Manaj kapet keq me gazetaren në studio: Po luajmë për Botëror, normal që është e vështirë të…

by KLIKOJE.AL

Barazimi në Riga kundër Letonisë la më shumë hije se dritë për Shqipërinë, e cila humbi një tjetër mundësi për të marrë pikët e plota në rrugën drejt Botërorit 2026. Një sfidë e vuajtur, e komplikuar nga mungesa e saktësisë para portës dhe nga një gabim që solli golin e barazimit për vendasit. Në përfundim të sfidës, për mediat foli edhe sulmuesi Rey Manaj, i cili nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën si rrodhën ngjarjet.

“Normalisht isha i kënaqur kur shënuam golin e barazimit 1-1. Pastaj, si mori ndeshja, nuk ishim shumë të përqendruar. Iu thashë çunave, më mirë ta hidhnim topin sipër. Ndodhin edhe këto situata, por të ulim kokën, të përmirësohemi dhe të arrijmë objektivin në këto eliminatore. Autogol apo gol? Besoj se e preka unë në fund topin me gjoks. Megjithatë, rëndësi ka suksesi i Shqipërisë”.

Pastaj, debati me gazetarët dhe analistët në studion e TV Klan nuk mungoi, sidomos kur u ngrit çështja e vështirësisë së Shqipërisë për të shënuar gola në këto ndeshje. Ilda Bejleri i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë, duke theksuar atë që shumë tifozë kishin menduar: Sa e vështirë është të shënojmë…

Përgjigja e Manajt nuk la vend për shumë interpretime: “Sepse po luajmë për Kupën e Botës, normal që është e vështirë të shënosh gol. Nuk po luajmë kalçeto me shokët. Futbolli nuk luhet me matematikë, sepse Letonisë, që është më poshtë në renditjen e FIFA-s, t’i shënosh 5 gola, dhe Serbisë, që është më mirë, t’i shënosh më pak, nuk shkon si logjikë. Mund të jetë edhe ngarkesa, kaluam presion të madh në ndeshjen ndaj Serbisë. Kjo është pjesë e futbollit. Do të stërvitemi të shënojmë gol në ndeshjet e tjera”.

Një deklaratë e qartë nga sulmuesi kuqezi, që kërkoi të kujtonte se eliminatoret e Botërorit nuk janë shëtitje, por çdo sfidë është betejë më vete. Në studio, ndërkohë, edhe Edmond Kapllani kishte gati një tjetër kritikë, këtë herë për numrin e pakët të goditjeve drejt portës kundërshtare: “Pse e keni ta vështirë të godisni portën?”

Manaj e pranoi me sportivitet problemin, por pa harruar të kujtojë edhe vështirësitë taktike që i paraqiti kundërshtari: “Është e drejtë, pasi e kemi gjetur pak portën. Mos harroni se Letonia qëndroi pas me 5 mbrojtës, është e vështirë të marrësh topin dhe ta gjesh portën. Do të provojmë të përmirësohemi, ishalla ndeshjet që vijnë të bëjmë më mirë, të marrim më shumë pikë”.

Një mbrëmje me shije të hidhur për Shqipërinë dhe Manajn personalisht, që ishte kapiten kësaj here, por me besimin se rruga është ende e hapur dhe gjithçka mund të përmirësohet, nëse skuadra rikthen qetësinë, përqendrimin dhe efektivitetin përpara portës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.