Emri i Sherif Kallakut ka tërhequr vëmendjen në listën e lojtarëve që Vllaznia ka dorëzuar në UEFA për ndeshjet e Conference League. Megjithatë, mesfushori ofensiv nuk pritet të jetë pjesë e skuadrës shkodrane.
Edhe pse pak javë më parë klubi njoftoi rinovimin e kontratës së tij edhe për një sezon, situata ka marrë një tjetër drejtim. Burime pranë palëve bëjnë me dije se Kallaku kishte një marrëveshje të mëparshme me drejtuesit, sipas së cilës do të ishte i lirë të largohej në fund të sezonit.
Futbollisti i ka komunikuar Vllaznisë vendimin për të mos vazhduar më në Shkodër dhe tashmë i është bashkuar Teutës. Kjo shpjegon edhe mungesën e tij në çdo seancë stërvitore të fazës përgatitore të kuqebluve.
Pavarësisht kësaj, Vllaznia e ka përfshirë emrin e tij në listën e dërguar në UEFA Conference League, me shpresën se lojtari mund të ndryshojë qëndrim. Deri në këtë moment, megjithatë, rikthimi i Kallakut te skuadra shkodrane duket një skenar shumë i vështirë për t’u realizuar.