Mbrëmja e sotme në “Final 4” të Abissnet Superiore premton spektakël dhe emocione të forta, pasi në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania” përballen Vllaznia dhe Egnatia në një duel vendimtar për fatin e titullit kampion. Të dy skuadrat vijnë me nga 31 pikë, por shkodranët kanë avantazhin e rezultateve direkte dhe një fitore sot do t’i afronte ndjeshëm me trofeun, duke nxjerrë njëkohësisht nga gara Egnatian dhe Dinamon.
Tek Vllaznia, trajneri Edi Martini pritet t’i besojë sërish portierit Pohls, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen Gjini, Çelikoviç dhe Pusi. Në mesfushë pritet aktivizimi i Gurishtës dhe Jagos në krahë, me Dros, Krymi dhe Kallaku në qendër, ndërsa sulmi pritet të përbëhet me Balajn dhe Dodajn.Nga ana tjetër, Nevil Dede nuk pritet të ndryshojë formacionin e Egnatias pas paraqitjes pozitive në ndeshjen e fundit. Tandilashvili konfirmohet në portë, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Alijev, Poçi, Xhemajli dhe Sota. Në mesfushë do të luajnë Aleksi, Kryeziu, Haime dhe Fernando, ndërsa në sulm besimi mbetet te dyshja Gruda-Bakajoko.
