Flamurtari duket se ka gjetur trajnerin që do t’i besohet misioni për rikthimin e menjëhershëm në Superligë. Mësohet se Oltijon Kernaja ka arritur marrëveshjen me klubin vlonjat dhe tashmë mungon vetëm firma për zyrtarizimin e bashkëpunimit.
37-vjeçari nga Tropoja vjen pas një sezoni të suksesshëm në drejtimin e Partizanit. Ai mori ekipin në javën e shtatë të kampionatit, në një moment të vështirë kur të kuqtë kishin grumbulluar vetëm 4 pikë. Nën drejtimin e tij, Partizani ndryshoi fytyrë, duke u ngjitur në renditje dhe duke hyrë seriozisht në garë për një vend në europë.
Vlerat e Kernaja-s kanë tërhequr interesin e disa klubeve. Për teknikun pati kontakte edhe nga Laçi, klub ku më parë ka mbajtur rolin e zëvendëstrajnerit, por duket se Flamurtari ka qenë më bindës në projektin e paraqitur.
Vlonjatët e shohin Kernajën si njeriun e duhur për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe për të synuar rikthimin e shpejtë në elitën e futbollit shqiptar. Nëse nuk ka surpriza të momentit të fundit, trajneri tropojan do të jetë në krye të Flamurtarit për sezonin e ardhshëm.