Trajneri i San Marinos, Roberto Cevoli, ka dalë në konferencë për shtyp në prag të përballjes me Shqipërinë, e cila do të zhvillohet nesër në mbrëmje në stadiumin “Air Albania”. Tekniku i San Marinos e pranon forcën e kuqezinjve, por skuadra e tij nuk vjen në Tiranë vetëm për të marrë pjesë. Cevoli thekson se synimi është të zhvillojnë një ndeshje sa më të mirë, të krijojnë raste dhe, me pak fat, të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv.
“Ne kërkojmë gjithmonë të jemi pozitivë dhe këtë e kemi treguar edhe në ndeshjet e fundit. Jemi në një grup me skuadra të forta dhe për ne është një mundësi shumë e mirë për t’u përballur me ekipe të këtij niveli. Kjo është shumë e rëndësishme për rritjen tonë. Do të përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë si ndaj Bjellorusisë, duke krijuar raste shënimi. Shpresojmë të kemi edhe pak fat”, u shpreh Cevoli.
Trajneri i San Marinos rikthehet edhe te përballja e mëparshme me Shqipërinë, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij, pavarësisht humbjes.
“Sigurisht që Shqipëria është një ekip i fortë dhe i një niveli të lartë. Në ndeshjen e kaluar patën fatin të zhbllokonin shumë shpejt takimin, por mendoj se ne i bëmë detyrat tona. Zhvilluam një ndeshje të mirë dhe nuk i lejuam shumë hapësira Shqipërisë.
Në fazën sulmuese nuk krijuam shumë, por patëm 2-3 raste që nuk i shfrytëzuam. Duhet të vlerësojmë edhe portierin e Shqipërisë, i cili bëri disa ndërhyrje shpëtimtare.Jemi të kënaqur që do të luajmë në një stadium kaq të bukur dhe shpresojmë të jetë i mbushur plot. Kjo na jep edhe më shumë stimul për të luajtur mirë. Rrallëherë kemi mundësi të luajmë në stadiume të tilla. Shpresoj që edhe publiku vendas ta vlerësojë impenjimin tonë”, përfundoi trajneri i San Marinos.