Serbia do të luajë kundër Zvicrës në mbrëmjen e nesërme. E gjithë kureshtja e shqiptarëve do të jetë sesi do të trajtohet nesër Granit Xhaka, teksa serbët ndryshuan edhe stadiumin ku do ta zhvillojnë këtë përballje pasi nuk garantonin dot sigurinë nga huliganët e tyre. Gjithashtu ajo që ka bërë përshtypje është edhe sjellja e trajnerit të Serbisë, Stojkovic, që ka mbushur me lëvdata shqiptarët.
“Unë e konsideroj Granit Xhakën si një prej lojtarëve më të mirë me këmbën e majtë në Europë. Shaqiri është një lojtari i madh gjithashtu, por gjithçka i vjen fundi një ditë. Besoj se ndeshja nesër do të jetë e ndershme. Unë jam më i shqetësuar për Xhakën pasi është lojtar i madh dhe duhet të jemi të kujdesshëm për ta bllokuar dhe neutralizuar. Nëse ia dalim, atëherë me shumë gjasa do të kemi rezultatin e duhur. Për gjërat e tjera nuk duhet të shqetësohemi.
Unë supozoj se njerëzit janë të vetëdijshëm për të kaluarën dhe provokimet. Bëj apel që ndeshja të luhet në frymën e lojës së ndershme. Sjellja e tifozëve duhet të jetë shembullore. Duhet të lëmë mënjanë çdo çështje të jashtme dhe të fokusohemi te loja tha Stojkovic.