Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar sërish se në takimin e 2 shtatorit në SHBA Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Në një deklaratë për mediat Vuçiç ka ironizuar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili theksoi se me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, që të mos shpenzojë kot kerozinë për avionë që të udhëtojë për në Uashington.
Sipas tij, në Uashington mund të ketë bisedime vetëm për tema të caktuara.
“Nëse Haradinaj thotë se po shkon për një marrëveshje përfundimtare, ai mund të kthehet menjëherë pa shpenzuar kerozinë për avion. Ne do të shkojmë në Uashington për të diskutuar temat e vendosura. Ne mund të flasim për çdo temë, por nëse ato marrin gjithçka dhe nuk marrim asgjë, dhe nëse i pranojmë ato, ai film nuk do të shikohet. Për sa kohë që unë jam i vetëdijshëm dhe për aq kohë sa unë mund të mendoj në mënyrë racionale, askush nuk do ta shikojë atë film”, ka thënë Vuçiç.
Ai theksoi se në Bruksel do të bisedojë për mbrojtjen e Manastirit të Deçanit, teksa e pranoi se Serbia nuk mund të garantojë mbrojtjen e tempujve serbë në territorin ku praktikisht me vite nuk ka pushtet.