Egnatia ka marrë një barazim 1-1 në transfertën ndaj Petrokub, në sfidën e parë të raundit kualifikues të Ligës së Kampioneve, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Kampionët e Shqipërisë e nisën më mirë takimin dhe për pjesën më të madhe të fraksionit të parë kontrolluan lojën, por një gabim i kapitenit Aleksi në sekondat e para i dha mundësinë vendasve të kalonin në avantazh. Reagimi i Egnatias ishte i menjëhershëm dhe Kryeziu riktheu ekuilibrat me golin e barazimit.
Kur dukej se skuadrat do t’i drejtoheshin pushimit me rezultatin 1-1, Aleksi u bë sërish protagonist, këtë herë në mënyrën më të keqe. Kapiteni u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të panevojshme në mesfushë, duke e lënë Egnatian me një lojtar më pak për të gjithë pjesën e dytë.
Me epërsinë numerike, Petrokub ushtroi presion të vazhdueshëm pas pushimit dhe krijoi disa raste të pastra shënimi. Megjithatë, në portën e Egnatias u shfaq një Dajsinani në formë fantastike, i cili me pritje vendimtare mbajti të paprekur rezultatin. Falë paraqitjes së tij, kampionët shqiptarë largohen nga Moldavia me një barazim të vyer dhe me shanse të plota për kualifikimin në ndeshjen e kthimit.