Egnatia është mposhtur me rezultatin 3-1 nga Shamrock Rovers në Irlandë, në sfidën e parë të turit të tretë të Europa League. Kampionët shqiptarë do të tentojnë përmbysjen në ndeshjen e kthimit në Rrogozhinë. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 29-të, pasi shfrytëzuan një penallti të fituar vetëm pak çaste më parë, kur Gruda u ndëshkua për ndërhyrjen në zonë.
Egnatia reagoi para pushimit. Në minutën e 40-të, pas sinjalizimit të VAR-it, arbitri akordoi penallti për skuadrën shqiptare. Haime nuk arriti ta shndërronte në gol në tentativën e parë, por në vazhdim topi përfundoi në rrjetë pas autogolit të Green, duke rikthyer baraspeshën.
Megjithatë, pjesa e dytë foli për irlandezët. Në minutën e 55-të, Lopes riktheu Shamrock Rovers në avantazh mes protestave të futbollistëve të Egnatias, të cilët pretenduan për një faull në aksion.
Vetëm dy minuta më vonë, vendasit goditën sërish. Pas një goditjeje nga këndi, Green u shfaq i lirë në zonë dhe realizoi golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-1 për Shamrock Rovers.
Pavarësisht disavantazhit me dy gola, Egnatia mbetet në garë dhe do të kërkojë një përmbysje të madhe në ndeshjen e kthimit për të mbajtur gjallë ëndrrën europiane.