Futbollistët e Kombëtares shqiptare po bëjnë diferencën në Superligën turke. Qazim Laçi dhe Ernest Muçi kanë qenë protagonistë në duelin mes Rizesporit dhe Trabzonsporit, duke treguar edhe një herë cilësitë e tyre në fushën e lojës.
Mesfushori Qazim Laçi ka realizuar një gol të bukur në minutën e 68-të, duke rikthyer skuadrën e tij në lojë. Pasi mori topin në zotërim, shqiptari nuk hezitoi dhe lëshoi një goditje të fuqishme, e cila përfundoi në rrjetë, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi portierit kundërshtar.
Nga ana tjetër, Ernest Muçi ka qenë një nga emrat më të spikatur te Trabzonspori. Sulmuesi shqiptar dha dy asistime brenda pak minutash, duke u bërë vendimtar në rikthimin e skuadrës së tij në ndeshje.
Fillimisht, Muçi shërbeu për Kabasakal, i cili ngushtoi diferencën, ndërsa më pas asistoi edhe për Simsir, duke rihapur plotësisht sfidën dhe duke konfirmuar formën e mirë që po kalon në kampionatin turk.
Paraqitjet e dy futbollistëve kuqezi janë një tjetër tregues i rëndësisë që ata kanë për skuadrat e tyre. Laçi me finalizimin e fuqishëm dhe Muçi me vizionin e tij në lojë kanë dhuruar momente spektakolare në një përballje plot emocione.
Shqiptarët po vazhdojnë të lënë gjurmë në futbollin turk, duke u kthyer në protagonistë me gola dhe asistime në një nga kampionatet më konkurruese të rajonit.