E KRAHASOJNË ME GARETH BALE/ Alen Vukaj çmend Italinë, Interi i thur elozhe talentit kuqezi pas golit spektakolar!

by KLIKOJE.AL

Një gol që meriton duartrokitje dhe që ka tërhequr vëmendjen edhe në Itali. Alen Vukaj është protagonisti i momentit te Shqipëria U19, pasi realizoi një perlë të vërtetë në fitoren 0-4 ndaj Armenisë, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e kuqezinjve.

Talenti i Interit zgjodhi një mënyrë spektakolare për të lënë gjurmë në këtë takim. Gjithçka nisi me një shpërthim të jashtëzakonshëm në krahun e majtë, ku Vukaj la pas kundërshtarët me shpejtësi, përshkoi rreth 40 metra me topin në këmbë, u fut drejt qendrës dhe e dërgoi topin në rrjetë me një goditje të kalibruar në shtyllën e largët.

 

Një aksion individual që të kujton menjëherë një prej momenteve më ikonike të Gareth Bale, kur u nis nga krahu dhe kaloi mbrojtjen e Barcelonës në finalen e Kupës së Mbretit në vitin 2014, duke i dhuruar Real Madridit një fitore të paharrueshme.

Dhe nuk është rastësi që ky gol ka marrë vëmendje të veçantë. Edhe Inter.it, faqja zyrtare e klubit zikaltër, i ka kushtuar vëmendje paraqitjes së talentit shqiptar, duke e vlerësuar aksionin e tij dhe duke e lidhur me atë të famshmin të Bale. Një vlerësim domethënës për një futbollist që është pjesë e akademisë së Interit dhe që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje me potencialin e tij.

Vukaj duket se e ka kthyer në zakon realizimin e golave spektakolarë. Mjafton të kujtohen edhe dy realizimet e tij në UEFA Youth League: goli ndaj Shakhtar Donetsk, me një parabolë fantastike nga rreth 25 metra, si dhe ai ndaj Feyenoordit, pas një driblimi të dyfishtë mes mbrojtësve holandezë dhe një goditjeje të bukur me të djathtën.

Një tjetër sinjal pozitiv për futbollin shqiptar. Alen Vukaj po konfirmon se është një emër që meriton vëmendje, ndërsa paraqitjet me fanellën e Shqipërisë U19 dhe paraqitjet në arenën europiane me Interin premtojnë shumë për të ardhmen e tij.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.