Bekim Balaj ka folur para gjysmëfinales së kthimit, që Vllaznia do luajë përballë Dinamos. Kujtojmë se takimi i parë u mbyll në barazim 1 me 1, ndërsa kualifikimi për në finale do të vendoset në Shkodër.
“Jemi në fazën më të rëndësishme, javët e fundit të kampionatit dhe takimi i dytë i gjysmëfinales së Kupës. Luajmë me Dinamon, një kundërshtar që kemi rivalizuar gjatë gjithë sezonit. Janë bërë ndeshje të bukura dhe luftuara. Dhe ndeshja në Tiranë ishte e tillë. Paraqitje shumë e mirë e jona. Mund të merrnim më shumë nga ajo ndeshje. Kthehemi në Shkodër, luhet gjithçka këtu për kualifikimin në finale.
Futbolli i ka të gjitha rezultatet brenda. Shpresoj të mos kemi nevojë të shkojmë në kohë shtesë apo dhe penallti, pas Dinamos kemi një ndeshje dhe më të rëndësishme ndoshta. Le të mendojmë për Dinamon fillimisht. Shpresoj se kryhet gjithçka brenda kohës së rregullt.
Gjithë e mendojmë avantazhin e fushës. Luajmë në fushë tonë, në “Loro Boriçi” para tifozëve tonë. Shpresoj shumë të jenë të shumtë nesër në mbështetje të skuadrës, pasi realisht kemi nevojë në këtë moment. Avantazhi i fushës, nuk e di sa mund të na shërbejë nesër. E dimë që duhet vetëm fitorja për të shkuar në finale, do luajmë gjithçka për atë rezultat.
Dinamo mbetet një skuadër cilësore. Ato po luftojnë për vendin e katërt në Final Four, por në Kupë është specifikë tjetër. Nuk e di sa e vërtetë është, që fituesja e Kupës mund të shkojë edhe në tur të dytë në Europë. Është shtysë akoma më e madhe për ekipet, për ta marrë këtë trofe. Dihet edhe vlera e prezencës në turin e dytë në Europë. Do jetë e luftuar se kush do shkojë në finale dhe kush do e fitojë.
Do bëjmë gjithçka për finalen. Si kapiten i ekipet i bëj thirrje të gjithëve, që nesër të jenë në stadium dhe ta mbështesin shumë skuadrën. Realisht në këtë periudhë kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Shpresoj të jenë të shumtë në numër dhe të na japin një shtysë më shumë”, u shpreh Balaj para mediave.