Tensione shumë të larta në Torino përpara derbit Torino-Juventus. Ultrasit më të dhunshëm të të dyja skuadrave janë përplasur pranë sektorit të tifozëve bardhezi në stadiumin “Grande Torino”. Sipas raportimeve, ka pasur hedhje shisheve dhe gurësh në drejtim të policisë, ndërsa forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës për të rikthyer qetësinë në zonë. Disa tifozë të të dyja ekipeve janë shoqëruar nga policia. Rreth një orë para nisjes së ndeshjes, ultrasit e Juventusit janë bllokuar në zonën jashtë stadiumit dhe nuk kanë hyrë në tribunë në shenjë proteste ndaj forcave të rendit. Sipas tyre, policia ka përdorur gaz lotsjellës në lartësi koke, duke goditur një tifoz bardhezi në kokë.
Tifozi, 45 vjeç, është transportuar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, me traumë në kokë. Fillimisht ai u dërgua në spitalin Mauriziano dhe më pas në CTO. Raportohet se ai nuk është në rrezik për jetën, ndërsa hetimet vazhdojnë për të kuptuar saktësisht se çfarë e goditi në kokë. Për këtë arsye, tifozët juventinë që kishin hyrë në sektorin mik, pa flamuj dhe banderola, kanë thirrur skuadrën pranë tribunës për t’i kërkuar të mos zbriste në fushë. Disa përfaqësues të tifozërisë së organizuar kanë folur drejtpërdrejt me kapitenin Manuel Locatelli për t’i shpjeguar situatën.
Ngjarja është komentuar edhe nga Damien Comolli, i cili deklaroi: “Jemi shumë të shqetësuar dhe të trishtuar për atë që ndodhi jashtë stadiumit. Një tifoz i yni ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Ultrasit e tjerë janë shumë të zemëruar dhe na kërkuan të mos luajmë ndeshjen. Takimi do të luhet dhe pas tij do të shkoj të vizitoj tifozin e plagosur në spital”.
Në orën 20:45 skuadrat qëndruan ende në dhomat e zhveshjes, duke prishur sinkronizimin me ndeshjet e tjera të mbrëmjes, të cilat nisën normalisht. Tashmë pritet të kuptohet se çfarë do të ndodhë me derbin në “Olimpico Grande Torino”.