Valentino Murataj është një nga lojtarët më me eksperiencë në radhët e Partizanit dhe e di mirë se sa ndryshime ka pësuar skuadra në vitet e fundit. Mesfushori ka analizuar pikërisht këto lëvizje në një prononcim për mediat, ku ka folur për ambiciet e skuadrës dhe si ka ndryshuar me trajnerin Bratu në drejtim.
Çfarë ka ndryshuar Partizani në drejtimin e trajnerit Florin Bratu?
Mendoj se trajneri Bratu të veçantë ka modestinë e tij dhe e mban sa më afër grupin. Çdo ditë është me ne, jo vetëm në stërvitje, por edhe në hotelin tonë. Jemi shumë afër me të dhe mund të them se e kemi si shok skuadre.
Ndeshja e radhës derbi ndaj Dinamos…
Pas rezultateve jo të mira ndaj Teutës dhe Laçit ndeshja me Dinamon është një ndeshje po ashtu siç ishte ajo ndaj Vllaznisë shumë e rëndësishme për ecurinë e kampionatit. Duhet të ruajmë vazhdimësinë dhe të marrim pikët e plota, pasi kampionati sapo ka filluar dhe të gjitha skuadrat janë të etura për pikë.
Sa larg mund të shkoj Partizani këtë sezon?
Partizani i ka të gjitha mundësitë të shkoj sa më larg sepse çdo vit Partizani dihet që hyn për të fituar trofe. Mendoj që edhe këtë vit Partizani është ndërtuar për të fituar trofe. Ka kontingjentin e duhur për ta bërë këtë.
Cila është pika më e fortë e Partizanit?
Mendoj që në këtë sezon pika më e fortë do të jetë grupi. I them gjithmonë çunave që të jemi sa më të bashkuar. Partizani nuk ka yje të jemi të gjithë bashkë që të shkojmë përpara.
Mesazhi për tifozët e kuq në prag të derbit…
Në çdo ndeshje tifozët na kanë mbështetur. Edhe në derbin ndaj Dinamos besoj që do të jenë aty dhe do të na mbështesin. Besoj që do të japim një ndeshje të bukur dhe ta fitojmë.