Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: embelsire

  • Tradita pogradecare – Dredhanik me arra dhe shërbet

    Tradita pogradecare – Dredhanik me arra dhe shërbet

    Dredhanik me arra dhe shërbet! Një ëmbëlsirë tradicionale, tipike e zonës së Pogradecit, e përgatitur krejt lehtë dhe shpejtë me një shije unike që të përfshin tërësisht.

    Dredhaniku me arra dhe shërbet është një specialitet i amvisave pogradecare, të cilat jetë e mot e kanë përgatitur këtë ëmbëlsirë në rasta të veçanta festash apo edhe gëzimesh familjare.

    Më poshtë gjeni recetën fantastike të përgatitjes së dredhanikut me arra dhe shërbet krejt lehtë në shtëpi.

    Një mënyrë ideale për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.

    Përgatitja e Dredhanikut me Arra në Shtëpi

    Përbërësit

    (Sasia e përbërësve përzgjidhet sipas preferencës, më poshtë përbërësit janë për 12 dredhanikë)

    3 petë të gatshme ëmbëlsirash

    1 flxhan çaji me arra të thërrmuara

    Gjysmë filxhani çaji me gjalpë të shkrirë

    Thelpinj arrash

    Për shërbetin

    1 gotë sheqer

    2 gota ujë

    Pak lëkurë limoni të grirë ose lëkurë portokalli

    1 lugë gjelle lëng limoni

    Një lugë gjelle kanellë

    Përgatitja

    Hapim petën e parë dhe e lyejmë me gjalpë të shkrirë përmes një furçe kuzhinë.

    Hedhim një pjesë të arrëve të thërrmuara dhe më pas petën e mbledhim në formën e rolesë.

    Më pas, rolenë priteni në katër pjesë me gjatësi 10 centimetra dhe secilën prej pjesëve e mbledhim në formë rrumbullake duke i vendosur një thelpi are në mes.

    Kështu vijojmë edhe me dy petat e tjera.

    Dredhanikët i vendosim në një tavë dhe i lyejmë sipër me gjalpë përmes furçës së kuzhinës.

    I vendosim në furrë të parangrohur dhe i lëmë të piqen përreth 20 minuta derisa sipërfaqja e dredhanikëve të bëhet e kuqërremtë.

    Nga ana tjetër përgatisim shërbetin. Hedhim ujin, sheqerin dhe i lëmë të ziejnë derisa shërbeti të lidhet.

    Në fund i shtojmë lëkurën e grirë të portokallit apo limonit, kanellën dhe lëngun e limonit.

    Shërbeti lihet që të vaket dhe hidhet mbi dredhanikët kur këta të fundit të jenë të vakët gjithashtu.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Reçeli special me feta portokalli

    Reçeli special me feta portokalli

    Kjo është koha e duhur e vitit kur portokallet e freskëta fillojnë dhe mbushin tregjet kudo.

    Është e sigurt se agrumet e kësaj stine nuk janë produkte të ruajtura në frigorifer dhe as të trajtuara për të rezistuar gjatë.

    Është momenti më i mirë për të shfrytëzuar freskinë dhe vlerat e portokalleve.

    Pra, është koha më e mirë për të bërë reçel të shijshëm me feta portokalli të ëmbël.

    Kjo recetë realizohet shumë thjeshtë në kushtet e shtëpisë tuaj. Ndërkohë ju mundëson të ëmbëlsoni mrekullisht të afërmit dhe miqtë tuaj.

    Përbërësit e recetës së reçelit me feta portokalli

    5-6 Portokalle të madhësisë mesatare

    Rreth 1 kg sheqer

    Lëng i shtrydhur nga 2 kokrra portokalli

    Pak vanilje

    2 lugë gjelle me lëng limoni të shtrydhur

    Përgatitja e Portokalleve

    Me ndihmën e një rendeje qërojmë vetëm sipërfaqen e cipës së portokalleve kokërr pa nxjerrë krejtësisht në pah tulin e bardhë poshtë lëkurës.

    Vendosini portokallet e qëruara në një tenxhere plot me ujë të nxehtë dhe lërini të vlojnë dy herë nga 15 minuta, duke ndërruar ujin çdo herë.

    Kjo lehtëson njëtrajtësimin e tulit në brendi të portokallit dhe eliminimin e hidhësisë së mundshme.

    Hiqini nga zjarri, kullojini dhe lërini të ftohen. Më pas, prisni portokallet në feta me trashësinë e një gishti.

    Në një tenxhere të pastër me fund të gjerë, vendosni fetat e portokalleve, hedhim lëngun e përgatitur të 2 portokalleve të shtrydhura dhe i mbulojmë me një shtresë të hollë me sheqer.

    Lërini ashtu jashtë frigoriferit gjatë gjithë natës duke e mbuluar enën me një pecetë të pastër.

    Përgatitja e Reçelit

    Në një tenxhere hedhim sheqerin dhe ujin. Masat e ujit do jetë 500 ml ujë për një kilogram sheqer.

    I lëmë të zjejnë dhe kujdesemi të heqim shkumën e cila nis të krijohet gjatë procesit të zjerjes.

    Pasi kemi hequr shkumën dhe shurupi trashet në formën e sherbetit hedhim brenda enës fetat me portokalle.

    Procesi i fundit 

    I lëmë të zhytura në shërbet derisa të nisin zjerjen. Gjatë procesit kujdesemi që të heqim shkumën.

    Nga momenti që nis zjerja e lëmë përreth 20-30 minuta në zjarr.

    Më pas e heqim nga zjarri dhe e lëmë në tenxhere. Pasi të ftohet masa, gjykoni nëse duhet ta vini përsëri në vlim për disa minuta sipas dëshirës për ta pasur shërbetin më të hollë ose më të trashë.

    Më pas, hedhim lëngun e limonit dhe e trazojmë.

    E heqim nga zjarri dhe pasi ftohet shtojmë vaniljen. Mund të përdorni edhe pak kanellë, karafila të thatë, ose disa gjethe barbaroze të freskët.

    Pasi ta trazoni përfundimisht kalojeni reçelin në kavanoza të sterilizuar dhe të ngrohtë.

    Kthejini kavanozat e mbyllur fort me kokë poshtë derisa të ftohen plotësisht. Pas hapjes së parë, është mirë që kavanozin ta mbani në frigorifer.

    Ëmbëlsohuni me një a dy feta të tilla reçeli në ditë që të mos e mbaroni sasinë sa hap e mbyll sytë.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Ëmbëlsirë e veçantë/ Kek me të bardhat e vezëve dhe kafe

    Ëmbëlsirë e veçantë/ Kek me të bardhat e vezëve dhe kafe

    Nëse jeni lodhur nga recetat e zakonshme të kekut, me qumësht, vezë e kos, ju themi menjëherë se ky kek është ndryshe.

    Me aromë të veçantë kafeje dhe me lehtësinë e butësinë që dhuron shkuma e të bardhës së vezës, ky kek do ju rrëmbejë shumë shpejt të gjithë shqisat dhe zemrën.

    Nëse preferoni shijet e balancuara, pa shumë sheqer apo sherbet, këtë recetë duhet ta provoni patjetër.

    Ndiqni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tij dhe shijojeni në shtëpitë tuaja.

    Përbërësit

    70 ml kafe

    250 ml të bardha vezësh

    170 gr sheqer

    120 gr vaj luledielli

    170 gr miell 00

    8 gr maja për ëmëblsira

    Bajame

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e këtij keku si fillim përgatisni kafen dhe lëreni të ftohet në temperaturë ambienit.

    Më pas në një enë shtoni të gjithë të bardhat e vezëve dhe përziejini me një rrahës elektrik.

    Përziejini ato derisa të formohet shkuma e bardhë klasike e të bardhave të vezëve.

    Në një tjetër enë shtoni sheqerin, vajin e lulediellit, kafen e ftohur dhe përziejini të gjitha bashkë derisa të formohet një masë e njëtrajtëshme.

    Po këtu pak nga pak shtoni edhe miellin bashkë me majanë për ëmbëlsira duke përzier vazhdimisht në mënyrë që të formohet një masë brumi.

    Tani shtoni tek brumi shkumën e të bardhave të vezëve që krijuar më parë.

    Shtojeni pak nga pak dhe përzieni në mënyrë që brumi të lidhet e të jetë sa më homogjen dhe jo shumë I ujshëm.

    Pasi ta keni përzier brumin mirë nga poshtë lart, hidheni në një tavë me vrimë në mes dhe diametër 24 cm të cilën është mirë që ta lyeni me pak vaj e miell përpara.

    Në këtë mënyrë keku nuk do të ngjitet dhe do të dalë me lehtësi nga tava.

    Pasi ta keni shtruar kekun të gjithin në tavë, sipër grijini disa copëza bajamesh dhe futeni të piqet.

    Piqeni për 35 minuta në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë C.

    Kur të keni marrë ngjyrë të artë të lehtë, nxirreni nga furra dhe spërkateni me pak sheqer pluhur për ta konsumuar menjëherë.

  • Zupa shtëpie me vanilje me aromë dhe shije të mrekullueshme

    Zupa shtëpie me vanilje me aromë dhe shije të mrekullueshme

    Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me biskota për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.

    E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.

    Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.

    Një shije krejt tjetër, me aromë fantastike, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, biskotat e thërrmuara por edhe arrat si gjithashtu.

    Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.

    Përgatitja e Zupave në Shtëpi

    Përbërësit 

    1.5 litra qumësht

    2 të verdha veze

    9-10 lugë sheqer

    7 lugë niseshte

    2 lugë kafeje vanilje

    1 pako biskota të thjeshta të thërrmuara

    Një grusht arra të thërrmuara

    Kanellë

    Përgatitja

    Si fillim, në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

    Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy të vërdheat e rrahura të vezëvem sheqerin dhe niseshten.

    Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.

    Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.

    E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.

    I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

    Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë me biskota të thërmuara por edhe arra nëse preferoni.

    Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta.

  • Revani tradicionale me mjaltë/ Shije perfekte

    Revani tradicionale me mjaltë/ Shije perfekte

    Revani tradicionale – Vështirë se mund t’i rezistosh shijes tradicionale së kësaj ëmbëlsire të shkrifët, të butë, ëmbëlsuar me sherbet e mjaltë.

    E përsosur, e lehtë, e shijshme! Fantastike për t’u shërbyer në raste festash por edhe për të krijuar momente të dashura, të ëmbla në familje.

    Revania është një ndër ëmbëlsira më të vjetra shqiptare. Vështirë se mund t’i rezistosh shijes së saj të butë, të shkrifët, të ëmbëlsuar me sherbet dhe mjaltë.

    Në çdo shtëpi shqiptare ëmbëlsira e revanisë është më e dashura e të gjitha recetave. Nënat dhe gjyshet e përgatisin këtë recetë përherë në raste të gëzueshme familjare por edhe gjatë fundjavave kur të gjithë kanë mundësi të bashkohen në familje.

    Nga kuzhina tradicionale tek ajo moderne e ditëve të sotme, kjo ëmbëlsirë vijon ta ruajë identitetin e saj. Megjithëse e ka traditën nga zonat e jugut të Shqipërisë, kjo recetë përgatitet nga të gjitha amvisat shqiptare në të gjithë vendin.

    Amvisat në shumë raste kombinojnë këtë ëmbëlsirë duke shtuar të tjerë përbërës që i shtojnë asaj edhe më shumë shije dhe aromë.

    Receta e shijshme e revanisë shqiptare, krejt lehtë për t’u përgatitur në shtëpi si një alternativë fantastike për të shoqëruar dhe ëmbëlsuar drekat apo darkat në familje.

    Përbërësit

    1 gotë me miell

    ½ gotë me sheqer

    1 gotë me miell misri për ëmbëlsira

    4 vezë

    1 gotë vaj

    1 pako pluhur pjekës

    200 gr kos

    2 vanilje

    2 lugë mjaltë

    lekurë portokalli ose limoni (sipas preferencës)

    Përgatitja e sherbetit

    3 gota ujë

    2 gota sheqer

    gjysëm portokalli ose limoni (sipas preferencës)

    1 shkop kanele

    (I ziejmë të gjitha bashkë për 10 min dhe i heqim mënjanë që të ftohet)

    Përgatitja Krejt Lehtë në Shtëpi:

    Në një tas të madh të të bollshëm rrahim vezët. Më pas shtojmë sheqerin dhe mjaltin dhe vijojmë rrahjen edhe për 5 minuta.

    Në vijim, shtojmë vajin, kosin, si dhe lëkurën e portokallit apo të limonit.

    Në një tas tjetër, hedhim miellin e misrit për ëmbëlsira dhe atë të grurit, hedhim gjithashtu edhe pluhurin pjekës dhe vaniljen. I përzjejmë të gjitha bashkë dhe i shtojmë tek masa e vezëve.

    I rrahim për 2-3 minuta të gjitha bashkë dhe e hedhim të gjithë masën në tepsi.

    Ëmbëlsirën e fusin në pjekje në furrë, në temperaturën 170 gradë. E lëmë të piqet për 35 minuta derisa merr në sipërfaqe ngjyrë të kuqërremtë.

    Sapo e nxjerrim nga furra, i hehdim sherbetin e ftohtë. Në mënyrë që të përthithë të gjithë masën e sherbetit sa më mirë e shërbejmë tre orë pasi i kemi hedhur sherbetin.

  • Receta fantastike të petullave me mollë/ Të shpejta dhe plot shije

    Receta fantastike të petullave me mollë/ Të shpejta dhe plot shije

    Petulla me mollë – Është një recetë fantastike, me një shije të lehtë, të ëmbël e që përgatitet në shumë pak kohë. Kombinimi i petullave me mollë është ndër recetat më të shijshme e cila pa dyshim tërheq nepsin e oreksin e të vegjëlve dhe më të rriturve në familje.

    Përgatitja e tyre kërkon përbërës të thjeshtë por shija që të ofrojnë është sa speciale aq edhe e veçantë.

    Më poshtë do të gjeni recetën unike të përgatitjes së petullave me mollë krejt lehtë në shtëpi.

    Përgatitja e Petullave me Mollë në Shtëpi

    Përbërësit

    1 gotë miell

    3-4 kokrra mollë

    1/2 lugë kafeje me sheqer

    1/2 lugë kafeje me sodë buke

    1/2 lugë kafeje me kripë

    1 gotë qumësht

    1 kokërr vezë

    Sheqer  për spërkatjen e petullave

    Kanellë

    Përgatitja

    Në një tas të hidhni miellin, kripën, sodën e bukës dhe sheqerin. Trazojini që të përftoni një masë të vetme.

    Në një tas tjetër hedhim vezën dhe gotën e qumështit, e rrahim deri sa masa të jetë bashkuar plotësisht.

    Më pas fillojmë dhe shtojmë masën e miellit të përzierë me kripë, sheqer dhe sodë, duke e trazuar gjatë gjithë kohës në mënyrë që të mos mbetet mielli i patretur.

    Masa që duhet të arrijmë është një brumë pak më i hollë se ai i petullave tradicionale, dhe pak më i fortë se ai i palaçinkave.

    Në vijim, merrni mollët dhe t’u hiqni pjesën e brendshme të farave. Pritini në rrathë jo më shumë se 1 cm.

    Në një tigan pak të thellë, hedhim 2-3 filxhanë me vaj dhe e vendosim ne zjarr të lartë.

    Fetat e mollës i zhysim në brumin e përgatitur dhe i skuqim në tigan. Duke treguar kujdes që t’i kthejmë nga të dyja anët.

    Pasi i heqim nga tigani, është mirë që t’i vendosim në një pjatë me letër kuzhine, që të thithet yndyra e tepërt.

    Në një pjatë tjetër kemi përzier sheqerin me kanellën, aty kalojmë të gjitha petullat , sa të krijohet një shtresë në të dy anët.

    Është e mira që të jenë pak të ftohura (jo direkt nga tigani) që të mos shkrijë sheqeri.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Kek me të bardha vezësh/ I butë me ëmbëlsi të veçantë

    Kek me të bardha vezësh/ I butë me ëmbëlsi të veçantë

    Kekut të butë e të ngrohtë plot aromë nuk mund t’i thotë askush jo.

    Recetat e tij janë nga më të pafundmet, pasi është një nga ëmbëlsirat më të lehta për t’u përgatitur.

    Në këtë artikull ju tregojmë një mënyrë të re të përgatitjes së tij, që të jetë sa më i lehtë.

    Sekreti qëndron tek mos përdorimi i të verdhave të vezëve.

    Përgatitja është shumë e lehtë, ama edhe shija nuk mbetet pas…

    Është perfekt për të shoqëruar mëngjeset por edhe për gëzimet familjare apo rastet e festave.

    Përbërësit

    6 të bardha vezësh

    150g sheqer

    120ml vaj ulliri ose misri

    150g miell

    50g niseshte

    50g kakao

    120g ujë i vakët

    1 paketë me fryrës ëmbëlsirash (16g)

    Përgatitja

    Duke qenë se keku përgatitet vetëm me të bardhat e vezës, duhet të nisni me rrahjen e tyre.

    WWshtë e mira që të përdorni rrahësin elektrik, por edhe teli i kuzhinës mund t’ju ndihmojë.

    I vetmi ndryshim është koha që do t’ju duhet për të përgatitur merengen.

    Mundohuni që t’i rrihni derisa vezët të kenë krijuar një shkumë të bardhë e cila nuk shkëputet nga tasi.

    Pasi të keni mbaruar me të bardhat e vezëve, sitni miellin, niseshtenë, fryrësin dhe kakaon.

    Ndërkohë në një tas tjetër përzieni vajin, ujin dhe sheqerin.

    Tek kjo përzierje shtoni ngadalë përbërësit e thatë, pra miellin, niseshtenë, fryrësin e ëmbëlsirave dhe kakaon.

    Përzieni mirë që të mos krijohen kokrriza të patretura të miellit tek brumi.

    Kur të keni krijuar një masë të njëtrajtshme filloni të shtoni të bardhat e vezëve të rrahura.

    Kini kujdes që kur t’i përzieni të përdorni një lugë druri.

    Lëvizjet duhet të jenë rrumbullake nga lartë poshtë.

    Kështu volumi i tyre nuk do të bjerë dhe keku do të fryhet.

    Lyeni me vaj dhe pak miell një tavë me diametër 22-24cm.

    Kalojeni brumin e kekut aty dhe piqeni në furrë me 170gradë për 40 minuta.

    Por sigurohuni që të jetë pjekur plotësisht duke e provuar me një thikë.

    Mjafton ta shponi pak kekun në qendër dhe të shikoni nëse sipërfaqja e saj del e pastër.

    Pasi të jetë pjekur keku largojeni nga tava dhe spërkateni me sheqer pluhur për më shumë shije.

    Nëse keni festë mund ta zbukuroni kekun tuaj me çokollatë të shkrirë në sipërfaqe.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Krem karamel i ftohtë në tavë. Ëmbëlsi fantastike!

    Krem karamel i ftohtë në tavë. Ëmbëlsi fantastike!

    Krem Karameli është një ëmbëlsirë delikate, plot finesë dhe shije fantastike.

    Receta është shumë e lehtë për t’u përgatitur në çdo kohë dhe është një mënyrë fantastike për ta ndarë me familje apo për t’ia ofruar miqve apo të afërmve teksa na vizitojnë në shtëpi.

    Shija e krem karamelit është tërësisht e lehtë dhe butë, aq sa nëse e gatuan në shtëpi vështirë se mund të rrish pa ngrënë të paktën dy të tillë.

    Fantastik në shoqërimin e kafesë, ekspres qoftë apo turke, apo edhe çajra të ndryshëm gjithashtu.

    Mund të kombinohet e shoqërohet gjithashtu edhe me fruta të freskëta, sidomos me shegë apo luleshtrydhe.

    Ja një recetë të thjeshtë të përgatitjes së krem karamelit në shtëpi.

    Përgatitja e Krem Karamelit në Shtëpi

    Për përgatitjen e karamelit

    150 gramë sheqer

    50 ml ujë

    3 pika lëng limoni

    Për përgatitjen e kremit  

    1 l qumësht

    1 gotë ujë me sheqer

    6 kokrra vezë

    Dy lugë të vogla vanilje

    Procesi i përgatitjes

    Përgatisim karamelen duke hedhur në një enë sheqerin dhe ujin. I vendosim në zjarr deri sa të marrë ngjyrën kafe të errët të karameles.

    Ashtu siç është e nxehtë dhe karamelja është duke pluskuar e hedhim në enën apo kupat e aluminit ose qelqi të trashë ku do ta pjekim.

    Nga ana tjetër nisim përgatitjen e kremit. Hedhim në një enë vezët, sheqerin dhe vaniljen dhe shtojmë pak nga pak qumështin e nxehtë duke i trazuar.

    Sigurohemi që qumështin e nxehtë të mos e hedhim menjëherë pasi priten vezët.

    Masën e përgatitur e shtojmë tek ena ku kemi hedhur karamelen e shkrirë.

    Enën me krem karamel e vendosim në tepsi në të cilën hedhim një gotë të madhe me ujë.

    I fusim në furrë për pjekje me 180 gradë për 30 minuta derisa kremi të mpikset.

    Pasi fikim furrën i lëmë edhe pak në ngrohjen e furrës dhe kur e servirim, sipas preferencës mund ta përmbysim në mënyrë që pjesa e sipërme të jetë e mbuluar nga karameli.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Si të përgatisni vetë pastashuta/ Hapat që duhet të ndiqni

    Si të përgatisni vetë pastashuta/ Hapat që duhet të ndiqni

    Një nga ëmbëlsirat më të dashura e më të kërkuara në pastiçeritë shqiptare.

    Të mbuluara me çokollatë e të mbushura me krem, të lehta e delikate në shije, pastatshu vijojnë të mbeten ndër më të preferuarat e shqiptarëve.

    Një recetë e veçantë që kërkon pak dashuri dhe durim në përgatitje e si rezultat do të keni një ëmbëlsirë të mrekullueshme për të kënaqur veten, familjen apo më të dashurit tuaj.

    Vërtetë sot pastiçeritë ofrojnë pa fund ëmbëlsira mes të cilave edhe pastatshu por të përgatitura në shtëpi, shija e tyre është thjeshtë mahnitëse.

    AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së këtyre ëmbëlsirave fantastike në shtëpi.

    Përgatitja e Pastave Shu në Shtëpi

    Përbërësit

    Për 10 pasta duhen

    ¾ e gotës së ujit miell

    3 kokrra vezë

    2 lugë gjelle gjalpë

    ½ lugë gjelle sheqer

    pak kripë

    Për kremin e pastiçerisë

    ¾ e gotës së ujit qumësht

    1 filxhan kafeje miell

    1 kokërr vezë

    1 filxhan kafeje sheqer

    Për çokollatën

    1 pako me çokollatë

    Përgatitja

    Në një tenxhere hidhet qumësht ose ujë, kripë, gjalpë e sheqer, përzihen të gjitha dhe masa ngrohet derisa merr valë.

    Në këtë masë hidhet mielli i situr, mbahet në zjarr të dobët dhe me një lugë druri përzjehet shpejt, derisa të krijohet një masë e njëllojtë pa kokrra, e cila shkëputet lehtë nga tenxherja dhe luga.

    Masa hiqet nga zjarri, ftohet deri në 60-70 gradë, hidhen vezët një e nga një me ndërpreje duke i përzier, derisa të krijohet një masë e njëllojtë.

    Brumi duhet të bëhet mjaft i trashë dhe pak elastik.

    Brumi i përgatitur hidhet me anën e një qese pasticȩrie në një tepsi të thatë në formë gjatoshe 6-7 cm dhe piqet në furrë të nxehtë në temperaturë 230-240 gradë për 12-15 minuta.

    Pasi ftohet, me thikë sharrë, priten kapakët dhe mbushen me krem pastiçerie. Sipërfaqja spërkatet me çokollatë e shkrirë.

    Burimi: AgroWeb.org

  • Hasude e pjekur me petë/ Shije fantastike

    Hasude e pjekur me petë/ Shije fantastike

    Një ëmbëlsirë e thjeshtë për t’u përgatitur dhe fantastike në shije, kombinuar me petë dhe e pjekur.

    Në doni të ëmbëlsoni veten apo më të dashurit tuaj në familje kjo është zgjidhja e duhur.

    Nuk kërkon shumë kohë në përgatitje e as shumë mund por rezultati final padyshim do t’ju përfshijë tërësisht.

    Përgatitja e Hasudes në Shtëpi 

    Përbërësit 

    6 peta të gatshme ëmbëlsirash (i gjeni në markete)

    300 gr niseshte

    300 gr sheqer

    500 ml ujë

    100 gr gjalpë të freskët

    Përgatitja 

    Hedhim në një tas masën e ujit dhe niseshtenë dhe i përziejmë mirë me njëra tjetrën derisa niseshteja të shkrihet plotësisht dhe të njëtrajtësohet me ujin.

    Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni një tenxhere në zjarr.

    Shtojmë gjalpin dhe sheqerin.

    I trazojmë derisa sheqeri të shkrijë plotësisht dhe të marrë ngjyrë karamel dhe të forcohet pak.

    Në këtë moment, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni ujin me niseshte dhe të përzjeni gjithë masën pa ndërprerje përmes një luge druri.

    Nëse preferoni të shtoni të tjerë përbërës përveç atyre bazë, në momentin kur shtoni ujin me niseshtenë mund të shtoni gjithashtu edhe arra apo bjame të thërrmuara, apo përbërës të tjerë dhe vijoni të përzieni derisa masa të trashet ne formën klasike xhelatinoze të hasudes.

    Sekreti i Hasudes qendron tek përzierja pa ndëprerje e gjithë masës  që është në zjarr.

    Më pas, lyeni një tepsi me pak vaj, shtroni tre peta një nga një duke i spërkatur me pak vaj, shtoni më pas të gjithë hasuden e përgatitur siç e keni të ngrohtë, dhe në fund shtroni tre petat e tjera një nga një duke i spërkatur sërish me disa pika vaj.

    Futeni të piqet në furrë të parangrohur në temperaturë maksimale deri sa petët të marrin ngjyrën e artë të pjekjes.

    Kur ta servirni, nëse dëshironispërkateni me pak sheqer pluhur dhe kanellë për më shumë shije. 

    Burimi: AgroWeb.org