Përplasja te Vllaznia merr një tjetër përmasë! Pas bojkotit të stërvitjes nga futbollistët ditën e sotme, klubi shkodran ka reaguar duke marrë masa disiplinore ndaj lojtarëve që refuzuan të dilnin në fushë.Futbollistët, të cilët kanë të paktën katër muaj pa marrë pagat, vendosën të bojkotojnë seancën stërvitore si formë proteste ndaj situatës financiare në klub.
Por përgjigjja e Vllaznisë ka qenë e menjëhershme. Klubi ka njoftuar përmes email-it lojtarët që bojkotuan se janë gjobitur, ndërsa veprimi i tyre është konsideruar si shkelje disiplinore.Por paralajmërimi i klubit nuk ndalet këtu. Futbollistët janë bërë me dije se do të përballen me gjoba të tjera nëse nuk rikthehen në stërvitje ditën e nesërme.
Kështu, situata te kuqeblutë duket se po hyn në një fazë edhe më të tensionuar. Nga njëra anë janë lojtarët që kërkojnë pagat e prapambetura, ndërsa nga ana tjetër klubi ka zgjedhur të reagojë me masa disiplinore ndaj bojkotit. Mbetet për t’u parë nëse futbollistët do të rikthehen në stërvitje nesër apo nëse konflikti mes palëve do të thellohet edhe më tej.