Dy probleme në një ndeshje për Çelën! Pogradeci humbet titullarin, dëmtohet edhe sulmuesi

by KLIKOJE.AL

Goditje e fortë për Pogradecin dhe trajnerin Emiljano Çela! Skuadra liqenore, që ka nisur sezonin në mënyrë mjaft pozitive dhe aktualisht kryeson renditjen e Kategorisë së Parë, duhet të bëjë llogaritë pa një prej titullarëve të saj. Bëhet fjalë për Sergeso Gecin, i cili ka pësuar një dëmtim serioz në shpatull dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën dy muaj.

25-vjeçari iu bashkua Pogradecit gjatë kësaj vere, pas aventurës te Vora, dhe shumë shpejt u shndërrua në një futbollist të rëndësishëm për formacionin e Çelës. Geci ka dhënë kontribut në të dyja fazat e lojës, ndërsa ka lënë gjurmën e tij edhe në tabelën e golashënuesve. Mbrojtësi ishte autor i golit të parë në fitoren e rëndësishme 0-3 ndaj Kukësit, një rezultat që konfirmoi ambiciet e Pogradecit në këtë sezon.

Tashmë, Çela duhet të gjejë zgjidhjet e duhura për të përballuar mungesën e titullarit deri në fund të vitit kalendarik. Një mungesë që vjen në një moment delikat, pasi Pogradeci ka nisur sezonin në mënyrë shumë të mirë dhe pas katër javësh kampionat kryeson me 8 pikë. Por problemet për teknikun e liqenorëve nuk u ndalën vetëm te Geci.

Në sfidën e sotme ndaj Delvinës, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, shqetësim ka shfaqur edhe sulmuesi Frimpong. 25-vjeçari nuk mundi ta vazhdonte takimin dhe në minutën e 41-të u zëvendësua nga Çinedu, për shkak të një dëmtimi. Në një moment kur Pogradeci po kërkon të konsolidohet në krye dhe të vazhdojë rrugëtimin në Kupë, Çela duhet të presë tashmë edhe verdiktin për gjendjen e Frimpong, ndërsa mungesa e Gecit është konfirmuar si një shqetësim serioz për skuadrën.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.