Tirana ka shmangur në momentin e fundit një tjetër situatë delikate që rrezikonte të komplikonte ndjeshëm javën e dytë. Vetëm një ditë përpara transfertës me Teutën, bardheblutë kanë arritur të shlyejnë detyrimet financiare ndaj dy ish-lojtarëve, Fjoart Jonuzit dhe Ardit Deliut, duke shmangur kështu rrezikun e bllokimit të merkatos dhe pamundësisë për të regjistruar afrimet e fundit.
Problemet për klubin kryeqytetas nuk janë të reja. Që në javën e parë të kampionatit, Tirana u përball me një situatë të ngjashme. Për shkak të një detyrimi ndaj ish-trajnerit Bordin, klubi nuk ishte në gjendje të regjistronte lojtarët e federuar, çka e detyroi skuadrën të përballej me Egnatian me grupin që kishte në dispozicion. Pra, në rast të moslikuidimit të borxhit, bardheblutë do të udhëtonin drejt Durrësit për përballjen me Teutën me të njëjtët lojtarë që kishin në dispozicion në ndeshjen ndaj Egnatias. Afrimet e fundit do të mbeteshin jashtë dhe klubi do të përballej sërish me pamundësinë për t’i regjistruar.
Megjithatë, vetëm 24 orë para sfidës, Tirana arriti të zgjidhë situatën. Detyrimet ndaj dy ish-lojtarëve janë shlyer dhe tashmë rruga u hap për regjistrimin e afrimeve të fundit.

