Dinamo do të luajë të dielën ndaj Vorës, pavarësisht kërkesës së klubit për shtyrjen e sfidës. Blutë iu drejtuan FSHF-së për të ndryshuar datën e ndeshjes, duke argumentuar se skuadra ka një tjetër impenjim të rëndësishëm në Europë.
Kërkesa nuk është pranuar dhe takimi do të zhvillohet sipas programit.Dinamo vjen pas kualifikimit ndaj Audës dhe tashmë përgatitet për “play-off”-in e Conference League ndaj Pafosit. Ndeshja e parë do të luhet të enjten në “Elbasan Arena”, në orën 21:00.
Kështu, Ilir Daja do të duhet të menaxhojë me kujdes skuadrën, pasi brenda pak ditësh Dinamon e presin dy sfida të rëndësishme, fillimisht në kampionat dhe më pas në Europë. Për blutë, kjo është një javë me ngarkesë të madhe, ku çdo gabim në menaxhimin e minutave mund të kushtojë.