Eksod te Elbasani, pas Loukilit largohet edhe një tjetër mesfushor: Falenderoj stafin dhe tifozët

by KLIKOJE.AL

Një tjetër largim i rëndësishëm regjistrohet te Elbasani në prag të sezonit të ri. Pas mbylljes së aventurës së tij me verdheblutë, Isi Manellari ka surprizuar tifozët duke njoftuar largimin përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

Mesfushori 28-vjeçar, i lindur në Pogradec, i dha fund eksperiencës njëvjeçare me Elbasanin, skuadër me të cilën ishte kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit. Në mesazhin e tij të lamtumirës, Manellari falënderoi drejtuesit, stafin, shokët e ekipit dhe tifozët për mbështetjen gjatë gjithë sezonit.

“Pas 1 viti të mrekullueshëm, rrugëtimit tim te AF Elbasani i erdhi fundi. Dua të falënderoj drejtuesit e klubit dhe stafin për besimin që më dhanë, çunat e ekipit për emocionet që kemi kaluar dhe sigurisht tifozët e zjarrtë që na mbështetën në çdo moment”, shkruan futbollisti.

Manellari iu bashkua Elbasanit verën e kaluar pas eksperiencës me Laçin dhe arriti të fitonte shpejt besimin e stafit teknik. Gjatë sezonit ai regjistroi 39 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke kontribuar me dy asistime dhe duke qenë një nga lojtarët me më shumë minuta në fushë, afro 3000 në total.

Por ndryshimet në organikën e Elbasanit nuk ndalen këtu. Nga skuadra është larguar edhe mesfushori Loukili, një tjetër element i rëndësishëm i sezonit të fundit. Kështu, verdheblutë humbasin dy futbollistë me peshë në repartin e mesfushës, ndërsa drejtuesit pritet të lëvizin shpejt në merkato për të plotësuar boshllëqet e krijuara.

Me pjesëmarrjen në Conference League dhe objektiva ambicioze në kampionat, Elbasani po hyn në një fazë të rëndësishme rindërtimi, ndërsa tifozët presin të mësojnë emrat që do të zëvendësojnë Manellarin dhe Loukilin në sezonin e ri.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

1 comment

Partizani ndez merkaton me sulmuesin 16/06/2026 - 18:51

[…] LEXO ME SHUME:Eksod te Elbasani, pas Loukilit largohet edhe një tjetër mesfushor: Falenderoj stafin dhe tifozët […]

Comments are closed

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.