Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Receta

  • Patate të pjekura me vezë

    Patate të pjekura me vezë

    Përbërësit:

    • 4 patate
    • 2 qepë
    • 2 gota ujë
    • 2 decilitra vaj
    • erëza të thata
    • kripë dhe piper i zi

    Hapat:

    Në një enë rezistuese ndaj zjarrit hidhni qepën e grirë, pastaj shtoni pataten e prerë në feta, erëzat dhe vajin dhe që të gjitha përzieni me dorë.

    Pastaj hidhni ujë dhe futeni në furrë në 250 gradë celsius që të piqet.

    Tundni shtesën nga vezët, vaji, erëzat dhe mielli dhe që të gjitha hidhini sipër patateve.

    Futeni sërish në furrë që të piqet.

    Në patatet e pjekura të nxehta mund të hidhni edhe pak kaçkavall të grirë në rende.

    Ju bëftë mirë!

  • Bars të shëndetshëm pa pjekje

    Bars të shëndetshëm pa pjekje

    Bars të shëndetshëm pa pjekje, janë alternative ideale si për mëngjes apo zamër të shëndetshëm, të shpejtë e pa shumë mundim.

    Mund të marrim pak kohë gjatë një dite të lirë dhe të kemi bars përgjatë gjithë javës. Mjafton pasi ti presim ti mbështjellim me letër celofoni dhe ti ruajmë në frigorifer.

    • Mund të përdorni kajsi apo fiq të thatë në vend të hurmave të arabisë nëse dëshironi.
    • Gjithashtu dhe frutat e thata mund ti kombinoni sipas dëshirës suaj.

    Përbërësit:

    400 gram hurma arabie

    125 gram arra

    70 gram bajame

    50 gram arrë kokosi e grirë

    pak kripë me majat e gishtave

    70 gram fara luledielli dhe kungulli

    Proçedura:

    Pastroni hurmat e arabisë nga bërthama e tyre.

    Në një grirës ushqimor vendosni hurmat e arabisë dhe pulsoni për disa sekonda deri sa të fillojë masa të bëhet njësh.

    Shtoni të gjithë përbërësit e tjerë me rradhë duke lënë pak mënjanë fara luledielli dhe kungulli.

    Pulsoni disa sekonda, fikni, përzieni me një spatul nëse është e nevojshme dhe pulsoni sërish deri sa të keni konsistencën finale.

    Deri sa kur të merrni pak masë në dorë dhe ta shtypni ajo të mbajë formën e saj.

    Përgatisni një tepsi katrore 20×20 cm me letër furre duke u siguruar që të lini të paktën 2 anë jashtë (kjo do të bëjë të mundur daljen e masës më vonë tejet lehtësisht).

    Vendosni brumin brenda, sheshoni pak me dorë, shtoni farat e mbetura të lulediellit dhe kungullit dhe vazhdoni me dorë të presoni masën.

    Për ta ndihmuar sa më shumë këtë proçes vendosni një tjetër letër furre sipër dhe me dorë ose ndonjë enë qelqi filloni ushtroni presion në mënyrë që bars të jenë kompakt.

    Vendoseni masën në frigorifer të mpikset, ose nëse nuk keni kohë vendoseni tek ngrirja për 30 minuta.

    Nxirreni duke e hequr lehtësisht të gjithë masën duke përdorur anët e dala të letrës së furrës.

    Prini bars tuaj me një thikë të madhe në formën dhe madhësinë e dëshiruar.

    Burimi: kikiliciouss.com

  • Receta në 2 minuta/ Quinoa me Perime

    Receta në 2 minuta/ Quinoa me Perime

    Përbërësit: 

    • 150 g quinoa,
    • 1 qepë,
    • 1 spec i kuq,
    • 1 karotë,
    • 1 brokoli,
    • 1 kungulleshkë,
    • kripë,
    • piper,
    • rozmarinë,
    • majdanoz dhe vaj ulliri.

    Përgatitja: 

    Ziejmë quinoan me ujë dhe kripë pasi e kemi shpëlarë mirë me ujë të rrjedhshëm. Në tigan me vaj ulliri kaurdisim qepën me rozmarinën, shtojmë specin e kuq, karotën, kungulleshkën dhe brokolin. I shtojmë pak ujë sa të zbuten dhe në fund shtojë quinoan e zierë. Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe vaj ulliri të freskët.

  • Dollma me lakër të bardhë të pjekura në furrë

    Dollma me lakër të bardhë të pjekura në furrë

    Edhe pse receta tradicionale nuk përfshin pjekjen e dollmave në furrë, AgroWeb.org ju sugjeron që ta provoni këtë mënyrë të përgatitjes së tyre.

    Të mbushura me mish të grirë e oriz, gjethet e lakrës kthehen në një vakt plot shije dhe vlera.

    Ajo çka ndryshon tek receta e AgroWeb.org është shtresa e salcës së domateve e cila mbështjellë dollmatë.

    Salca krijon shtratin perfekt për t’i ruajtur dollmatë e buta dhe u jep një shije akoma dhe më të mirë.

    Ndiqni hapat e përgatitjes dhe provojeni që sot shijen e tyre të mrekullueshme.

    Përbërësit

    1 lakër e plotë e bardhë

    Gjysmë kg mish i grirë

    Vaj ulliri

    2 kokrra qepe

    4 thelpinj hudhre

    Dy filxhanë çaji me oriz

    Piper i kuq

    Piper i zi

    2 gota e gjysmë uji me salcë domatesh

    Përgatitja

    Ndajmë të gjitha gjethet e lakrës së bardhë nga kërcelli.

    I pastrojmë me ujë të bollshëm dhe i vendosim në një tas.

    Qepën dhe hudhrat i grijmë hollë përmes një thike të mprehtë.

    Në një tigan hedhim vajin e ullirit dhe e vendosim në zjarr.

    Hedhim qepët dhe hudhrat dhe i kaurdisim për pak minuta derisa volumi i tyre të bjerë. Në këtë moment i heqim nga zjarri.

    Hedhim mishin e grirë në një tas, hedhim gjithashtu qepët dhe hudhrat e kaurdisura, hedhim orizin, piperin e kuq dhe piperin e zi bashkë me kripën.

    I përziejmë derisa të sigurohemi që masa është e njëtrajtshme.

    AgroWeb.org ju këshillon që t’i skuqni derisa mishi të marri ngjyrën e tij karakteristike.

    Mbushja e Gjetheve të Lakrës së Bardhë

    Pasi kemi gati mbushjen, nisim përgatitjen e dollmave.

    Hapim një gjethe lakër, në qendër të saj vendosim një lugë me mbushjen e përgatitur.

    Kthejmë anët e lakrës duke mbështjellë mbushjen e më pas e paketojmë në formën e rolesë.

    Vijojmë kështu edhe me gjethet e tjera duke ruajtur tre të tillë për më vonë.

    Pasi kemi përgatitur të gjitha roletë e dollmave të mbushura lyeni tavën me vaj dhe hidhni aty gjysmën e salcës së domateve.

    Mbi të nisim të vendosim me radhë roletë e dollmave. Pjesën tjetër të mbetur të salcës hidheni sipër dollmave.

    Futeni tavën në furrë të parangrohur me 200 gradë dhe piqeni për 40-45 minuta.

    Nëse nuk jeni të sigurt nëse dollmatë janë pjekur, mjafton që t’i shponi me një thikë dhe të shihni nëse orizi dhe mishi është gatuar.

    Burimi: Agroweb.org

  • Si të përgatisni në shtëpi llokume me arra/ Receta e përsosur

    Si të përgatisni në shtëpi llokume me arra/ Receta e përsosur

    Dikur qerasja e miqve me llokume simbolizonte lidhjen e nishaneve të dy të dashuruarve. Fejesën e martesën, traditë që vijon të ruhet edhe sot.

    Padyshim janë ndër ëmbëlsirat më fisnike shqiptare. Prej shekujsh me radhë llokumet janë shndërruar në një traditë e kuzhinës shqiptare, megjithëse origjina e tyre është kuzhina turke.

    Me arra apo me shurup trëndafili këto janë dy mënyrat speciale të amvisave shqiptare në përgatitjen e llokumeve.

    Mahnitëse e të plota në shije, llokumet qendrojnë në piedestalin e ëmbëlsirave tradicionale shqiptare

    Nëse doni të përgastini diçka të veçantë për të dashurit tuaj, të gostisni miqtë dhe t’u shprehni atyre mikpritjen, ndiqni këtë recetë të thjeshtë të AgroWeb.org për të dhuruar vërtetë momente të ëmbla kënaqësie në familje.

    Duhet vetëm pak durim e shumë dashuri në përgatitjen e këtyre ëmbëlsirave të vogla me arra dhe gjithçka brenda një ore është gati.

    Përgatitja e Llokumeve me Arra Lehtë në Shtëpi

    Përbërësit

    2 gota sheqer

    1 gotë ujë

    2 lugë gjelle me niseshte

    1 lugë kafeje me limontos (ose lengu i nje kokërr limoni)

    3 lugë gjelle sheqer pluhur

    2 lugë gjelle miell

    1 tas i vogël me arra të thërrmuara

    Përgatitja  

    Hedhim sheqerin dhe ujin në një tenxhere dhe i lëmë të zjejnë në një nxehtësi të ngadaltë derisa masa të shndërrohet në shurup të trashë.

    Gjatë kësaj kohe, në një tas të vogël hollojmë më pak ujë niseshtenë derisa të shkrijë tërësisht. Pasi ka shkrirë e hedhim tek shurupi dhe më pas shtojmë limontosin.

    Vijojmë të përzjejmë masën derisa masa të trashet plotësisht.

    Në fund, AgroWeb.org u sugjeron që të shtoni arrat e thërrmuara dhe vijoni t’i përzjeni duke ulur edhe më tej nivelin e nxehtësisë.

    Vijojmë të përzjejmë deri në momentin që masa nis të shkëputet nga anët e tenxheres.

    Në këtë koment e heqim nga zjarri dhe e vendosim në një tepsi apo të tavë të spërkatur më parë me miell të situr nga të gjitha anët.

    E lëmë të ftohet dhe të pushojë dhe ditën e nesërme e presim në kubikë të vegjël apo forma të tjera sipas preferencës.

    Në fund e spërkasim pak sheqer pluhur. E servirim si gosti ndaj miqve apo për të ëmbëlsuar veten dhe të dashurit në familje.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Supë me hithra/ Një barishte e fuqishme në aspekt vlerash ushqyese dhe kuruese

    Supë me hithra/ Një barishte e fuqishme në aspekt vlerash ushqyese dhe kuruese

    Hithra është një barishte e fuqishme në aspekt vlerash ushqyese dhe kuruese për organizmin e njeriut.

    Hithra është një bimë premtuese në trajtimin e sëmundjeve të Alzheimer, artritit, astmës, infeksioneve të fshikëzës së urinis, bronikitit, gurëve në veshka, sklerozës, e shumë të tjerave.

    Në këtë artikull do të mësoni një recetë të shëndetshme e të thjeshtë për gatimin e supës me hithra

    Përbërësit:

    • 400 gr hithër (të freskët)
    • 2 patate (mesatare)
    • 3-4 lugë vaj ulliri
    • 2-3 qepë e njomë (ose një qepë e vogël e thatë)
    • kripë
    • piper (sipas dëshirës)
    • 4 gota lëng perimesh (ose lëng pule)
    • 2-3 thelpij hudhër
    • pak nenexhik
    • lule vjollca ((bio))
    • 150 ml qumësht (ose krem pana)
    • pak kos (për dekor të supës)


    Përgatitja:


    1 – Hithrat e lara dhe të pastruara mirë i përvëlojmë në ujë të vluar me pak kripë dhe i vemë menjëherë në ujë të ftohtë ose ujë me akull, për të ndërprerë zierjen e tyre dhe që të ngelet ngjyra e bukur e gjelbër.


    2 – Në një tenxhere kavërdisim qepën e grirë imët me vajin e ullirit. Shtojmë pak nenexhik, hudhrën dhe patatet. I shuajmë me lëngun e zarzavateve dhe i lemë të ziejnë në zjarr të ngadaltë rreth 10-15 minuta derisa të jenë zier plotësisht patatet.


    3 – Shtojmë edhe hithrat e përvëluara e të kulluara mirë nga lagështira e tepërt dhe i lemë të ziejnë edhe rreth 5-7 minuta të tjera. (Nuk kanë nevojë të ziejnë shumë pasi kemi përdorur vetëm maja hithrash të njoma.) Shtojmë pak nenexhik të njomë nga fundi dhe pastaj me blender e bëjmë pure dhe rregullojmë trashësinë e supës


    4 – Rregullojmë me qumësht trashësinë e supës. E zbukurojmë me kos dhe me lule vjollce.

  • Sultjash me mollë dhe arra/ Ëmbëlsira e shëndetshme që duhet të provoni patjetër

    Sultjash me mollë dhe arra/ Ëmbëlsira e shëndetshme që duhet të provoni patjetër

    Sultjashi në traditën tonë është një nga pjatat që gjyshet dhe nënat përgatisnin për fëmijët e tyre.

    Por nga ana tjetër sultjashi ishte edhe një ëmbëlsirë e shpejtë dhe e plotë.

    Me përgatitje të thjeshtë dhe me pak përbërës, sultjashi ishte zgjidhje kur nepsi kërkonte diçka të ëmbël.

    Një mënyrë tjetër për të përgatitur këtë recetë fantastike duke e pasuruar atë me mollë të freskëta dhe arra e kanellë, sultjashi do të kthehet në një delikatesë unike.

    Ndiqni këshillat e shpjeguara mëposhtë dhe përgatiteni që sot këtë recetë.

    PËRBËRËSIT

    1 filxhan kafeje me oriz

    2 lugë gjelle sheqer

    1 lugë gjelle niseshte

    1 mollë

    50 gr arra

    500 ml qumësht

    PËRGATITJA

    Në një tenxhere vendosni të ziejë me pak ujë orizin.

    Sapo të shihni që kokrrat e orizit të jenë zbutur pak shtoni qumështin dhe përziejeni herë pas here që përbërja të mos ngjitet.

    Pasi qumështi të ketë zierë shtoni niseshtenë dhe sheqerin dhe përsëri përziejeni derisa masa të trashët.

    Kur masa kremoze të jetë mpiksur, qëroni dhe prisni mollën dhe hidheni tek sultjashi bashkë me arrat.

    Përziejeni lehtë sultjashin dhe ndajeni në tasa të vegjël.

    Nëse dëshironi mund ta spërkatni me kanellë për t’i dhënë një shije akoma edhe më të mirë.

    Lëreni që të ftohet pak dhe mund ta shërbeni për të dashurit tuaj.

    Sultjashin mund edhe ta fusni në frigorifer për një apo dy orë dhe ta konsumoni të freskët, ose mund ta konsumoni të ngrohtë.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Strudel me reçel kumbulle. Ëmbëlsira që duhet të provoni

    Strudel me reçel kumbulle. Ëmbëlsira që duhet të provoni

    Strudeli është një ëmbëlsirë e shpejtë dhe shumë e shijshme që shuan mjaft mirë nepsin për ëmbëlsira.

    Ai mund të përgatitet me fruta të freskëta ose me reçel.

    Përzgjedhja e frutit apo reçelit është tërësisht në varësi të shijes dhe preferencës.

    Strudel Me Reçel Kumbulle

    Për dashamirësit e reçelit të kumbullës, AgroWeb.org servir një recetë të thjeshtë dhe plot shije të strudelit.

    Përbërësit:

    • 1 lugë çaji maja
    • 2-5 lugë gjelle sheqer të bardhë
    • 1 lugë gjelle gjalpë
    • 300 ml qumësht
    • 500 gramë miell
    • Një majë luge gjelle kripë
    • 1 vezë e plotë dhe e verdha e një veze tjetër.
    • 200 gramë reçel kumbulle

    Përgatitja:

    Në një enë hidhni 3 lugë gjelle ujë të ngrohtë, majanë dhe gjysëm luge gjelle sheqer.

    Lëreni mënjanë për 10 minuta ose derisa lëngu të bulëzojë.

    Në një tenxhere më të vogël bashkoni qumështin dhe gjalpin.

    Kur gjalpi të shkrijë në qumësht hiqeni nga zjarri dhe lërini të ftohen për disa minuta.

    Në një enë tjetër përzieni miellin, kripën, 2 lugë gjelle sheqer dhe një vezë.

    Shtoni masën e majasë dhe të sheqerit dhe më pas më ngadalë qumështin dhe gjalpin duke e punuar brumin fort për 10 minuta.

    Nëse brumi është shumë i trashë shtoni pak ujë të vakët.

    Lëreni brumin në një vend të ngrohtë që të vijë për 30-45 minuta ose derisa të dyfishohet në masë.

    Më pas hidhni një shtresë mielli në vendin tuaj të gatimit dhe punojeni brumin aty duke e ndarë në dy copa të barabarta.

    Shtresën e parë të brumit bëjeni në formë drejtkëndore dhe më pas shtoni 5-6 lugë me reçel kumbulle.

    Mbështilleni brumin në formë roleje, spërkateni me miell dhe vendoseni në tavë.

    Të njëjtën gjë bëni edhe me copën e dytë të brumit.

    Të verdhën e mbetur të vezës rriheni fort dhe me të lyeni sipërfaqen e strudelit.

    Lërini të rrijnë në tavë për 30-45 minuta dhe ndërkohë ndizeni furrën.

    Futeni tavën në furrë dhe piqini për 15 minuta në temperaturë të lartë dhe më pas uleni pak.

    Mbështilleni strudelin me letër alumini dhe lëreni të piqet për 20 minuta të tjera.

    Pak përpara përfundimit, hiqeni letrën e aluminit dhe fikeni furrën.

    Pas pesë minutash hiqeni strudelin nga furra dhe lërini pak kohë të ftohet përpara se ta konsumoni.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Kek i shijshëm me kumbulla

    Kek i shijshëm me kumbulla

    Nëse ju kanë mbetur pak kumbulla në frigorifer, mos i hani, ose më saktë hajini por në kekun e mëposhtëm. Dhe duke qenë se e shtuna na bën bashkë në tryezë pas impenjimeve në punë apo shkollë, kjo është receta ideale për drekën e sotme.

    PËRBËRËSIT: 3 vezë, 175 g sheqer, 175 g gjalpë, 175 g miell, 500 g kumbulla, 50 g çokollatë, 50 g lajthi ,1 fryrës keku me vanilje dhe pak kripë.

    PËRGATITJA: Pastrojmë kumbullat dhe i ndajmë në copa. Rrahim vezët me sheqerin derisa të dyfishohet masa, shtojmë gjalpin e tretur, miellin, fryrësin me vanilje dhe i përziejmë mirë. Shtojmë çokollatën, lajthitë dhe kumbullat. Shtrojmë brumin në tavën e lyer me gjalpë dhe e pjekim në furrë të para ngrohur për 50 minuta me 180 gradë.

  • Omleta e vjeshtës me patate/ Receta e shpejtë dhe plot shije

    Omleta e vjeshtës me patate/ Receta e shpejtë dhe plot shije

    Një nga arsyet që mëngjeset të nisin mirë, janë pa dyshim ushqimet e mrekullueshme të cilat i shoqërojnë.

    Sa më i bollshëm dhe më i shijshëm të jetë mëngjesi, me po aq energji do të nisë edhe dita.

    Kështu që çfarëdo që të bëni, mos e lini kurrë mëngjesin pa ngrënë.

    Në mënyrë që të merrni çdo energji të nevojshme që me tu zgjuar nga krevati.

    Ndiqeni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së recetës, për ta gatuar shpejt e shpejt çdo mëngjes në shtëpitë tuaja.

    Kjo recetë mund të serviret për katër persona, ndaj ju mund ta përgatisni për të gjithë familjen si një vakt të shijshëm e të ngrohtë.

    Përbërësit

    6 vezë

    2 patate mesatare

    2-3 qepë të njoma

    gjysmë qepe të verdhë

    60 ml vaj ulliri

    kripë

    Përgatitja

    Për të nisur këtë recetë duhet që të lani dhe qëroni patatet me kujdes.

    Pritini në feta të holla rrumbullake 5-6 cm secila dhe skuqini në një tigan të nxehur me vaj ulliri.

    Lërini ato të skuqen derisa të marrin ngjyrë të artë nga të dyja anët dhe të zbuten pak.

    Bëjeni këtë me të gjithë rrathët e patateve herë pas here, derisa të mbarojnë.

    Në fund vendosini në një pjatë të shtruar me letër thithëse kuzhine.

    Pastrojeni më pas tiganin me kujdes dhe bëjeni gati sërish për skuqje, duke i hedhur 1 lugë gjelle vaj.

    Pasi të keni hequr patatet, tek tigani shtoni qepët e njoma të grira dhe gjysmën e qepës së verdhë, po ashtu të grirë.

    Lërini qepët të skuqen derisa të zbuten dhe të marrin ngjyrë, e më pas sipër shtroni një nga një patatet që përgatitët më parë.

    Sigurohuni që qepët të jenë përhapur mirë nëpër të gjithë sipërfaqen e tiganit, po ashtu edhe fetat e patateve që vendosët sipër.

    Ndërkohë në një enë të thellë rrihni me kujdes të gjitha vezët dhe shtojini tek tigani me patatet.

    Shtoni pak kripë dhe tundni pak tiganin, në mënyrë që veza e rrahur të përhapet mirë.

    Më pas lëreni në zjarr në nxehtësi mesatare, derisa të shikoni që e gjithë veza sipër është gatuar dhe mpiksur, gati për t’u ngrënë.

    Lëreni të gatuhet për rreth 20 minuta dhe gjatë 5 minutave të fundit ngrini pak nxehtësinë e zjarrit, në mënyrë që sipërfaqja e omletës të marrë ngjyrë të artë.

    Kur të jetë gati hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak, më pas mund ta prisni sipas dëshirës dhe t’a shërbeni.

    Këtë omletë mund ta konsumoni direkt pasi e keni përgatitur apo mund ta ruani deri ne 2-3 ditë të mbyllur në frigorifer.

    Burimi: AgroWeb.org