Egnatia ka gjetur zgjidhjen për të mbuluar mungesën e Eljon Sotës në aventurën europiane. Pas dëmtimit të rëndë që pësoi në sfidën ndaj Teutës, mbrojtësi do të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme, duke detyruar drejtuesit rrogozhinas të ndërhyjnë në listën e UEFA-s. Kampionët e Shqipërisë kanë vendosur që vendin e tij ta zërë Ledio Beqja.
Dëmtimi i Sotës erdhi në një moment delikat për skuadrën e Nevil Dedes, e cila është e impenjuar në dy fronte, kampionat dhe Europë. Megjithatë, rregullorja e UEFA-s u jep mundësinë klubeve të bëjnë një zëvendësim në listën europiane në rastet kur një futbollist pëson një dëmtim të rëndë dhe pritet të qëndrojë jashtë për të paktën 60 ditë.
Kështu, Egnatia ka përzgjedhur Ledio Beqjan për të marrë vendin e Sotës në listën e Ligës së Konferencës. Për këtë pozicion ishin në diskutim edhe emra të tjerë si Deivid Hoxha, Zyber Çullhaj, Bjorni Duka dhe Reis Bakalli, por në fund zgjedhja ka qenë 25-vjeçari.
Beqja iu bashkua Egnatias gjatë merkatos së verës, në muajin korrik. Pas një periudhe të vështirë për shkak të dëmtimeve, mbrojtësi është rikuperuar plotësisht dhe në dy javët e fundit ka nisur të fitojë minuta në dispozicion.
Tashmë ai do të ketë mundësinë të jetë pjesë e aventurës europiane të rrogozhinasve, të cilët më 5 nëntor do të përballen me Universitatea Craiova. Takimi, i vlefshëm për raundin e tretë të Ligës së Konferencës, do të nisë në orën 21:00.