Kombëtarja shqiptare është vetëm një hap larg një tjetër objektivi të rëndësishëm në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë përballen me Bjellorusinë në sfidën e fundit të Grupit C1, ku fitorja apo edhe barazimi do të mjaftonin për të siguruar vendin e parë dhe për ta mbyllur këtë edicion në mënyrën më të mirë të mundshme.
Përveç ngjitjes në Ligën B në edicionin e ardhshëm dhe avantazheve që lidhen me rrugëtimin drejt Europianit 2028, suksesi në grup do të kishte edhe një ndikim të drejtpërdrejtë në arkën e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Sipas skemës së shpërblimeve të UEFA-s, çdo përfaqësuese pjesëmarrëse në Ligën C përfiton një shumë bazë prej 1.2 milionë eurosh për të gjithë edicionin. Por skuadra që shpallet fituese e grupit përfiton edhe një bonus shtesë, po në të njëjtën vlerë.
Pra, në rast se Kombëtarja konfirmon vendin e parë, FSHF-së do t’i shtohen edhe 1.2 milionë euro të tjera në llogari. Një motivim financiar më shumë për një ndeshje që mund t’i japë Kombëtares jo vetëm suksesin sportiv, por edhe një shpërblim të konsiderueshëm ekonomik.