Është ndarë nga jeta politikani shqiptar Bashkim Fino.
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti socialist u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare.
Ai ishte prekur nga COVID-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar. Një ditë më parë ai humbi nënën e tij.
Bashkim Fino ka një karrierë të gjatë politike dhe të hershme në Partinë Socialiste.
Prej vitit 1997 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik.
Fino ka mbajtur disa poste ministrore. Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe zëvendëskryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa, në periudhën 2004, ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.
Bashkim Fino në Prill të vitit 2016 u zgjodh Sekretar për Organizimin Administrativ në Partinë Socialiste me 260 vota.
Fino ka mbajtur gjithashtu dhe disa poste ministrore. Ai prej vitesh është deputet i Parlamentit një figurë dhe zë i spikatur.
Në 24 orët e fundit numri i viktimave si pasojë e Covid-19 është ulur. Kështu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë 6 persona kanë humbur jetën, ndërsa nga 2993 testime kanë rezultuar pozitiv 493 persona.
Ndërkohë janë shëruar 557 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 89,456 që nga fillimi i epidemisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19.
NJOFTIMI I MINISTRISË
Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 141 raste në Tiranë, 37 raste në Shkodër, 29 raste në Elbasan, 28 raste në Fier, 20 raste në Berat, 19 raste në Vlorë, 16 raste në Gjirokastër, 15 raste Sarandë, 14 raste në Kavajë, Pogradec, Gramsh, 12 raste në Lushnje, Kuçovë, 11 raste në Durrës, 9 raste në Kukës, Pukë, Peqin, 8 raste në Korçë dhe Devoll, 6 raste në Kurbin, 5 raste në Krujë, Tropojë, Delvinë, Patos, 4 raste në Librazhd, 3 raste në Mirditë, Kamëz, Mat, Ura Vajgurore, Malësi e Madhe, 2 raste në Lezhë, Mallakastër, Divjakë, Prrenjas, Memaliaj, 1 rast në Has, Rrogozhinë, Përmet, Tepelenë, Vau Dejës, Fushë Arrëz, Selenicë, Dibër, Kolonjë, Skrapar, Vorë, Poliçan, Libohovë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 557 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 89,456 që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 327 pacientë, 18 në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 6 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 4 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Librazhdi, të moshave 64- 85 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital.
Statistika (28 Mars 2021)
Raste të reja ditore 493
Të shëruar në 24 orë 557
Të shtruar në spitale 327
Humbje jete në 24 orë 6
Testime ditore 2993
Testime totale 551,307
Raste pozitive 124,134
Raste të shëruara 89,456
Raste Aktive 32,468
Humbje jete 2210
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Bilanci italian i koronavirusit flet për një rritje të rasteve , që sot janë 23696, nga 21267 të ditës së djeshme.
Ndërkohë, numri i viktimave është i njëjti i ditës së mëparshme, 460, por rritet sërish niveli i pozitivitetit me 6.8%. Shqetësues numri i personave që u shtruan në terapi intensive, 250 vetëm në 24 orë.
Lombardia sheh një rritje të dukshme të rasteve, me më shumë se 5 mijë raste, ndërkohë që e ndjekin Emilja Romanja, Piemonte dhe Lacio.
Ndërkohë, të hënën pritet që vendi të ndryshojë edhe një herë masat shtrënguese, në bazë të shifrave të javëve të fundit.
Lacio mund t’i rikthehet disa masave më të lehta, dhe të rihapen shkollat fillore dhe kopshtet, ndërkohë që rajone si Lombardia dhe Emilia Romanja, Pulia dhe Friuli mbeten zona “të kuqe” të paktën deri më 12 prill.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vendi do të fillojë tashmë fushatën masive të vaksinimit, sipas ministrit Speranza, priten 4.5 milionë vaksina deri në fund të marsit, dhe më shumë se 50 milionë të tilla në tremujorin e dytë të vitit.
Qindra studentë kolegji pa maska dhe në shkelje të rregullave të distancimit “zaptuan” një plazh në Teksas për të festuar mes pijeve dhe marijuanës pushimet e pranverës.Ata sfiduan dhe thirrjen e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve duke dhënë një mesazh se “koronavirusi i përket vitit të shkuar”.
Disa ditë më parë Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve kërkoi që studentët të anulonin festimet e këtij viti për shkak të rritjes së rasteve të infektimeve, por kjo thirrje ra në vesh të shurdhër.
Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja u bënë vendet e fundit që i thanë “JO” përkohësisht “AstraZeneca”-s, duke iu bashkuar bllokut 17- anëtarësh të vendeve skeptike ndaj vaksinës, i cili zgjerohet nga dita në ditë.
Ndërkohë që ashtu si kompania, Organizata Botërore e Shëndetësisë përpiqet të ulë panikun, duke thënë se nuk ka lidhje me incidentet e raportuara. Përballë këtyre zhvillimeve në botë, është vendi ynë që vazhdon të sillet krejt normalisht, sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Vetëm disa orë pasi 38 mijë e 400 dozat e “AstraZeneca”-s hynë në tokën shqiptare, pa u menduar dy herë, nisi procesi i vaksinimit sipas planit, me mësuesit, në një kohë që shtetet më të rëndësishme europiane vendosën të presin fjalën e EMA (Agjencia Europiane e Barnave). E vetmja siguri që u ofrohet mësuesve është ajo verbale, nga shefi i qeverisë, ministrja e Shëndetësisë dhe anëtarë të Komitetit Teknik të Ekspertëve. Në një intervistë për mediat, shefja e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, la të kuptohej se ka pasur një pjesë që u është dashur të bëjë punë bindëse me disa mësues duke përjashtuar kategorikisht lidhjen midis “AstraZeneca”-s dhe mpiksjes së gjakut.
“Frika është pjesë e njeriut dhe për shkak të diskutimeve që po bëhen. Por në përgjithësi vaksinimi ka ecur mirë. Një pjesë e mirë e tyre duhen sqaruar në lidhje me të gjitha efektet dhe elementet pozitive që vaksinimi ka dhe që nuk ka asnjë lidhje shkakësore midis këtyre ngjarjeve dhe vaksinimit”. Në ditët e para të administrimit të dozave të ardhura përmes COVAX, i vetmi efekt anësor i raportuar, sipas Binos, është rritja e temperaturës.
“Mund të them nga 100 mësues, katër kanë pasur temperaturë”. “AstraZeneca” është vetëm një nga tri vaksinat e miratuara në Europë, por numri i madh i shteteve që kanë ngritur alarmin përbën një pengesë të madhe për vaksinimin. Nga afro 17 milionë njerëz të vaksinuar në Bashkimin Europian dhe Britani, janë raportuar 37 raste të mpiksjes së gjakut.
Sapo ka kaluar ora 20:00 dhe sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve si dhe masave të tyre përcaktuese, nuk duhet të ketë më asnjë lëvizje, bizneset duhet të jenë mbyllur dhe në rrugë mos të ketë automjete.Por si çdo natë situata flet ndryshe.
Në kufi të lëvizjes së lejuar, qytetarët nxitojnë gjithmonë për t’u kthyer në banesë.Ka prej tyre që e marrin me qetësi kthimin për në shtëpi, pa u shqetësuar nga gjobat.Mbipopullimi i kryeqytetit nga lëvizjet pas orës 20:00 sipas qytetarëve vjen nga toleranca dhe mungesa e kontrolleve.
Përveç rrugëve, edhe urbanët vijojnë të tejmbushen në xhirot e tyre të fundit para se të mbyllin orarin e lëvizjes. Në rrugë qarkullimi i automjeteve është i lartë e madje krijohet edhe trafik.Pas orës së kufizimit ka edhe qëndrim të gabuar. Sipas vendimit, bizneset duhet të jenë të mbyllura pas orës 20:00, por ky supermarket vijon të punojë.
Pasi blemë një produkt, morëm edhe kuponin tatimor që vërteton orën e blerjes.Drejtori i Policisë së Tiranës thotë se janë gjobitur subjektet që vijojnë aktivitetin pas orës së lejuar, por pa dhënë një numër të saktë gjobave. Masa administrative ka edhe për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve. Për mbarëvajtjen e lëvizjes pas orës 20:00 është ngritur një ekip nga Task-Force në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.
Në tre mbrëmje të njëpasnjëshme vëzhgim, grupe të tilla nuk pamë në terren pas kësaj ore. Qytetarët lëvizin lirshëm e madje edhe qëndrojnë në ambientet e lokaleve të hapura pas orës së karantinës.
Nuk ka një numër as sa u përket gjobave të vëna për qytetarët në urbane, në rrugë pas orës 20:00, si dhe ndaj subjekteve që vijojnë shërbimin përtej fashës së lejuar.
Duke mos respektuar as këto masa që Komiteti i Eksperteve nuk e gjen me vend t’i ndryshojë, Shqipëria jo vetëm po thyen rregullat e pandemisë, por po dëshmon se sa diferencë kemi nga Europa e cila vijon të ashpërsojë masat kufizuese ndaj përhapjes së Covid-19.
COVID-19 është kryesisht një sëmundje që shkakton probleme të frymëmarrjes, por gjithashtu mund të prekë pjesë të tjera të trupit.
Mjekët kanë vërtetuar se COVID-19 mund të prekë mushkëritë, zemrën, por edhe sistemin e tretjes.
Sipas statistikave, 53 për qind e pacientëve me COVID-19 zhvillojnë të paktën një simptomë gastrointestinale, shkruan Times of India.
Përveç kësaj, te disa pacientë, simptomat gastrointestinale mund të shfaqen në një fazë të hershme të sëmundjes, dhe në disa pacientë ato janë treguesi i vetëm i infeksionit.
Ka disa shenja të zakonshme që tregojnë se COVID-19 ndikon në sistemin e tretjes:
Humbja e oreksit
Disa persona me COVID-19 kanë raportuar humbje të oreksit. Humbja e pazakontë e oreksit mund të jetë tregues i infeksionit. Ngrënia e ushqimit të shëndetshëm është çelësi për shërimin nga sëmundja dhe humbja e oreksit mund të ngadalësojë shërimin dhe të shkaktojë humbje peshe, shkruan KP.
Për të shmangur këtë, ekspertët rekomandojnë që pacientët të hanë ushqime të pasura me energji dhe proteina dhe që ndihmojnë në forcimin e përgjigjes imune.
Ngërçet
Disa pacientë raportuan ngërçe dhe dhimbje barku si simptoma të koronavirusit. Dhimbja e stomakut mund të shkaktohet nga ndonjë inflamacion aktiv ose infeksion i zorrëve. Përveç kësaj, ato mund të ndodhin kur virusi sulmon traktin e ndjeshëm të tretjes.
Vjellje dhe diarre
Këto simptoma zakonisht shfaqen në fazën fillestare të sëmundjes. Në raste të infeksionit serioz, disa pacientë gjithashtu mund të vjellin gjak dhe kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor. Diarreja mund të jetë tregues i një forme të moderuar ose të rëndë të sëmundjes.
Humbja e shijes dhe nuhatjes
Këto janë disa nga simptomat që janë karakteristike për COVID-19, dhe mund të jenë një tregues i problemeve gastrointestinale të shkaktuara nga virusi. Përveç kësaj, humbja e shqisës së shijes dhe nuhatjes mund të çojë në humbjen e oreksit, e cila mund të ndikojë më tej në tretje dhe vetë-shërim.
Edhe vera e 2021-shit ashtu si vera e një viti më parë nuk i shpëton dot pandemisë së Covid-19 dhe masave parandaluese kundrejt saj.
Të gjithë shtetet janë duke hartuar dhe studiuar strategji për një hapje të sezonit veror e për t`i dhënë në të njëjtën kohë një shtysë sektorit të turizmit, i cili duhet pohuar është një nga sektorët që e ka ndjerë më shumë këtë krize globale. Që nga pasaportat e vaksinimit, tek karantina në jaht e deri tek aplikacionet e ndryshme, do të shikojmë me detaje se cilat janë planet e shteteve të ndryshme.
Tajlanda ofron karantinim në jahte për turistët e ndryshëm, që do të zgjedhin vendin për turizëm. Shteti i Tajlandës, e ka hapur turizmin, por me gjysmë kapaciteti. Kështu nga 40-50 mijë vizitorë në ditë, ka përgjysmuar numrin e turistëve, por duke i ofruar atyre një mënyrë shumë tërheqëse. Mundësinë për të kryer karantinën e detyrueshme prej dy javësh të caktuar nga autoritetet shëndetësore tajlandeze, në bordin e një jahti. Qeveria sapo ka bërë të njohur këtë politikë, duke shpresuar se do të ketë një fitim prej 48 milionë euro, por kjo mbetet për t’u parë.
Spanja mund të aktivizojë pasaportën e vaksinimit që nga muaji maj. Ministri spanjoll i Turizmit Reyes Moralo ka thënë se nga maji mund të fillojë të qarkullojë pasaporta e vaksinimit, ndërkohë që njoftoi që pikërisht në maji fillon dhe Panairi Ndërkombëtar i Turizmit. Ai u shpreh gjithashtu se Spanja do të marrë në konsideratë dhe mundësinë e një “korridori të gjelbër” përsa i përket turistëve britanikë, në rast se nuk do arrihet një marrëveshje me shtetet e BE-së në lidhje me pasaportat e vaksinimit.
Kina ka lëshuar tashmë pasaportat e vaksinimit. Kjo gjë lejon të gjithë qytetarët kinezë të udhëtojnë në rast se janë të vaksinuar. Bëhet fjalë për një certificate digjitale e cila tregon statusin shëndetësor dhe atë të marrjes ose mosmarrjes së vaksinës. E gjithë kjo bëhet në kuadër të politikës të nxitjes së turizmit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë. Megjithatë sipas burimeve zyrtare kjo pasaportë nuk është e detyrueshme.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë duke vlerësuar mundësitë e aprovimit të një pasaporte vaksinimi. Shtetet e Bashkimit Evropian janë duke punuar mbi vaksinën “green pass”e cila do t’i jepte mundësi qytetarëve evropianë të udhëtonin në vendet e rajonit, por dhe jashtë këtij bashkimi. Programi i ideuar dhe zbatuar nga Kina, u jep mundësinë të gjitha vendeve, që nëpërmjet aplikacionit të marrin të dhënat e duhura shëndetësore mbi individët që udhëtojnë. Kodi quhet QR. Kodi sanitar QR në aplikacionin WeChat dhe në aplikacionet e tjera kineze, i lejojnë shtetasit kinezë të udhëtojnë me transportin publik dhe të kenë akses në vende të ndryshme për marrjen e shërbimeve që ofrojnë. Ato njëkohësisht lokalizojnë subjektin dhe në rast se ai gëzon shëndet të plotë, aplikacioni gjeneron një kod te gjelbër, në rast infeksioni ndjek të gjitha kontaktet.
Shteti i Izraelit i ka hapur atraksionet turistike, kjo falë një fushate masive vaksinimi, e cila ka rezultuar shumë e suksesshme. Me 5 milionë izraelitë të vaksinuar dhe shifrat e infektimeve nën kontroll, pasaporta e gjelbër apo siç njihet “Green pass” lejon që zotëruesit e saj të mund të marrin shërbime më shumë se sa të tjerët, të cilët nuk janë pajisur ende.
Greqia, po përgatitet për një sezon turistik, vetëm me turistë të cilët janë të vaksinuar, pra ata që kanë antitrupa. Greqia do ta hapë sezonin veror që në muajin maji.
Po shteti ynë fqinj Italia? Ishulli i Sardenjes, i vetmi rajon i cili ndodhet në zonën e bardhë në Itali është blinduar dhe po përgatitet për një sezon turistik nën rregulla shumë të rrepta antikovid. Testi për secilin që hyn në këtë zonë është i detyrueshëm. Po studiohet dhe modeli sicilian, ku bërja e tamponit për ata që hyjnë në këtë zonë është e detyrueshme, dhe më pas një kontroll tjetër pas 5-6 ditësh nga qëndrimi ku gjurmueshmëria realizohet nëpërmjet regjistrimit në portalin rajonal.
Në Itali edhe sot regjistrohet një shtim i rasteve, që sot janë 26824, ndërkohë që në rritje graduale është edhe bilanci i viktimave, 380 të vdekur në 24 orët e fundit.
Në rritje janë pothuajse të gjithë parametrat, duke filluar nga niveli i pozitivitetit, që sot ngjitet në 7.2%, ndërkohë që numri i pacientëve në terapi intensive po i afrohet pragut të 3 mijë personave, ndërkohë që llogaritet se janë më shumëse gjysmë milion persona aktualisht pozitivë.
Sipas vendimeve të qeverisë, vendi me 60 milionë banorë do të mbyllet plotësisht gjatë festave të Pashkëve, pra në periudhën 3-5 prill, dhe gjithsesi do të vendoset karantina për çdo shifër që do të kalojë mesataren javore të 250 rasteve çdo 100 mijë banorë.
Sipas këtij parametri, janë 11 rajonet që nga java tjetër do të kalojnë në fashën e kuqe, dhe janë Lombardia, Emilja-Romanja, Piemonte, Veneto, Friuli Venecia Xhulia, Lacio, Marke, Bazilikata dhe Kampania, si dhe provincat autonome të Trentos dhe Bolzanos.
Vaksina e AstraZeneca u vlerësua për efektin, koston e avantazhet për t‘u ruajtur lehtë. Por po shfaqen dyshime lidhur me efikasitetin e saj. Disa vende kanë shqetësime serioze, madje kanë ndalur përkohësisht vaksinimin.
Pse Danimarka dhe Norvegjia kanë pezulluar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca?
Ministria daneze e Shëndetësisë njoftoi të enjten (11.03) se do të ndërpresë për momentin përdorimin e vaksinës së AstraZeneca. Kjo vjen pas “raporteve të mpiksjeve të rënda të gjakut tek njerëzit e vaksinuar me vaksinën AstraZeneca”, tha ministria në një deklaratë. “Ne kemi nevojë për sqarime përpara se të vazhdojmë të përdorim vaksinën nga AstraZeneca,” tha Søren Brostrøm, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shëndetësor danez, i cili këshillon dhe punon me Ministrinë e Shëndetësisë. Norvegjia ka ndjekur shembullin si rezultat i ngjarjes në Danimarkë. Shqetësimet pas rasteve të vdekjeve pas vaksinës janë rritur ditët e fundit, megjithëse ende nuk është provuar, nëse ato kanë lidhje me vaksinimin. Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) gjithashtu po analizon vaksinën e AstraZeneca pas njoftimeve për mpiksje të rënda të gjakut. (E akt. Ndërkohë edhe Islanda e Rumania kanë pezulluar dhënien e vaksinës, kurse Italia e Austria ndaluan vaksinat e një furnizimi të caktuar, shkruan ZEIT online. Gjermania nuk e ka ndalur dhënien e vaksinës, por Instituti gjerman Paul Ehrlich po verifikon shqetësimet lidhur me Astra Zenecan.)
DW rreth disa pyetjeve që shtrohen për vaksinën e AstraZeneca.
Sa efektive është vaksina e AstraZeneca kundër variantit të Afrikës së Jugut të COVID-19?
Një provë me 2.000 njerëz në Afrikën e Jugut zbuloi se vaksina e AstraZeneca siguronte “mbrojtje minimale” kundër rasteve të lehta dhe të moderuara të variantit B.1.351, i identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut. Ky variant po shkakton shumicën e infeksioneve brenda vendit.
Askush nga njerëzit në testim nuk vdiq, u sëmur rëndë apo iu desh të shtrohej në spital. Efikasiteti kundër rasteve të rënda që dalin nga varianti B.1.351 nuk u vlerësua në studim sepse pjesëmarrësit ishin në rrezik më të ulët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca edhe nëse variante të ndryshme janë të pranishme në një vend. “Aktiviteti i antitrupave neutralizues është ekuivalent me atë të vaksinave të tjera COVID-19 që kanë demonstruar aktivitet kundër rasteve më të rënda, veçanërisht kur intervali i vaksinimit optimizohet në 8-12 javë,” raportoi AstraZeneca.
Vaksina AstraZeneca do të sigurojë ende një mbrojtje kundër variantit B.1.351, sepse antitrupat e krijuar pas vaksinimit do të njohin pjesë të variantit të virusit dhe do t’i bllokojnë ato, tha për DW Sarah Pitt, një lektore kryesore në Universitetin e Brighton dhe pjesmarrëse në Institutin Britanik të Shkencave Biomjekësore.
Pse vaksina e AstraZeneca nuk është aq efektive kundër variantit të Afrikës së Jugut?
Vaksinat COVID-19 që janë aprovuar për përdorim e bëjnë trupin të prodhojë antitrupa kundër proteinave “spike” të versionit origjinal të koronavirusit. Por tani antitrupat janë duke luftuar kundër viruseve që nuk e njohin plotësisht formën e proteinave.
Kjo do të thotë që asnjë antitrup nuk bashkohet me pjesën e ndryshuar të proteinës, dhe virusi ende mund të ngjitet në një qelizë njerëzore. Por antitrupat do të bllokojnë pjesët e virusit që ai i njeh, kështu që akoma ofron një mbrojtje.
Një studim i vaksinës Moderna zbuloi se ishte pak më pak efektive ndaj variantit B.1.351, por nivelet neutralizuese ishin gjithsesi mbi ato që pritej të ishin mbrojtëse. Një studim i vaksinës BioNTech-Pfizer gjithashtu zbuloi se vaksina ishte pak më pak efektive ndaj variantit B.1.351.
Çfarë po bën AstraZeneca për të adresuar variantin e Afrikës së Jugut?
Kreu i grupit kërkimor të Oksfordit, Sarah Gilbert, i tha BBC se vaksina duhet të mbrojë kundër varianteve të rënda. Por në të njëjtën kohë, ajo tha se zhvilluesit po punojnë për një vaksinë të modifikuar për të luftuar variantin e Afrikës së Jugut. Kjo ka të ngjarë të jetë gati në vjeshtë, tha ajo.
Sa efektive është vaksina e AstraZeneca kundër varianteve të tjera të virusit?
Vaksina e AstraZeneca është zbuluar të jetë 76% efektive kundër koronavirusit origjinal pas dozës së parë. Kur jepet një dozë e dytë, 12 javë ose më shumë pas dozës së parë, efikasiteti rritet në 82%. Vaksina gjithashtu është zbuluar se zvogëlon kohëzgjatjen e ngarkesës virale, e cila mund të ngadalësojë transmetimin e virusit.
Një studim i vaksinës së AstraZeneca kundër variantit B.1.1.7, i raportuar së pari në Mbretërinë e Bashkuar, zbuloi se efikasiteti ishte i ngjashëm me efikasitetin kundër virusit origjinal.
A duhet të merrni vaksinën e AstraZeneca nëse ju ofrohet?
OBSH ka rekomanduar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca për personat e moshës 18 vjeç e lart, edhe nëse ekzistojnë variante të koronavirusit, sipas rekomandimeve të përkohshme.
Edhe nëse merrni një nga variantet e virusit që u gjet për herë të parë në Afrikën e Jugut (i njohur si B.1.351 ose 501Y.V2), Mbretërinë e Bashkuar (B1.1.1.7) ose Brazil (P.1), vaksina e AstraZeneca do t’ju mbrojë. Kjo sepse të gjitha këto janë variante të llojit origjinal të koronavirusit, për luftimin e të cilit është zhvilluar vaksina. Nuk do të jetë në gjendje të njohë pjesët që kanë mutuar, por do të jetë në gjendje të njohë pjesën tjetër.
A është e sigurt vaksina e AstraZeneca për përdorim nga të gjitha moshat?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e vaksinës AstraZeneca për njerëzit nga mosha 18 vjeç e lart, duke pfshirë edhe ata që janë 65 vjeç e lart. “Duke marrë parasysh tërësinë e provave të disponueshme, OBSH e rekomandon vaksinën për përdorim edhe për persona të moshës 65 vjeç e lart,” shkroi OBSH në rekomandimet e tij të përkohshme për vaksinën AstraZeneca.kan
Agjencia Evropiane e Barnave gjithashtu ka raportuar se vaksina e AstraZeneca mund të përdoret për të parandaluar sëmundjen tek njerëzit e moshës 18 vjeç e lart.
Komisioni i vaksinave në Gjermani, STIKO, e hoqi vendimin që AstraZeneca t’u jepet vetëm njerëzve të moshës 64 vjeç e poshtë. Tani ajo mund të jepet edhe për më të moshuarit. Më parë Komisioni kishte përmenduar si arsye mungesën e të dhënave në lidhje me efektivitetin e vaksinës për njerëzit e moshuar.
Shumica e pjesëmarrësve në studimet e AstraZeneca kanë qenë midis 18 dhe 55 vjeç. AstraZeneca tha në shkrimin e rezultateve të veta, se “efikasiteti i vaksinës në grupmoshat më të vjetra nuk mund të vlerësohej”.
Kush po i prodhon vaksinat e AstraZeneca?
Vaksina është duke u zhvilluar dhe prodhuar nga një ekip nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike Britanike-Suedeze AstraZeneca. Ekipi hulumtues përfshin shkencëtarë nga Instituti Jenner dhe Grupi i Vaksinave të Oksfordit.
Çfarë lloj vaksine është AstraZeneca dhe si funksionon?
Vaksina e AstraZeneca nuk është një vaksinë mRNA si Moderna dhe BioNTech-Pfizer, por një vaksinë e virusit vektor. Ajo përdor si mekanizëm transporti i një virusi të zakonshëm dhe të padëmshëm që gjendet tek shimpanzetë. Vaksina transporton proteinën sipërfaqësore të SARS-CoV-2 në qelizat njerëzore, ku shkakton një përgjigje imune kundër koronavirusit.
Përse është kaq tërheqëse vaksina e AstraZenecas?
Ndryshe nga vaksinat BioNTech-Pfizer dhe Moderna, AstraZeneca nuk ka pse të ruhet në temperatura të ulëta. Vaksina mund të ruhet, transportohet dhe trajtohet në temperatura normale të ftohjes (2-8 gradë Celsius / 36-46 gradë Fahrenheit) për të paktën gjashtë muaj.
Sipas AstraZeneca, zinxhiri i thjeshtë i furnizimit të vaksinës dhe zotimi pa fitim do ta bëjë atë më të volitshëm, por çmimi i saktë i një doze të vaksinës AstraZeneca nuk është i qartë.
AstraZeneca dhe BioNTech-Pfizer kanë bërë marrëveshje me COVAX, një iniciativë globale që synon shpërndarjen e vaksinave me kosto të ulët në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në një tweet i cili tashmë është fshirë, sekretarja e shtetit belg Eva De Bleeker publikoi çmimet e supozuara të BE-së për dozë: 15€ (18 dollarë) për Moderna, 12€ për BioNTech-Pfizer dhe 1.78 € për AstraZeneca.