Të dielën luhet derbi i kryeqytetit, një nga vitrinat e futbollit shqiptar. Të gjithë po flasin rreth përballjes së dy rivalëve të përjetshëm të qytetit dhe në News24 mendimin e tij për ndeshjen më të shikuar të Superiores ka dhënë dhe Xhevahir Sukaj. Ish-futbollisti i Partizanit sheh “Demat” si favorit në këtë supersfidë, e madje jo vetëm në derbi po edhe në garën për titull.
Risia e të luajturit në impiantin e ri të të kuqve është një bonus i madh për ekipin e Veselinovic sipas ish-sulmuesit. Sa i takon bardhebluve, për Sukajn kjo përballje e fundjavës është jetike, pasi dihet që në një Partizani-Tirana një fitore vlen dyfish.
DERBI–Derbi ka qenë gjithmonë i bukur, sidomos kur te dyja këto skuadra luftonin për titull. Megjithatë tani nuk më jep kënaqesinë e dikurshme, ndoshta edhe për shkak të cilësisë. Kur luaja unë ka patur më tepër grintë, më tepër dëshirë. Për derbi është pak i vogël mendoj, por më mirë pak tifozë dhe stadiumi të jetë plotë, se sa stadium i madh, por me 6000 vetë.
PARTIZANI-Te dielën besoj “Arena e Demave” do të jetë plotë, si asnjëherë më parë. Unë e shoh me pozitivitet pjesën e stadiumit. Partizani do të jetë i avantazhuar që luan në këtë impiant derbin. Partizani është në rrugën e duhur, sepse me formulën e re dy ndeshjet në fund të nxjerrin kampion. 17 pikë diferencë janë shumë mes tyre. Më vjen keq për Tiranën. Në derbi besoj se nuk ndikon kjo diferencë.
TIRANA-Derbi nuk e zbeh asnjëherë diferencën me pikët. Tirana do ta ketë “jetë e vdekje” këtë derbi. Partizani ndërkohë i’a lejon vetes pse jo edhe ndonjë hap fals.
REZULTATI-Gjithmonë kam dal në krah të Partizanit dhe uroj që edhe këtë herë të fitoj, sepse mendoj se është favorit. Parashikimi im është që fiton Partizani 1-0 me gol të Prekës”, u shpreh Xhevahir Sukaj.