Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, u shfaq sot në sallën e konferencave përkrah trajnerit Rolando Maran për të komentuar ndeshjen e nesërme ndaj Bjellorusisë, të vlefshme për Grupin C1 në Ligën e Kombeve dhe përcaktuese për renditjen përfundimtare të tij.
“Gjendja është shumë e mirë, sot kemi bërë seancën e fundit, jemi përgatitur mirë besoj. Tani besoj do studiojmë pak ekipin, dhe e dimë nesër që është ndeshje e rëndësishme për ne. Nuk duhet të mendojmë çfarë na duhet, na duhet vetëm trepikëshi dhe do të luajmë për të fituar ndeshjen.
Sigurisht do hyjmë në fushë me shumë karakter, agresiv, se ata janë ekip shumë fizik. Ne e kemi parë në Tiranë, na kanë vënë në vështirësi sidomos në pjesën e parë. Por ne i dimë gjërat tona, jemi përgatitur mirë, jemi në një moment të mirë dhe duam të fitojmë këtë ndeshje.
Impenjim si me Finlandën? Sigurisht, sidomos kur vesh këtë fanellë, duhet të japësh jo 100% por më shumë se maksimumi. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë me Finlandën besoj para tifozëve tanë. Jemi shumë të lumtur, por tani do të mendojmë vetëm për Bjellorusinë.
Mungesa e Ramadanit? Nuk është problem, në futboll ndodhin këto gjëra. Ramadani mori të verdhë, na vjen keq, por të gjithë çunat janë gati. E dimë të gjithë që Kombëtarja nuk luhet për Ramadanin, Asllanin apo Shehun. Ajo luhet sepse të gjithë përfaqësojmë kombin tonë, familjet tona dhe mendojmë vetëm për Shqipërinë.
Golat? Nuk di, njerëzit pas dy golave ndaj San Marinos kërkojnë gola, gola pafund. Unë nuk jam sulmues, shumë qejf do të kisha të bëja golin, por rëndësi ka me të vërtetë të marrim tre pikë dhe të dalim të gjithë të lumtur.
Sigurisht, po guxojmë shumë. Trajneri po na kërkon shumë agresivitet, një futboll që, për mua, po shkon shumë mirë. Po e bëjmë mirë në fushë, besoj. Kur erdhi trajneri, në dy ndeshjet e para nuk e kemi kuptuar mirë në ato dy miqësore, por tani besoj se e kemi kuptuar. Edhe trajneri na ka kuptuar neve dhe të gjithë së bashku po bëjmë një rrugëtim shumë të mirë dhe po mendojmë vetëm për nesër. Siç thashë, na duhet fitorja edhe këtu.
Ne tani po luajmë me dy mesfushorë, por trajneri kërkon shumë rotacione. Unë jam ai që shkon më shumë përpara. Është e vërtetë që po gjuaj shumë në portë, kam më shumë hapësirë dhe po më pëlqen. Më pëlqen kjo skemë që po luajmë tani dhe jam vërtet shumë i lumtur”, tha Asllani para mediave.