E FUNDIT/ E ardhmja e Orges Shehit te Tirana mbetet mister, në prapaskenë dalin rivalët e bardhebluve

by KLIKOJE.AL

E ardhmja e Orges Shehit te Tirana mbetet ende e paqartë, pavarësisht punës së rëndësishme që tekniku durrsak bëri në muajt e fundit te bardheblutë. I afruar në një nga momentet më të vështira të sezonit, Shehi arriti t’i japë skuadrës stabilitet dhe një tjetër frymë, duke e udhëhequr drejt mbijetesës pas shumë vuajtjesh në kampionat. Me ardhjen e tij, Tirana ndryshoi ndjeshëm në aspektin e organizimit dhe rezultateve, ndërsa objektivi minimal, shpëtimi i sezonit, u arrit me shumë sakrifica. Megjithatë, kontrata e trajnerit tashmë ka përfunduar dhe rinovimi mes palëve ka mbetur pezull.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se dëshira e Shehit për të vazhduar projektin ekziston, por trajneri kërkon garanci më të forta nga drejtuesit. Përveç aspektit financiar, 47-vjeçari pret edhe sinjale konkrete për ndërtimin e një skuadre konkurruese, me një merkato cilësore që do t’i lejojë Tiranës të luftojë për titull sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, Klikoje Sport ka mësuar se në horizont ka dalë edhe Egnatia. Kampionët e Shqipërisë po ndjekin me interes situatën e teknikut, ndërsa presidenti Agim Demrozi mësohet se i ka ofruar Shehit një kontratë të rëndësishme financiare dhe projektin për të drejtuar skuadrën në Kupat e Europës.

Aktualisht pankina e Egnatias mbahet nga Nevil Dede, por palët kanë rënë dakord që trajneri aktual ta drejtojë ekipin deri në përfundim të aventurës në “Final Four”. Më pas pritet të ketë zhvillime të rëndësishme për stolin e kampionëve.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.