Arman Durmishi po kthehet në një nga emrat më interesantë të brezit të ri shqiptar që po ndjek me vëmendje edhe futbolli italian. Sulmuesi kuqezi është pjesë e Juventusit dhe ka bërë përpara me ritme të shpejta në strukturat e klubit torinez, duke djegur disa etapa në rrugëtimin e tij.
Talenti shqiptar tashmë shihet si një lojtar me potencial për të trokitur në dyert e ekipit të parë të Juventusit, ndërsa paraqitjet e tij me të rinjtë kanë tërhequr vëmendje.
Por në ditët e fundit, Durmishi ka marrë një vendim që ka bërë zhurmë: ai ka refuzuar ftesën e Shqipërisë U21 për këtë grumbullim.
Megjithatë, vendimi nuk lidhet me një largim nga përfaqësuesja kuqezi. Arsyeja është se Juventus Next Gen vazhdon aktivitetin në Serie C edhe gjatë kësaj pauze të kombëtareve, ndaj sulmuesi ka zgjedhur të qëndrojë pranë klubit dhe të jetë në dispozicion të skuadrës.
Një situatë që tregon edhe një herë rëndësinë që po fiton Arman Durmishi në projektin e Juventusit. Ai mbetet një nga emrat shqiptarë për t’u ndjekur me shumë interes, me synimin për të bërë hapin e radhës dhe për t’iu afruar gradualisht ekipit të parë bardhezi.