Numan Ajeti pritet të vazhdojë karrierën në Belgjikë, me transferimin e tij që, sipas raportimit të “Mega Sport”, do të zyrtarizohet gjatë merkatos së dimrit. Një lëvizje e rëndësishme për mbrojtësin e talentuar, i cili është shndërruar në një nga pikat më të forta të Egnatias.
Në moshën 20-vjeçare, Ajeti ka fituar një vend të rëndësishëm në formacionin e kampionëve të Shqipërisë, duke u kthyer në një titullar të padiskutueshëm në repartin defensiv. Paraqitjet e tij kanë treguar siguri dhe pjekuri, pavarësisht moshës së re.
Hapi i radhës duket se do të jetë jashtë Shqipërisë, me futbollin belg që pritet t’i ofrojë një mundësi të re për zhvillimin e karrierës. Nëse transferimi konfirmohet zyrtarisht, ky do të ishte një tjetër sukses për mbrojtësin që ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij në Superiore.
Ajeti iu bashkua Egnatias në merkaton e verës, pasi përfundoi bashkëpunimin me Shkëndijën e Tetovës dhe mbeti lojtar i lirë. Largimi nga skuadra tetovare erdhi në kërkim të më shumë minutave dhe hapësirave për të treguar potencialin e tij.