Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Serbia

  • Serbia stërvitje me dronë kinezë dhe avionë rusë/ Vuçiç: Jemi duke forcuar ushtrinë për të parandaluar çdo…

    Serbia stërvitje me dronë kinezë dhe avionë rusë/ Vuçiç: Jemi duke forcuar ushtrinë për të parandaluar çdo…

    Avionë, helikopterë dhe tanke të prodhimit rus zhvilluan qitje të shtunën në Pester, një zonë e vetmuar stërvitjesh në Serbinë perëndimore, ndërsa në qiell fluturonin dronët ushtarakë kinezë.

    Manovrat e quajtura Bashkëpunimi 2020 ishin demonstrim i një fuqie ushtarake të ripërtëritur të Serbisë dhe u ndoqën nga Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe personalitete të tjera.

    Gjatë stërvitjeve u nënvizuan lidhjet e ngushta ushtarake të Serbisë me Pekinin dhe Moskën.

    Vitet e fundit, Beogradi ka përshpejtuar shpenzimet e mbrojtjes ndërkohë që kërkon dominim në Ballkanin Perëndimor.

    Buxheti i tij ushtarak u rrit në rreth 1.14 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe 2019, që është 43% më shumë se në 2018. Shpenzimet ushtarake të këtij viti përbënin rreth 2.4 përqind të produktit të brendshëm të përgjithshëm.

    “Jemi duke forcuar ushtrinë tonë për të parandaluar çdo agresor, nuk kemi ndërmend të nisim ndonjë konflikt”, u tha zoti Vuçiç gazetarëve pas stërvitjes.

    Për herë të parë, Serbia demonstroi përdorimin e dronëve luftarakë kinezë CH-92A, dislokimi i parë i mjeteve fluturuese kineze pa pilot në Evropë. Ajo mori gjashtë dronë të tillë në qershor.

    Pekini e sheh Serbinë si pjesë të nismës “Një Brez Një Rrugë”, që synon hapjen e lidhjeve të reja të tregtisë së jashtme për kompanitë kineze që kanë investuar miliarda euro, kryesisht kredi të buta, për projekte të infrastrukturës dhe energjisë.

    Për stërvitjen e së shtunës, ushtria serbe dislokoi atje 40 avionë, rreth 150 automjete, përfshirë tanke dhe transportues të blinduar si dhe rreth 2’800 trupa.

    Ushtria serbe përdor kryesisht teknologji ish-sovjetike, por vitet e fundit Beogradi ka blerë avionë luftarakë MiG-29 dhe armë të tjera nga Rusia, përfshirë helikopterë Mi-35 dhe sistemin e mbrojtjes ajrore Pancir, që u demonstrua të shtunën.

    Serbia, e cila është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shpalli neutralitetin ushtarak në vitin 2006. Ajo iu bashkua Programit të NATO-s Partneritet për Paqe, megjithëse nuk kërkon anëtarësim të plotë në aleancën perëndimore të mbrojtjes.

    Burimi: VOA

  • Vuçiç paralajmëron Haradinajn: Në Shtëpinë e Bardhë s’ka njohje të Kosovës

    Vuçiç paralajmëron Haradinajn: Në Shtëpinë e Bardhë s’ka njohje të Kosovës

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç,  ka deklaruar sërish se në takimin e 2 shtatorit në SHBA Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

    Në një deklaratë për mediat Vuçiç ka ironizuar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili theksoi se me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë,  që të mos shpenzojë kot kerozinë për avionë që të udhëtojë për në Uashington.

    Sipas tij, në Uashington mund të ketë bisedime vetëm për tema të caktuara.

    Nëse Haradinaj thotë se po shkon për një marrëveshje përfundimtare, ai mund të kthehet menjëherë pa shpenzuar kerozinë për avion. Ne do të shkojmë në Uashington për të diskutuar temat e vendosura. Ne mund të flasim për çdo temë, por nëse ato marrin gjithçka dhe nuk marrim asgjë, dhe nëse i pranojmë ato, ai film nuk do të shikohet. Për sa kohë që unë jam i vetëdijshëm dhe për aq kohë sa unë mund të mendoj në mënyrë racionale, askush nuk do ta shikojë atë film”, ka thënë Vuçiç.

    Ai theksoi se në Bruksel do të bisedojë për mbrojtjen e Manastirit të Deçanit, teksa e pranoi se Serbia nuk mund të garantojë mbrojtjen e tempujve serbë në territorin ku praktikisht me vite nuk ka pushtet.

  • Kosovë, qeveria vendosi të themelojë Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë.

    Kosovë, qeveria vendosi të themelojë Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë.

    Aktakuza ndaj dy liderëve të UÇK-së, presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli nuk do të bllokojë dialogun me Serbinë. Në mbledhjen e qeverisë, u vendos krijimi i  “Këshillit të Ekspertëve për dialogun”. Kryeministri, Avdullah Hoti theksoi se bisedimet do t’i drejtoje vetë.

     “Pavarësisht zhvillimeve që ndodhin, dialogu nuk ka alternativë. Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe gatishmëri si shtet që të hyjmë në këtë proces. Kosova është e përgatitur për këtë proces, është bërë një punë e madhe në qeveritë e kaluara që tash është duke u sistemuar në secilën prej temave të mundshme të dialogut i cili duhet të fillojë nga temat kryesore që është njohja reciproke. Tani jemi duke punuar që të kompozojmë një delegacion, një ekip shtetërore që do të përfaqësojë Kosovën në këtë proces. Sigurisht kryesuar nga kryeministri në bazë të kompetencave Kushtetuese”, tha Hoti.

    Edhe pse nuk u përmenden emrat e këshillit të ekspertëve për dialogun, zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj tha se këshilli do të udhëhiqet nga një koordinator që njëkohësisht do të jetë edhe këshilltar i kryeministrit.

     “Propozojmë të themelohet këshilli i ekspertëve për dialog me Serbinë si zyrë e veçantë në kuadër të zyrës së kryeministrit. Këshilli i ekspertëve bënë analiza specifike dhe këshillon kryeministrit dhe qeverinë për çështjet e dialogut me Serbinë sipas temave që diskutohet. Përgatit raporte për pozicionin e Kosovës, dokumente analitike, fakto grafikë dhe të tjera sipas nevojës. Kryeministri emëron koordinatorin për dialog i cili udhëheq me punën e këshillit, njëkohësisht është edhe këshilltar i kryeministrit dhe i përgjigjet drejtpërdrejt atij”, tha Selmanaj.

    Pakënaqësi shprehu ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

     “Do të kishte atribute më të larta edhe sa i përket relacioneve të brendshme. Ju e theksuat se ai do të koordinojë ehe me akademinë dhe subjektet tjera me faktorin tjetër. Por edhe në relacionet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

    Në mbledhjen e qeverisë, Kabineti shfuqizoi disa vendime të qeverisë së kaluar Kurti që kanë të bëjnë me komisionin shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.

  • Jamie Shea: BE të mos e pranojë Serbinë pa e zgjidhur problemin me Kosovën

    Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë në vitin 1999, Jamie Shea thotë se nëse bisedimet Beograd-Prishtinë përparojnë, do të jetë më e vështirë për anëtarët e Bashkimit Evropian që të mbajnë peng njohjen e Kosovës.

    Në një intervistë ekskluzive për Kosovapress, Shea thotë se nëse shtetet fqinje e njohin Kosovën dhe jetojnë të lumtur përkrah saj, atëherë si mund të refuzojnë disa vende të BE-së që janë duke e bërë këtë? Sipas tij, çelësi i shumë problemeve është që BE-ja të mos i japë Serbisë anëtarësimin derisa të zgjidhë problemin e saj me Kosovën.

    KosovaPress: Z. Shea, ju keni pasur një karrierë të gjatë, veçanërisht me Ballkanin, pasi keni qenë zëdhënës i NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër ish-Jugosllavisë. Siç e dini, ju keni qenë një nga figurat dhe zërat më kryesorë të fushatës ajrore dhe një personalitet shumë i njohur në Ballkan. Tani, në vitin 2020, nuk jeni më aktiv në përpjekjet e perëndimit për të bindur Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare për të mbyllur historinë armiqësore midis tyre. Si i shihni zhvillimet më të fundit rreth këtyre përpjekjeve?

    Jamie Shea: Unë e mirëpres rifillimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe gjithashtu faktin që Shtetet e Bashkuara po angazhojnë edhe njëherë diplomacinë e saj në një nivel të lartë në një çështje të rëndësishme të sigurisë evropiane. Unë kam qenë prej kohësh i bindur se siguria evropiane nuk ka nevojë vetëm për trupat dhe tanket amerikane, por ka nevojë edhe diplomatët amerikanë. Tani që zgjedhjet serbe janë pas nesh (edhe pse ishin larg nga e përsosura), shpresoj që Presidenti Vuçiç të ndjejë se tani ai e ka bazën politike në shtëpi për të negociuar seriozisht, për të arritur një zgjidhje të plotë dhe të qëndrueshme me Kosovën. Është koha për të treguar disa aftësi politike dhe bisedimet në Shtëpinë e Bardhë do të na japin një tregues të hershëm nëse presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti janë të gatshëm për t’u ngritur në këtë sfidë.

    KosovaPress: Richard Grenell, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, thotë se bisedimet do të përqendrohen në çështjet ekonomike, ndërsa çështjet politike do të lihen të zgjidhen nga Bashkimi Evropian. A besoni se ndarja e roleve midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi është një ide e mirë?

    Jamie Shea: Nuk ka asgjë të keqe për të filluar me çështjet ekonomike pasi këto gjithmonë kanë qenë përpjekjet e hershme në dialogun Prishtinë-Beograd. Tani që Kosova ka hequr kufizimet e saj tarifore për importet serbe, aty ka shumë hapësirë për të përmirësuar lidhjet bilaterale të tregtisë, transportit, energjisë dhe telekomunikacionit. Kosova duhet të jetë e hapur për investime të huaja direkte transparente nga kompani serbe dhe për ndërmarrje të përbashkëta. Natyrisht edhe anasjelltas. Sa më shumë lidhje tregtare dhe ekonomike mund të ndihmojnë në promovimin e kontakteve njerëzore, përfshirë kontaktet ndërmjet administratave qeveritare dhe ndërtimin e besimit.

    Por, megjithatë, asgjë nuk zgjidhet derisa politika të zgjidhet dhe lidhjet ekonomike do të shkojnë aq larg, përveç nëse çështja themelore politike është zgjidhur: që është njohja e plotë e një Kosove të pavarur nga Beogradi. Vetëm kjo do të mundësojë që Kosova të zhvillohet siç duhet, si në rajon, ashtu edhe në botën më të gjerë, dhe të zërë vendin e saj të merituar në organizatat ndërkombëtare. Nuk ka asgjë të keqe që SHBA dhe BE të kenë ndarë punët. Të dy kanë forma të ndryshme të ndikimit mbi palët, gjë që i bën të dyja ato akterët thelbësorë. Por gjëja kryesore është që të këshillohen ngushtë dhe të punojnë së bashku e të mos dërgojnë mesazhe kontradiktore. Gjëja e fundit që na duhet është “blerja e forumit”, siç thonë diplomatët, ku një palë beson se mund të marrë më shumë lëshime nga njëra anë kundrejt një tjetre. Kështu që shpresoj se SHBA dhe BE do të ndërthurin përpjekjet e tyre dhe do të punojnë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse që çon në njohjen e plotë të Kosovës.

    KosovaPress: Nëse çështjet politike me të vërtetë mbeten tek Bashkimi Evropian, ndërsa dihet që BE nuk ka sensin që ta bind Rusinë. A mendoni se gjërat mund të komplikohen në planin afatgjatë?

    Jamie Shea: Diplomacia nuk është kurrë e lehtë. Kjo është arsyeja pse ne gjithmonë kemi nevojë për diplomatë të mirë. Por nuk është as e pamundur, pasi këtë na kujton zgjidhja e mosmarrëveshjes për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë Veriore. Kjo i ka mundësuar Maqedonisë Veriore që tani të anëtarësohet në NATO dhe së shpejti të hap negociatat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nëse bisedimet Beograd-Prishtinë përparojnë, do të jetë më e vështirë për anëtarët e BE që kanë mbajtur peng njohjen e Kosovës, dhe Rusia për të mbajtur qëndrimet e tyre. Nëse fqinjët e Kosovës të gjithë e njohin Kosovën dhe jetojnë të lumtur përkrah saj, atëherë si mund të refuzojnë vendet e tjera ta bëjnë këtë? Unë mendoj se çelësi këtu është që BE-ja të mos i japë Serbisë anëtarësimin në BE derisa të zgjidhë dallimet e saj me Kosovën. Ky është një ndikim i rëndësishëm që BE-ja duhet të përdorë në mënyrë konstruktive dhe me mençuri. Dhe duhet të përfshijë mbështetjen e Beogradit edhe për anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në BE. Sigurisht pasiqë Prishtina t’i ketë përmbushur të gjitha standardet dhe kushtet e BE-së.

    KosovaPress: Bisedimet u ndërprenë ca kohë më parë, ndërsa u shfaq një ide “anonime”, për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Si ju është dukur kjo ide dhe a besoni se kjo ide nuk do të diskutohet?

    Jamie Shea: Qëndrimi im për idenë e shkëmbimit të tokës ka qenë gjithmonë i qartë. Jam kundër. Ajo mund të duket sipërfaqësisht tërheqëse, por zgjidhjet e shpejta rrallë zgjasin shumë. Për një gjë është shumë e vështirë të krijosh një ndarje të pastër në hartë që kënaq çdo fshat dhe çdo komunitet. Shikoni vështirësinë për të përcaktuar Zonën e Ndarjes në Bosnje gjatë negociatave të Marrëveshjes së Paqes në Dejton. Së dyti, është një justifikim i përsosur për të shtyrë çështjen e njohjes pasi për ca kohë nuk do të dimë se çfarë forme të Kosovës po njohim. Dhe së treti, besoj që në të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë si shtete shumetnike evropiane dhe jo akoma më shumë si shtete të brendshme monoetnike. Është bindja ime personale që për një kohë të gjatë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë do të jenë më të ndërlikuara nëse ato janë kryesisht shtete monoetnike sesa shtete dhe shoqëri multietnike.

    KosovaPress: A besoni se palët mund të arrijnë një marrëveshje me njohje reciproke?

    Jamie Shea: Po. Gjithçka është e mundur me udhëheqje dhe vizion. Unë kurrë nuk kam pranuar qëndrimin se ne nuk mund të bëjmë diçka për shkak të kundërshtimit të opinionit publik. Është detyrë e udhëheqjes politike për të formësuar opinionin publik.

    KosovaPress: Nga koha kur ju keni qenë thellësisht i përfshirë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, le të themi se asnjë drejtues dhe diplomat i Perëndimit, të asaj kohe, tani nuk janë aktivë në përpjekjet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se potenciali aktual diplomatik i perëndimit është në gjendje të ofrojë rezultate?

    Jamie Shea: Koha kalon më shpejtë nga sa mendoni ndonjëherë të jetë e mundur dhe është e vërtetë që gjenerata ime e miqve të Kosovës, sot janë në qendra studimi dhe universitete – në vend që të qëndrojnë në skenën e kryesore si aktorë. Ne thjesht duhet të shpresojmë se brezi i tanishëm i liderëve politikë është në gjendje të kryejë detyrën që ne e kemi filluar, por nuk mundëm ta përfundojmë: të krijojmë një Evropë me të vërtetë të plotë dhe të lirë dhe një Ballkan Perëndimor, bashkë me Kosovën, të përfshirë në strukturat e sigurisë transatlantike. Por edhe sikur të jemi të vjetër sot, ne miqtë e Kosovës, jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë. Varet nga Kosova që të na tregojë se si mund të jemi akoma të dobishëm. (Intervista është realizuar të martën)

  • ‘Humbëm 1 milion euro në ditë’, Vuçiç zbulon se çfarë pret nga qeveria e re e Kosovës

    Serbia humb një milion euro në ditë për shkak të masave tregtare të Prishtinës, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçic teksa shtoi se “do të shohim se çfarë do të bëjë qeveria e re e Prishtinës, nëse do t’i heqë apo jo këto masa”. Komentet e tij, kreu i shtetit serb i bëri gjatë një vizite në Novi Pazar.

    I pyetur nëse është realiste që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës të rinisë në fund të qershorit, presidenti serb u shpreh se kjo është e mundur, nëse autoritetet në Prishtinë heqin kufizimet për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve nga Serbia. Dialogu Prishtinë-Beograd u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën prej 100 për qind mbi mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës. Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

    As kjo masë nuk i kënaqi ndërkombëtarët; si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe BE-ja kërkuan heqjen e saj. Kryeministri I porsazgjedhur Avdullah Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do t`i heqë të gjitha pengesat që bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.