Kukësi kërkon të dalë nga momenti i keq dhe pushimi i kampionatit do të shfrytëzohet maksimalisht nga drejtuesit për të zhvilluar një merkato sa më cilësore, për t’u larguar sa më shpejt nga zona e ftohtë e renditjes. Megjithatë, klubi verilindor do të dëgjojë edhe ofertat, ku nuk mungojnë për dy nga lojtarët më cilësorë. Bëhet fjalë për dy futbollistë në fazën ofensive, mesfushori me tipare sulmuese Françesko Hasaj dhe sulmuesi Mario Beshiraj. Dy lojtarët janë drejt Kazakistanit, pasi ka interesim nga klubet atje.
Mësohet se për Hasajn bisedimet janë në fazë të avancuar dhe brenda pak ditësh pritet edhe mbyllja përfundimtare e marrëveshjes. Edhe pse detajet nuk bëhen ende të ditura nga burimet, por gjasat janë që blutë të përfitojnë të ardhura dhe të mos e lënë të largohet si lojtar i lirë. E njëjta situatë është edhe me kapitenin Mario Beshiraj, që gjithashtu ka pasur interes nga skuadrat kazake, por bisedimet janë aktualisht në fazë fillestare.
Hasaj ka luajtur deri më tani me blutë në 14-të takime dhe ka shënuar dy gola, ndërsa Beshiraj në 17-të ndeshje ka gjetur rrugën e rrjetës gjashtë herë, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës. Nëse çdo gjë shkon sipas planeve dhe Hasaj me Beshirajn largohen, lind detyra që Kukësi të bëjë një merkato më të fuqishme nga sa e kishte menduar më herët. Të ardhurat që mund të sjellë kjo dyshe do të investohen për të përforcuar grupin aktual që drejtohet nga Emiljano Çela. Mësohet se verilindorët i kanë piketuar me kohë lojtarët, ku një pjesë të tyre i dëshiroi që në verë, por grumbullimi vetëm një javë para nisjes së kampionatit dhe mbylljes së merkatos, nuk i dha mundësinë drejtuesve të rinj të bënin përforcimet që dëshironin.
Burimet pohojnë se afrimet do të jenë nga porta në sulm, pasi e shohin si mënyrën e vetme për të qenë konkurrues për pjesën e mbetur të sezonit. Synimi është që mbijetesa të mos vihet në diskutim, por nga ana tjetër edhe të bëhen përpjekjet për të shkuar në zonën e “play off”.