Partizani po kërkon të bëhet aktiv në merkaton e verës. Klubi i kuq po lëviz me vëmendje dhe për momentin përveç Isgandarlis, emri që po përflitet për një transferim në kryeqytet është ai i Arbnor Ramadani. Mesfushori e ka mbyllur aventurën me Llapin dhe në Kosovë e bëjnë të sigurt kalimin e tij nga Superliga e Kosvës te Partizani. Mesfushori me tipare sulmuese është 31 vjeç dhe ka luajtur vetëm në Kosovë. Drita, Llapi dhe Gjilani janë klubet me të cilat ka spikatur në elitë.
Menjëherë pasi përfundoi kontratën me Llapin, disa klube janë përfolur për transferimin e tij. Ndër të tjera përmendim Flamurtarin dhe Tiranën. Vite më parë edhe Dinamo është shfaqur në negociata me të. Eksperienca e fundit me Llapin zgjati për dy sezone. Klubi i Superligës së Kosovës kaloi një sezon mjaft të vështirë, pasi vetëm përmes “play-out” ia doli të sigurojë mbijetesën.
Partizani vazhdon të jetë në kërkim të një lideri për mesfushën. Arbnor Ramandani ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Llapi, ndërsa është nga mesfushorët më me eksperiencë në Kosovë.
TRANSFERIMI I ISGANDARLI TE PARTIZANI
Vusal Isgandarli ndodhet në Tiranë, ndërsa po shfrytëzon mundësinë edhe për pushime. Për ish-sulmuesin e Egnatias tashmë mungon vetëm prezantimi te Partizani. Isgandarli do të ishte përforcim për krahët e sulmit. Tek Egnatia preferohej pikërisht në linjën e majtë, ndërsa me Boluspor ka luajtur edhe si i djathtë apo në qendër. 29-vjeçari nga Azerbajaxhani ishte përfolur edhe më parë për rikthimin në Superiore, por u respektua kontrata me Boluspor deri në fund.
Te Partizani janë dy lojtarë, që ofrohen me kosto zero për sulmin. Bëhet fjalë për Skukën dhe Isgandarli. Të dy kanë spikatur më parë dhe Partizani i rikthen me shpresën që do të jenë liderë të skuadër. Reparti i sulmit ka çaluar te Partizani pas ikjes së Christian Mba dhe Tedi Carës. Kartonët e të dy lojtarëve u shitën në Ukrainë.