Skënderbeu gjen më në fund sulmuesin që i kishte munguar prej kaq kohësh. Jourdain Fletcher është bashkuar me grupin bardhekuq dhe ka zhvilluar daljen e parë në sy të trajnerit Ivan Gvozdenoviç, duke plotësuar kështu një pikë shumë të rëndësishme të sulmit bardhekuq.
Xhamajkani 24-vjeçar ka mbërritur në juglindje mbrëmjen e së enjtes dhe seancën e djeshme stërvitore është bashkuar me skuadrën. Edhe pse mbërriti me vonesë në radhët e bardhekuqve, në klub janë të bindur se përshtatja me ekipin dhe me ritmin e pjesës tjetër të grupit do të jetë e shpejtë. Të hënën më 7 gusht Skënderbeu do të luajë testin e fundit miqësor ndaj Flamurtarit në Korçë. Do të jetë kjo prova e fundit e korçarëve dhe trajnerit Ivan Gvozdenoviç për të testuar ekipin në prag të nisjes së sezonit të ri në datën 19 gusht, ku do të luajnë në transfertë përballë Egnatias.