Partizani vijon përgatitjet për derbin e së shtunës ndaj Dinamos. Të kuqtë zhvilluan ditën e mërkurë një tjetër seancë stërvitore në fushat e Federatës Shqiptare të Futbollit, teksa trajneri Florin Bratu kishte në dispozicion grupin e plotë të lojtarëve.
Në kampin kryeqytetas fokusi është maksimal te sfida e radhës, që pritet të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj faze të kampionatit. Pas rezultateve të fundit, Partizani kërkon reagimin në derbin ndaj Dinamos dhe për këtë arsye puna në stërvitje është përqendruar te përgatitja sa më e mirë e skuadrës.
Në seancën e së mërkurës vëmendje të veçantë tërhoqi edhe Xhuliano Skuka. Sulmuesi prej kohësh po përballet me një problem fizik, ndërsa situata është komplikuar edhe nga një shqetësim në gishtin e madh të këmbës.
Skuka ka krijuar një hematomë, e shoqëruar me fryrje dhe dhimbje, çka e vështirëson gjendjen e tij dhe nuk e lejon të jetë në 100% të formës fizike. Stafi teknik dhe ai mjekësor po monitorojnë me kujdes situatën e sulmuesit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë në gjendje optimale për derbin.
Partizani ka edhe disa ditë në dispozicion përpara përballjes me Dinamon. Të kuqtë do të kërkojnë të shfrytëzojnë maksimalisht këto seanca për të mbërritur të shtunën në formën më të mirë të mundshme dhe për të marrë një rezultat pozitiv në derbin e kryeqytetit.