Egnatia është vetëm 90 minuta larg një momenti historik. Kampionët e Shqipërisë zbresin këtë mbrëmje në fushë përballë Çeljes në Slloveni, në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Ligës së Kampionëve. Takimi nis në orën 20:15, pas barazimit spektakolar 3-3 në sfidën e parë të luajtur në “Arena Egnatia”.
Një fitore do t’i siguronte skuadrës së Nevil Dedes jo vetëm kalimin në turin e tretë të Champions League, por edhe garancinë për të qenë, në rastin më të keq, pjesë e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.
Në ndeshjen e parë, Egnatia tregoi cilësi dhe dominoi për pjesën më të madhe të lojës, duke lënë të hapur gjithçka për sfidën vendimtare të kësaj mbrëmjeje.
Sa i përket formacionit, Albano Aleksi e nis sërish nga stoli, ndërsa në repartin ofensiv besimi i është dhënë Adjesës. Bakajoko mungon për shkak të dëmtimit.
