Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, analizoi disfatën me përmbysje nga Dinamo, teksa në prononcimin e dhënë për “Super Gol”, u shpreh:
“Në momentin që nuk merr dot rezultatin që punon dhe shpreson, atëherë mërzitesh. Për djemtë kam komplimente. Më mërzit shpërqendrimi, i cili na përkthehet në gola të pësuar. Në pjesën e parë çdo gjë po shkonte sipas parashikimit, më pas morëm 2 gola në qendër, që në gjykimin tim duhet të ishin shmangur.
Çdo gjë mund të pranosh, kishim 3 forca në krah të djathtë. Si logjikë nuk shkon të çahesh në atë mënyrë. Mungonte filtri i parë. Me dëshirën e madhe të Dukës në momente të caktuara na dilte si mbrojtës i pestë. Për Duken kam komplimente, Diabate duhet të kuptoj cilësitë që ka. Duhet t’i japim komplimente Dinamos për aq sa i takon. Kur kthehemi në lojë bëhemi konfuzë, duam ta zgjidhim shpejt, nuk furnizuam as Montenegron as Adjesën.
Dinamo krijoi dendësi të madhe në linjat e qendrës. Doja që Fernando të merrte minuta. Kjo humbje më shërben të fitoj Fernandon. Duhet të fitonim më shumë në vertikalitet. Dinamo pati komoditet të shtynte çdo krosim tonin. Në fund ka të bëjë me një nivel futbolli të mirë. Dinamo mori maksimumin. Ata ishin pragmatistë ne jo, kjo bëri diferencën në rezultat.
Mora risk përsipër me 4 zëvendësime. Për sa i përket dëndësisë, çdo gjë deri te goli ishte ok, pastaj nuk ishim në hapësirat dhe kohën e duhur. Në pjesën e dytë gjithçka shkoi mirë. Djemtë dhanë maksimumin. Me një ekip si Dinamo, po u shpërqëndrove kaq shumë, nuk merr dot pikë dhe jo më të fitosh.
Edhe në Danimarkë shfaqëm këtë problematikë që shfaqëm edhe sot. Harrojmë që ka minuta për të luajtur dhe kundërshtari reagon. Nuk është fund i botës është kampionat i gjatë. Është një skemë që në fund do të bëhet edhe një kampionat tjetër. Nëse kthehemi te fitorja kampionati është atje. Diferencat janë të vogla edhe në lojë edhe në pikë”, deklaroi Nevil Dede.