Nga Premier League te “Air Albania”, emri i arbitrit që do të drejtojë Shqipërinë

by KLIKOJE.AL

Shqipëri-Bjellorusi, sfida që kuqezinjtë do ta zhvillojnë më 26 shtator në stadiumin “Air Albania” në kuadër të Nations League, do të gjykohet nga një trupë arbitrimi angleze.

UEFA ka përzgjedhur 33-vjeçarin Samuel Barrott si arbitër kryesor të kësaj përballjeje. Ai konsiderohet si një prej arbitrave me ngjitjen më të shpejtë në elitën e futbollit anglez, ndërsa profili i tij karakterizohet nga lejimi i lojës dhe ndërhyrjet e kufizuara gjatë zhvillimit të aksioneve.

Barrott debutoi në Premier League në tetor të vitit 2023 dhe në sezonin 2024/25 u promovua zyrtarisht në Select Group 1, grupi elitar i arbitrave të kampionatit anglez.

Në dhjetor 2024, ai u përfshi gjithashtu në listën e arbitrave ndërkombëtarë të FIFA-s, duke zëvendësuar Craig Pawson. Statistikat e tij tregojnë një mesatare prej rreth 3.5-3.6 kartonësh të verdhë për ndeshje, ndërsa kartonët e kuq direkt janë më të rrallë në ndeshjet që ka drejtuar.

Përveç Premier League, Barrott ka marrë pjesë edhe në ndeshje të kompeticioneve europiane, përfshirë fazat kualifikuese të Champions League, Europa League dhe Conference League, si dhe në takime ndërkombëtare.

Edhe pjesa tjetër e trupës së arbitrimit për Shqipëri-Bjellorusi do të jetë angleze. Asistentët do të jenë Adam Nunn dhe Wade Smith, ndërsa arbitër i katërt është caktuar Farai Hallam. Në sistemin VAR do të jenë Matthew Donohue dhe Paul Howard.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.