Sherr, karton i kuq dhe gol në fund! Egnatia ‘vret’ Vllazninë në Final-Four (video)

by KLIKOJE.AL

Egnatia ka hedhur një hap gjigant drejt titullit kampion në “Final Four”, teksa triumfoi me rezultatin 1-2 ndaj Vllaznisë në “Air Albania”, në një sfidë dramatike dhe të mbushur me tension deri në sekondat e fundit. Kampionët në fuqi marrin kështu vendin e parë me 34 pikë, duke parakaluar shkodranët që zbresin në vendin e dytë me 31 pikë dhe regjistrojnë humbjen e dytë radhazi në fazën finale të “Abissnet Superiore”. Skuadra e drejtuar nga Dede tregoi edhe një herë forcën dhe eksperiencën në momentet vendimtare, duke goditur pikërisht në fund për të marrë tri pikë me peshë të madhe në garën për titullin.

Egnatia kaloi në avantazh në minutën e 38-të, kur Kryeziu krosoi saktë në zonë dhe Sota dërgoi topin në rrjetë, duke “heshtur” përkohësisht ekipin e Martinit. Vllaznia provoi të reagojë në pjesën e dytë dhe arriti të rikthejë baraspeshën në minutën e 77-të. Fillimisht Murataj goditi shtyllën, ndërsa më pas Qato përfitoi nga rrëmuja në zonë për të realizuar golin e 1-1, duke rikthyer emocionet në sfidë.

Por drama e vërtetë u rezervua për minutat e fundit. Në të 88-ën, Adjesa shënoi golin me “aromë titulli” për Egnatian, duke rikthyer kampionët në avantazh mes kaosit total në pankinat e dy skuadrave. Pas festës shpërthyese të rrogozhinasve, tensioni u rrit ndjeshëm në fushë dhe jashtë saj. Vetëm një minutë më vonë, Aleksi u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Egnatian me 10 lojtarë në minutat shtesë, por kampionët arritën ta menaxhojnë avantazhin deri në vërshëllimën finale.

Kjo humbje komplikon ndjeshëm rrugën e Vllaznisë drejt titullit, ndërsa Egnatia tashmë merr “fronin” e renditjes dhe duket më pranë se kurrë mbrojtjes së kampionatit.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.