Sporti shqiptar është në zi. Artan Pogoni është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak. Me largimin e tij, volejbolli shqiptar humbet një prej personaliteteve që i kushtoi jetën sportit, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.
I lindur në Tiranë më 20 mars 1972, Pogoni e nisi rrugëtimin si volejbollist me Dinamon. Në moshën 25-vjeçare iu përkushtua profesionit të trajnerit, duke drejtuar fillimisht Studentin e më pas ekipin e femrave të Dinamos. Ai drejtoi gjithashtu edhe Kombëtaren e vajzave, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e volejbollit shqiptar.
Përveç karrierës sportive, Artan Pogoni ishte një emër i respektuar edhe në botën akademike. Ai ushtroi detyrën e pedagogut në Universitetin e Sporteve dhe më pas në Universitetin “Marin Barleti”, ku drejtoi edhe ekipin universitar.