Glen Daja e nis me një barazim aventurën në stolin e Elbasanit. Verdheblutë kanë marrë një pikë në transfertë ndaj Teutës, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, ku asnjëra prej skuadrave nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.
Elbasani arrin kështu të ndalë kryesuesit e kampionatit, duke marrë një rezultat pozitiv në një transfertë të vështirë. Pas disfatës së pësuar në Korçë ndaj Skënderbeut, verdheblutë reagojnë me një barazim që mund të shërbejë si pikënisje për vazhdimësinë e sezonit nën drejtimin e trajnerit të ri.
Nga ana tjetër, Teuta nuk arrin të shfrytëzojë avantazhin e fushës së saj për të marrë tri pikët. Për durrsakët, ky ishte barazimi i dytë në tetë javët e para të Abissnet Superiore, ndërsa ndalesa ndaj Elbasanit i mohon mundësinë për të përforcuar pozitat në krye të renditjes.
Për verdheblutë, barazimi në Durrës konfirmon një ecuri me rezultate të luhatshme. Në tetë javët e para, Elbasani ka regjistruar pesë barazime, një fitore dhe dy humbje, duke treguar se skuadra ka pasur vështirësi për t’i kthyer ndeshjet e ekuilibruara në fitore.
Tashmë, të dyja skuadrat do të përqendrohen te sfidat e javës së nëntë. Teuta do të përballet me Egnatian më 29, ndërsa Elbasani do të presë Partizanin më 28, në një takim që pritet të jetë një tjetër provë e rëndësishme për verdheblutë dhe trajnerin Glen Daja.