Shqipëria vijon përgatitjet për sfidën e parë të UEFA Nations League ndaj Bjellorusisë, por nga grumbullimi i kuqezinjve vjen një sinjal shqetësues për Kristjan Asllanin.
Mesfushori ka qenë i pranishëm në “Shtëpinë e Futbollit”, por nuk ka zbritur në fushë për t’u stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës. Mungesa e tij në seancën e radhës, në një fazë ku trajneri Maran po punon me intensitet të lartë mbi detajet taktike, shton ndjeshëm dyshimet për aktivizimin e tij ndaj Bjellorusisë.
Asllani ishte një nga lojtarët që pritej të kishte rol të rëndësishëm në mesfushën kuqezi, por situata e fundit lë të kuptohet se mundësitë për ta parë në fushë në ndeshjen e parë janë minimale.
Stafi teknik tashmë duhet të mendojë edhe për alternativat e mundshme në mesfushë, ndërsa grupi do të vijojë përgatitjet nesër. Të premten është programuar seanca zyrtare në stadiumin “Air Albania”, në prag të sfidës.
Në fokus mbetet pikërisht gjendja e Kristjan Asllanit dhe nëse mesfushori do të jetë në gjendje të rikuperohet në kohë për ndeshjen.