shkodran.
“Nuk është e vërtetë që kam dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit sportiv. Mund të them vetëm që jam nën kontratë me ekipin, me klubin Vllaznia dhe kaq”, është shprehur Sinani.
Kështu, në një ditë ku Vllaznia u përball fillimisht me bojkotin e futbollistëve për shkak të problemeve financiare, tashmë situata është komplikuar edhe më tej me paqartësinë në drejtimin sportiv. Lajmi për largimin e Sinanit dhe emërimin e Alban Hasanit krijoi jo pak reagime, por deklarata e drejtorit sportiv e lë situatën të mbuluar nga pikëpyetjet.