Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka theksuar se fitorja ndaj Egnatias erdhi sipas strategjisë që kishte ndërtuar ai për një përballje me skuadrën dominuese të futbollit shqiptar në vitet e fundit.
“Çdo ekip shqiptar që del në nivelin që është Egnatia, duhet të krenohemi të gjithë. Sot, pas dy vitesh, i dhashë dorën Aleksit dhe i thashë: “Do të ta jap dorën për çfarë keni bërë në Europë, se herën tjetër nuk ta jap”.
Sot kishim përballë një Egnatia që është ekipi kampion në fuqi, që sot performon në Europë dhe të gjithë duhet t’i urojnë për paraqitjet dinjitoze. Është Egnatia që kthehet nga ngarkesa, sepse unë e kam provuar tri herë. Duhet të jemi falënderues për atë që bën Egnatia.
Ne bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, sepse nga disavantazhi kthyem rezultatin. Bëmë një pjesë të dytë me mbrojtje me bllok të ulët, duke ditur që Egnatia vinte nga ndeshje goxha të vështira. Nëse do të vinte në përballje direkte dhe ne do të ngjiteshim më lart, nuk do të qëndronim kurrë me bllok të ulët. Si strategji, rezultoi pozitive, sepse fituam ndeshjen. Është e rëndësishme që të kthehesh dhe të fitosh. Në pjesën e dytë morëm një rezultat që na duhej, që të ktheheshim te pjesa e sipërme e tabelës së klasifikimit, për të vazhduar rrugëtimin tonë.
Ne kishim lënë vetëm Lorranin për të marrë krahun e majtë. Sot kishim spostuar Vilën, që në momentet e fundit të pasit ai, me të majtën, do të vononte në pasin e fundit. E bëri shumë mirë sot. Kishim lënë vetëm Lorranin për të dalë në gjerësi, për aksionet me pasimin pasiv. Na rezultoi shumë pozitive në pjesën e parë. Në pjesën e dytë kishim nevojë të ktheheshim nga fitorja. Gjetëm një Egnatia që nuk ishte në kondicionin më të mirë fizik, pavarësisht impenjimeve. Por edhe ritmi bën që, kur kthehesh në kampionatin shqiptar, mund të paraqitesh edhe më mirë. Nganjëherë duhet fituar edhe me vuajtje. Ne morëm trepikëshin, siç ishte e rëndësishme sot.
Në ndeshjen para kësaj, nuk u vunë vijat e pozicionit jashtë loje, në një moment kur Toli shkoi te goli ato ishin. E dyta sot. Meqenëse në momentin që Xhaja më jep të verdhë, i thashë: “Kalari po proteston”. Dhe nëse doni, sot urova Dedën për Europën, urova pas dy vitesh kampionat, Alekisin, për pjesën e Europës. Të gjithë duhet të jemi krenarë që një ekip na prezanton në Europë, si Egnatia. Por ky zotëria që është shumë kompetent, sepse është edhe arbitër i UEFA-s apo FIFA-s, se nuk e di, nuk njoh asnjë arbitër, i thashë vetëm kaq: “jep penallti, atë golin që dha, se ashtu e pa. Të gjithë gabojnë, por mos lër që të dhunojnë lojtarët e mi”. Se Alhasan bëri faull ndaj numrit 10, ndoshta ishte edhe për karton, por në momentin që kthehet Albaneze, e godet lojtarin me shkelm mbrapa. I thashë: “Nuk të lejoj që të më dhunojnë lojtarët”.
Ne, kur bëjmë analizë, se jam teknik, nuk i nxjerrim çfarë ka bërë arbitri, sepse po i nxorëm, krijojmë alibi se fajin e ka pasur arbitri. Ne duhet të nxjerrim fajet dhe të mirat që kemi bërë ne, por këto histori janë të përsëritura. Kur nuk pashë vijat me Teutën, aty thashë: “Çfarë bëhet në futbollin tonë?”. Kam edhe Pinarin dhe drejtuesit e klubit, por asnjëri nuk reagon dhe i keqi i futbollit shqiptar. Kam Pinarin, administratorin…
Kur me të drejtë thuhet që Egnatia është ekipi që po na prezanton në Europë, kur është kampione dhe ky trepikësh merret edhe me vuajtje, sigurisht që më gëzon jashtë mase, pavarësisht se 45 minutat e para kemi qenë më superiorë. Ndërsa në pjesën e dytë zgjodhëm strategjinë që të tërhiqeshim mbrapa.
Po i vuajmë, duhet të jemi të saktë në sulm, sepse nuk e kemi mundësinë të bëjmë tranzicionin pozitiv, që të shfrytëzojmë hapësirat që lë mbrapa kundërshtari”, tha ndër të tjera Daja për RTSH pas ndeshjes.