Gambia ka publikuar listën paraprake të lojtarëve të grumbulluar për sfidat e muajit shtator dhe mes emrave të përzgjedhur bie në sy Joseph Colley i Tiranës.
Për 27-vjeçarin bëhet fjalë për një ftesë të parë nga përfaqësuesja e Gambisë. Colley, i cili më herët ka qenë pjesë e ekipeve të moshave të Suedisë, pritet të ketë mundësinë të debutojë për vendin ku ka lindur.
Risia në listën e Gambisë vjen në prag të dy takimeve ndaj Somalisë dhe Ganës. Mbrojtësi i Tiranës nuk ka luajtur më parë në futbollin gambian, pasi që në moshë të re u transferua dhe u formua si futbollist në Suedi.
Ndërkohë, te bardheblutë Colley ka fituar shpejt besimin dhe një vend në formacionin titullar, duke u kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të repartit defensiv.
Për Gambinë nisin kualifikueset për Kupën e Kombeve të Afrikës, një kompeticion ku shorti e ka vendosur përfaqësuesen edhe përballë një rivali të fortë si Bregu i Fildishtë. Për Colley, kjo ftesë mund të shënojë një moment të veçantë në karrierë: debutimin me kombëtaren e vendlindjes.
